Lidhje

Fillon procesi hetimor rreth mundesisë së zbulimit të identitetit të agjentes së CIAs - 2003-09-30


Departamenti amerikan i Drejtësisë hapi zyrtarisht procesin hetimor lidhur me mundësinë e zbulimit të paautorizuar nga Shtëpia e Bardhë të identitetit të një agjenteje të fshehtë të Cias.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, tha se Presidenti Bush ka udhëruar anëtarët e personelit të tij të bashkëpunojnë plotësisht me hetuesit dhe i urdhëroi ata të ruajnë të gjithë materialin që mund të ketë të bëjë me këtë çështje. Çështja ka të bëjë me zbulimin e identitetit të Valeri Plames, gruaja e ish ambasadorit amerikan Joseph Willson, si operative e fshehtë e Cias, e specializuar në fushën e armëve të shkatërrimit në masë.

Ambasadori Wilson mendon se zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë e bënë të njohur qëllimisht identitetin e gruas së tij për ta diskredituar atë ose për t'u hakmarrë kundër tij pasi ai akuzoi administratën e Presidentit Bush se kishte ekzagjiruar kërcënimin që paraqiste Iraku.

Administrata e Presidentit Bush është vënë në mbrojtje pas pohimeve se zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë bënë të njohur emrin e një punonjëseje të Cias, burri i së cilës u bëri sfidë të dhënave se Iraku u përpoq të blinte material bërthamor në Afrikë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, u tha dje gazetarëve se Shtëpia e Bardhë do të bashkëpunonte nëse Departamenti i Drejtësisë arrin përfundimin se është e nevojshme të hapet një proces hetimor lidhur me këtë çështje. Një proces paraprak hetimor tashmë ka filluar. Mirëpo, zëdhënësi tha se Shtëpia e Bardhë nuk ka prova se ndonjë nga zyrtarët e saj ishte përzjer në rrjedhjen e informacionit rreth punonjëses së Cias dhe hodhi poshtë thirrjet nga disa anëtarë demokratë të Kongresit për një proces të pavarur hetimor.

Ish ambasadori amerikan, Joseph Wilson, tha se mendon që zyrtarë të Shtëpisë së Bardhëua ua bënë të ditur gazetarëve identitetin e gruas së tij si agjente e Cias si mënyrë për të frikësuar të tjerë që të mos japin informacion që nuk mbështet pozitën e administratës.

Gazetari Robert Novak tha dje në rrjetin televiziv CNN se e kishte marrë informacionin nga një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Bush gjatë një interviste. Ai mohoi se ndonjë anëtar i administratës i kishte kërkuar të përhapte informacionin rreth gruas së zotit Wilson. Në bazë të ligjit amerikan, zbulimi qëllimisht i identitetit të një operativi të fshehtë është vepër kriminale, që dënohet deri me 10 vjet burgim.

//rd//

XS
SM
MD
LG