Lidhje

Koks: Shqipërisë i duhet shumë punë për të hequr imazhin negativ - 2003-10-02


Kryetari i parlamentit Europian Patrick Cox deklaroi sot se Shqipërisë i duhet shumë punë për të hequr imazhin negativ për nivelet e larta të korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve. Duke folur përpara deputetëve shqiptar në sallën e parlamentit zoti Cox vuri theksin në rëndësinë që ka zhvillimi i zgjedhjeve të lira e te ndershme në 12 tetor. Rruga e Shqipërisë drejt Europës është e hapur tha ai por realizimi i integrimit është në dorën e shqiptarëve.

Pas takimeve ne Tirane me përfaqësuesit kryesor të shtetit dhe politikës shqiptare kryetari i parlamentit europian e mbylli vizitën e tij në Shqipëri me një fjalim të gjatë përpara deputetëve. Një fjalim i ndërtuar mbi optikën e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe BE, por duke nxjerrë në pah problemet me të cilat përballet sot vendi eduke shprehur qartë se integrimi nuk realizohet vetëm me dëshirën e mirë, por kërkon reforma të thella dhe institucione të forta e të qëndrueshme. Zoti Cox foli për një gjyqësor të pavarur dhe funksionues, për nevojën e sundimit të ligjit, funksionimit të një ekonomie tregu të hapur, zyra kontrolli të rrepta dhe të pavruara, institucione të zgjedhura në mnyrë demokratike por jo të kontrolluara nga politika dhe të manipuluara për qëllime politike:

"Juve do t’ju duhet shumë për të pastruar atë që fatkeqësisht njihet shpesh si imazh negativ. Jeni ngarkuar me imazhin e niveleve të larta të korrupsionit dhe krimit të organizuar e trafikimit që po i bëjnë shumë dëm imazhit tuaj. Arsyeja kryesore pse ju duhet t’i crrënjosni nuk është thjesht se e thotë Europa, por sepse nëse s’e bëni këtë do prekni interesin tuaj. Ju keni një rrugë të gjatë për t’i pastruar dhe ju duhet ta bëni në një mënyrë të dukshme dhe të prekshme. Nëse jeni të përgatitur për ta bërë këtë, dhe e kam fjalën nëse jeni seriozsht të përgatitur, në udhëtimin tuaj mbështetuni në përkrahjen tonë të plotë", deklaroi zoti Cox.

Gjatë takimeve që pati gjatë gjithë pasdites dhe mbrëmjes së djeshme, ka trajtuar edhe problemin e zgjedhjeve të 12 tetorit ku ka dëgjuar nga palët vlerësime të ndryshme për ecurinë e deritanishme të procesit. Sot në parlament zoti Cox theksoi rëndësinë që këto votime do të kenë për imazhin e vendit: "Eshtë e rëndësishmë që këto zgjedhje për nga mënyra e zhvillimit dhe përfundimit të jenë të lira dhe të ndershme. Së pari për hir të cilësisë së demokracisë, si dhe një provë për ecurinë tuaj drejt standarteve demokratike. Nga mënyra se si do të zhvillohen këto zgjedhje, si do të perceptohen nga komuniteti ndërkombëtar do të kontribuojnë në imazhin e përparimit tuaj", tha kryetari i Parlamentit Europian.

//rd//

XS
SM
MD
LG