Lidhje

Shqipëria përmirëson deficitin tregtar - 2003-10-04


Shqipëria ka zbutur me 15% deficitin e lartë tregtar këtë periudhë, duke shënuar një nga përmirësimet e rralla të statistikave në shkëmbimet tregëtare të viteve të fundit.

Sipas të dhënave të sapopublikuara nga Intituti i Statistikave INSTAT, eksportet e mallrave shqiptare janë rritur 11%, ndërsa importet janë ulur me 8%, duke sjellë një farë zbutjeje në deficitin e tregtisë së jashtme, që është 4 me 1 në favor të importit.

Shqipëria ka eksportuar më shumë produkte plastike, metale, tekstile këpucë dhe ka importuar më pak ushqime, pije alkoolike e duhane.

Të dhëna interesante paraqiten edhe lidhur me shkëmbimet tregtare me fqinjët. Partnerët kryesorë të Shqipërisë janë Italia dhe Greqia. Por importet e Shqipërisë me Italinë janë 2 herë më të larta se ato me Greqinë.

Ndërsa eksportet shqiptare me Italinë janë mbi 6 herë më të larta se ato me Greqinë. Grupi i prodhimit të mallrave “tekstile e këpucë” zë vendin kryesor në tregtinë e jashtme shqiptare, gjë që sipas specialistëve, tregon se ndërmarrjet me lëndën e parë të pororositur janë mbizotëruese në industrinë tonë prodhuese.

Treguesit e INSTAT-t shpalosin pamjen më të freskët të ekonomisë shqiptare në prag të hapjes së debateve për përgatitjen e projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm. Ministria e financve njoftoi se është e interesuar për zhvillimin e një debati të gjerë profesional prej të gjitha subjekteve në procesin e hartimit të projektbuxhetit.

Sektorët kryesorë ku do të përqendrohen investimet për këtë vit janë arsimi dhe shëndetësia, të cilat janë përfshirë në strategjinë për zbutjen e varfërisë dhe zhvillimin eknomik. Janë duke u përgatitur privatizimi i INSIG-ut dhe Bankës së Kursimeve, për të cilat kanë filluar me kohë përgatitjet dhe janë ftuar shumë investitorë të huaj për të marrë pjesë në tenderat ndërkombëtarë.

Rritja ekonomike për këtë vit pritet të jetë rreth 6% ndërsa inflacioni do të mbahet nën 4%. Kontrolli dhe qëndrueshmëria e treguesve makro-ekonomikë është një nga kërkesat kryesore të organizmave financiare ndërkombëtare drejtuar qeverisë shqiptare.//kk//

XS
SM
MD
LG