Lidhje

Irak: nje ushtar amerikan vritet dhe 3 te tjere plagosen - 2003-09-30


Zyrtarë amerikanë thonë se sulmet me bomba në Bagdadin perëndimor kanë shkaktuar vdekjen e një ushtari amerikan dhe plagosjen e tre të tjerëve, ndërkohë që trupat amerikane kapën persona të dyshuar për rrëmbimin në muajin qershor të 2 ushtarëve amerikanë.

Zyrtarët thanë se një ushtar amerikan humbi jetën dhe një tjetër u plagos dje kur një bombë në anë të rrugës shpërtheu ndërsa një autokolonë ushtarake kaloi në Habanijah. Një sulm i ngjashëm në qytetin fqinj të Kaldijas plagosi 2 ushtarë.

Pas sulmit në Kaldijah, pati luftime të ashpra për disa orë. Dëshmitarët në zonë thanë se ushtarët amerikanë, të mbështetur nga tanke dhe helikopterë, iu përgjigjën zjarrit të armikut.

Ndërkaq, ushtria amerikane njoftoi se trupat kapën 3 të dyshuar dhe vranë një të katërt kur automjeti me të cilin po udhëtonin u përpoq të kalonte ka ndaluar në një postbllok. Ushtria tha gjithashtu se gjatë kontrollit të automjetit u gjetën 2 pushkë të 2 ushtarëve, të cilët u zhdukën në muajin qershor dhe më vonë trupat e tyre u gjetën pa jetë.

Këto zhvillime pasojnë bastisjen gjatë natës të 15 shtëpive në qytetin e lindjes së Sadam Huseinit, Tikrit. Forcat irakiane të sigurimit, të mbështetura nga trupat amerikane, ishin në kërkim të mbi 10 personave, të cilët mendohet të jenë përgjegjës për shumicën e sulmeve kundër koalicionit të udhëhequr nga amerikanët.

//ze//

XS
SM
MD
LG