Lidhje

Tregëtia e seksit - 2003-09-30


Në takimin e kësaj jave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti Bush veç komenteve për luftën në Irak dhe kundër terrorizmit, foli edhe për një tjetër problem në shkallë botërore, tregëtinë e seksit. Cdo vit, në botë trafikohen rreth një milon gra dhe fëmijë.

Në fjalimin e tij para dhjetra udhëheqësve botërorë, presidenti Bush dënoi tregtinë e seksit të cilën e quajti një të keqe të veçantë dhe një formë të skllavërisë moderne. Tregëtia ndërkombëtare e seksit përfshin rrjetet kriminale që detyrojnë çdo vit qindra mijëra gra dhe fëmijë të bien viktima të prostitucionit.

Në shumicën e rasteve ky fenomen ushqehet nga turizmi i seksit, që ka të bëjë me grupe dhe individë të veçantë, cilët vizitojnë vende të tjera për seks me pagesë. Deri tani, ky lloj turizmi ka kaluar pothuajse pa u ndëshkuar por Presidenti Bush tha se ka ardhur koha që kjo praktikë të ndryshojë.

Qeveria amerikane po jep 50 milionë dollarë ndihma për organizatat, që përpiqen t’i shpëtojnë gratë dhe fëmijët nga shfrytëzimi seksual, që i strehojnë ata dhe u ofrojnë ndihmë mjekësore, me shpresë për një jetë të re, më të mirë. U bëj thirrje edhe qeverive të tjera të japin kontributin e tyre, tha presidenti.

Statistikat janë të frikshme. Qeveria amerikane vlerëson se numri i njerëzve që trafikohen çdo vit në të gjithë botën është 800 deri në 900 mijë vetë dhe rreth 20 mijë prej tyre, sillen në Shtetet e Bashkuara. Gjysma e tyre detyrohen të punojnë si punëtorë të papaguar, gjysma tjetër, merren me prostitucion.

Shumica e viktimave janë njerëz të varfër, të cilët kërkojnë punë dhe një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre. Në shumicën e rasteve, tregëtarët e seksit i mashtrojnë vajzat me premtime se do t’u gjejnë punë të rregullt. Lisa Johnson-Firth punon për Qendrën e Drejtësisë Tahirihk, një organizatë jo-fitimiprurëse në Shtetet e Bashkuara, e cila merret me viktimat e trafikut njerëzor.

Ato mashtrohen dhe u shkojnë pas trafikantëve që i çojnë në vende të tjera. Zakonisht, ato nuk e kanë të qartë se ku po dërgohen. Me të mbërritur në destinacion, ato mund të burgosen, ndërkohë që përgatiten dokumentet e tyre dhe pastaj dërgohen në një tjetër vend. Shumë prej tyre rrëmbehen. Shpesh familjet e tyre e dinë të vërtetën por fatkeqësisht, i shesin me vetëdije vajzat e tyre si skllave, për arsye financiare,- thotë zonja Johnson.

Por kohët e fundit, janë marrë disa masa për të ndaluar tregëtinë e qenieve njerëzore: sipas një ligjit të ri amerikan, shtetasve amerikanë u ndalohet seksi me të mitur qoftë edhe në vende të tjera. Për shembull, në muajin qershor, u arrestua një shtetas amerikan, nën akuzat për marrëdhënie seksuale me dy djem të mitur në Kamboxhia. Gjyqi i tij u zhvillua këtë javë në qytetin Seattle.

Edhe gjigandi i kompjuterave dhe internetit, Microsoft, po ndërmerr hapa për mbrojttjen e fëmijëve. Kompania ka bërë të njohur se do t’i mbyllë dhomat e bisedave në Internet në 28 vende, pasi autoritetet dyshojnë se pedofilët i gjuajnë fëmijët me anë të internetit.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut e kanë përshëndetur vendimin e Mikrosoftit dhe veprimet e qeverisë amerikane. Por zonja Johnson-Firth thotë se Shtetet e Bashkuara janë ndër vendet, që nuk po bëjnë sa duhet për të ndaluar rrënjët e tregëtisë së seksit.

Ne duhet t’i rishikojmë me kujdes politikat tona në një aspekt më të gjerë, nga pikpamja e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare të Shteteve të Bashkuara me pjesën tjetër të botës, për ta luftuar në rrënjën problemin e trafikut njerëzot, thotë zonja Johnson.

Ajo thotë se ndërkohë, mijëra gra dhe fëmijë të pambrojtur, ende rrezikohen të bien viktima të tregëtisë së seksit.

XS
SM
MD
LG