Lidhje

Shqipëri: vazhdojnë debatet pozitë-opozitë mbi policinë - 2003-10-01


Partia demokratike i ka kthyer përgjigje zyrtare propozimit të socialistëve për angazhimin e policisë në zgjedhje. Demokratët, sërish kanë ofruar si zgjidhje të vetme anullimin e aktit normativ të qeverisë dhe zbatimin e kodit zgjedhor dhe ligjit për policinë e shtetit. Por, sipas shifrave që ofrohen zyrtarisht, formulimi aktual i ligjit për policinë e bën të pamundur mbulimin e të gjitha qendrave të votimit nga policët e rendit

Ashtu siç kishin premtuar dhe deklaruar, demokratet nuk i ndryshuan asnjë presje qëndrimit të tyre lidhur me forcat e policisë që do të angazhohen në ruajtje të qendrave të votimit ditën e zgjedhjeve. Ata ishin kundërshtarë të ashpër të ndryshimit që bëri qeveria me një akt normativ.

Debatet shkuan deri aty, sa ditën kur kjo çështje do të kalonte në parlament, deputetët demokratë nuk morën pjesë në seancë duke u përfaqësuar vetëm nga kryetari i grupit të tyre parlamentar. Të gjendur përballë kësaj trysnie politike dhe për të shmangur një vendim të njëanshëm që do të merrte ngyrime të tjera më pas, socialistet vendosën t’i lënë rrugë të lirë opozitës të përgatisë një formulim, për të gjetur një zgjidhje.

Por për Partinë Demokratike, zgjidhja e vetme është anullimi i aktit normativ të qeverisë dhe zbatimi i kodit zgjedhor dhe ligjit për policinë e shtetit. Këtë formulim ata kanë dorëzuar edhe në zyrat e parlamentit, si përgjigje ndaj propozimit të së majtës.

Në këtë menyrë, gjithshka kthehet në pikën e fillimit, duke rihapur debatet e shifrave. Sipas ligjit për policinë e shtetit, qendrat e votimit duhet të ruhen nga policia e rendit dhe ajo e objekteve.

Zyrtarisht, Ministria e Rendit deklaron se numri i këtyre forcave nuk arrin dot të mbulojë numrin e qendrave të votimit. Kjo është arsyeja me të cilën ato motivuan dhe aktin e miratuar nga qeveria për të angazhuar dhe struktura të tjera, duke përjashtuar forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe njësitë speciale. Por, opozita vazhdon t’i qëndrojë mendimit se shifrat e ofruara nuk janë ato të vërteta dhe se gjithshka bëhet për të krijuar mundësi të manipulimit të zgjedhjeve.// lk //

XS
SM
MD
LG