Lidhje

Zgjedhjet Vendore në Shqipëri; Debat Elektoral: Gjirokastra - 2003-10-02


Në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor të 12 tetorit në Shqipëri, Zëri i Amerikës do të zhvillojë debate elektorale me kandidatët e disa prej qyteteve. Sot, të ftuar në debat ishin kandidatët për kryetar bashkie të Gjirokastres: Ylli Asllani i Partisë Demokratike dhe Flamur Bime, i Partisë Socialiste.

Zëri i Amerikës: Pyetja e pare do të jetë e përbashkët, për platformën elektorale të secilit. Zoti Asllani, me çfarë platforme vini ju në zgjedhjet e vitit 2003?

Y. Asllani: Platforma jonë bazohet pikërisht tek raporti i Komisionit Evropian, që thotë të heqim imazhin e keq, dhe unë do të shtoja, do të heqim edhe një jetë të varfër, një jetë të shtrënguar, e cila po i deytorn mijëra banorë të ikin nga qyteti. Për këtë kemi jo vetëm një njohje të situatës, por kemi edhe një alternativë të qartë me projekte dhe me burime financiare të garantuara. Ato synojnë, në radhë të parë, t’u kthejnë qytetarëve institucionet, të vendosin në to njerëzit më të mirë, pa dallim feje, ideje, porfesionalistë të vërtetë, të përkushtuar, reagues ndaj komunitetit, t’i kthjemë qytetarëve shërbimin publik në ujë, ndriçim, pastrim, urbanizim, t’i kthejmë Gjirokastërs vlerat më të mira të trashëgimisë. Një restaurim i plotë, i harmonizuar me një zhvillim urban, do të jetë një nga pikësynimet tona. Ne do t’i kushtojmë rëndësi të madhe zbutjes së varfërisë, zhvillimit të biznesit të vogël, forcimit të atij të madh, hapjes së vendeve të reja të punës, reagimit ndaj shtresave më të marxhinizuara dhe t’i kthejmë kurorës së Gjirokastrës lavdinë në sport, në kulturë. Ne do mbështesim një rini, e cila do të jetë një nga bazat më të motivuara, që do ta bëjë Gjirokastrën të lëvizë në drejtim të progresit, të zhvillimit, dhe do mbështesim gjithë ata intelektualë të nëpërkëmbur, të paangazhuar. Ne do të kthejmë të gjithë qytetarët në rolin e një aktori për të rregulluar jo vetëm jetën e tyre, por edhe të qytetit.

Zëri i Amerikës: Zoti Bime cila është platforma juaj elektorale?

F. Bime: Unë, duke qenë inxhinier ndërtimi, kam dëshirë ta prezantoj katër kollona: kollona e parë, është një Gjirokastër e urbanizuar, me një infrastrukturë moderne, në shërbim të qytetarëve. Këtu kam parasysh, ujin, dritat, kanalizimet e ujërave të zeza, të bardha, kurorën e gjelbërt, zonat e gjelbërta, pra do t’i rikthejmë jo vetëm zonat e gjelbërta të dikurshme Gjirokastrës, që tani, nga 2 metra katrore për frymë që ka patur në vitin 1990, ka vetëm 0,8, por njëkohësisht dë të krijojmë edhe ambjente të tjera të reja. Gjithashtu zona e gjelbërt që ka qenë mbi qytetin e Gjirokastrës, në Kërcullë dhe zona tjetër e gjelbërt, tek Teqe e Zallit, do t’i kthehen, dhe do të jenë kurora e gjelbërt, mushkëria e qytetit. Gjithashtu, kam dëshirë që të prezantoj kollonën e dytë, e cila është për një Gjirokastër të vlerave dhe të kulturës. Këtu ne kemi parasyh qytetin muze të Gjirokastrës. Ne, natyrisht me lobin e deputetëve, ambasadorëve, me lobet e tjera të personaliteteve të Gjirokastrës, do të bëjmë që të sensibilizohet gjithë opinioni mbarëkombëtar, opinioni i Shqipërisë dhe natyrisht, ndërkombëtar. Ne do të punojmë për projekjte dhe për plotësimin e detyrave të dosjes, (shënim: është fjala për) çështjen e UNESKO-s, ku Gjirokastra, siç duket, po hedh hapat e duhur. Gjithashtu, ne do të punojmë që në Gjirokastër të ketë kredi të buta. Në radhë të parë, ne duhet të bëjmë një ligj të posaçëm për Gjirokastrën, në aspektin e ruajtjes së vlerave muzeale, arkitektonike, që në Gjirokastër, pse jo edhe në Shqipëri, janë unikale. Njëkohësisht, një çështje kryesore e programit tonë, është se Gjirokastra, siç e dimë të gjithë, është një qytet me biznese shumë të fuqishme. Këto biznese ne, nga biznese financiare që janë, do t’i kthejmë në biznese investuese, duke i ndihmuar dhe njëkohësisht duke u krijuar mundësinë që ato të kthehen në kapitale financuese.

Zëri i Amerikës: Zoti Asllani, si mendoni ju t’i gjeni burimet financiare për realizimin e projekteve të ndryshme për zhvillimin e qytetit, që përmendët në platformën tuaj elektorale?

Y.Asllani: Ne i kemi të garantuara projektet për ujësjellësin. Kemi një projekt shumë të saktë edhe për rigjenerimin e pastrimit, për evakuimin e mbeturinave të ngurta dhe ky është një projekt, i cili ka një bazë financiare, dhe shumë projekte të tjera për disiplinimin e vlerave muzeale dhe trashëgimisë kulturore. Për këtë, ne gjejmë përkrahje dhe i njohim të gjitha programet, edhe evropiane edhe të USID-it, dhe ndërkufitare. Ne gjithahstu, nuk do të lejojmë që GjirokastrA, që paguan si qytet, (një ndër tre rrethet kryesore të Shqipërisë), paga, apo taksa më shumë nga të gjithë, të lejohet të vazhdojë që të jetë e fundit në listën e shpërblimit me investime. Ne do jemi zëri i mbrojtjes së këtyre intersave, që edhe bizneset këtu, me kontribute, ta ndjejnë dhe ta shijojnë frutin e investimeve që bëjnë nëpërmjet këtyre taksave, në shërbime më cilësore. Ka shumë projekte të tjera, donatorë të fuqishëm, të cilët kërkojnë besim, kërkojnë profesionalizëm, kërkojnë garanci, të cilat ne i kemi dhënë edhe më përpara dhe na janë përgjigjur në këta tre vjet, të cilat na kanë penguar që të operohet me këta donatorë. Ata janë larguar, ne do t’i rikthejmë përsëri, kemi dhënë prova që kemi punuar mirë me ta, kemi krijuar besim, kemi krijuar me stafin tonë profesionalizëm. Unë jam shumë i bindur, që nëpërmjet një pjesëmarrjeje të gjithë qytetarëve, duke dhënë shembullin të parët, si të angazhohen (shënim:qytetarët) në përmirësimin e jetës së tyre, infrastrukturës, të ambjenteve të tyre, si të angazhohen shumë shpejt organizmat e fuqishëm që përmenda pak më lart, që të bëhen ndihmës, dhe mbështetës të iniciatiavve lokale, vetë të banorëve dhe të vetë njerëzve të kualifikuar të tij.

Zëri i Amerikës Zoti Bime, si mendoni ju të tërhiqni investitorët e huaj dhe sipas vizionit tuaj në çfarë fushash konkrete mund të investohet në Gjirokastër?

F. Bime Natyrisht, kjo është edhe një pyetje që ka të bëjë me mbështetjen financiare që do t’i bëhet programit tonë. Në radhë të parë, ne në Gjirokastër do ta mbështesim programin tonë, veçanërisht projektet kufitare që pothuajse tani janë dukur dhe në një farë mënyrë, pritet të implementohen. Përveç projekteve ndërkufitare, siç është INTER TRE, janë donatorët, për të cilat ka edhe protokoll , pas marrëveshjeve qeveritare, për ndërtimin e qendrës së Gjirokastrës, sidomos qendrës së pazarit. Kjo është një marrëveshje, me një protokoll që ka të bëjë me tre milionë Euro, për qendrën e Gjirokastrës dhe të Shkodrës. Njëkohësisht, ne do t’i tërheqim (shënim:donatorët) në aspektin e zhvillimit, sidomos të turizmit në Gjirokastër, turizmit familjar, por edhe restaurimit të veprave monumentale të kategorisë së parë që ka Gjirokastra dhe që janë rreth 59. Në këtë aspekt, pra të gjithë donatorët e huaj, do të bëhen mbështetës të kësaj sipërmarrjeje dhe të këtij ndryshimi që do të bëhet në Gjirokastër. Njëkohësisht, në fondet për të mbështetur programet tona nuk janë vetëm donatorët e huaj, por janë edhe biznesi, që siç thashë edhe në pyetjen e parë, në Gjirokastër është një biznes i fuqishëm. Në Gjirokastër do të jetë edhe bashkpunimimi biznes-komunitet-bashki, që do ndërhyjë në infrastrukturën e qytetit të Gjirokastrës. Por njëkohësisht, një nga mbështetësit kryesorë, do të jetë edhe buxheti i shtetit, Kjo duket që sivjet, edhe në projektplanin e vitit 2004, që Gjirokastra është në qendrën e vëmendjes së qeverisë, për arsye, se ajo bart në vetvete ato vlera muzeale unikale, arkitektonike, kulturore për të cilat qeveria dhe gjithë komuniteti dhe gjithë qytetarët e Shqipërisë, janë bërë të ndjeshëm. Kështu, që unë mendoj se, fondet në këtë drejtim, nuk janë vetëm taksat, që tani, natyrisht, me centralizimin e pushtetit vendor, bashkia ka marrë kompetenca të mëdha dhe fonde, që edhe ne do t’i trajtojmë në mënyrën e duhur, duke mos i kthyer ato në dieta e paga, por duke i kthyer në investime e shërbime për komunitetin e qytetit të Gjirokastrës.

Zëri i Amerikës: Dhe së fundi, një pyetje e përbashkët: cili do të ishte mesazhi juaj për zgjedhësit? Zoti Asllani?

Y. Asllani: Unë do t’i thoja gjithë gjirokastritëve, kudo që janë, që në këto kohë ethesh e premtimesh elektorale, të mos lejojnë të bëhen më eksperimente në këtë qytet. Të besojnë tek ata që kanë dhënë prova, të besojnë tek dinjiteti, tek virtyti, tek profesionalizmi, të besojnë tek lidhjet e ngushta që ne kemi me qytetarët, të besojnë se ata kanë shumë energji, të cilat ne do t’i vemë në lëvizje. Atyre u duhet vetëm të mos jenë spketatorë, por të marrin pjesë në këtë angazhim të madh, në këtë sfidë të madhe që po fillojmë në këtë shekull dhe të çohemi të gjithë për ta bërë të dashur Gjirokastrën tonë dhe për ta bërë një vend për të jetuar, për të banuar, dhe krenare, ashtu siç ka qenë ngaherë.

Zëri i Amerikës: Zoti Bime, mesazhi juaj për elektoratin.

F. Bime: Gjirokastra e gjirokastritët, edhe kësaj here do të tregojnë si gjithmonë lartësinë e duhur, ata nuk do ta marrin të sëmurin për doktor, virusin për medikament. Gjirokastra kështu do të fitojë kohën e humbur, dhe ritmin e merituar.

XS
SM
MD
LG