Lidhje

Izrael: 19 të vdekur nga një sulm vetëvrasës - 2003-10-04


Në një sulm vetëvrasës, një grua hodhi në erë veten në një restorant shumë të frekueantuar në Izraelin verior, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 19 vetëve dhe duke nxitur thirrje të reja për heqjen nga pushteti të udhëheqësit palestinez, Jaser Arafat.

Zyrtarët thonë se nga shpërthimi në restorantin Maxim në Haifa u plagosën të paktën 50 veta, shumë prej të cilëve rëndë. Policia thotë se autorja e sulmit qëlloi një roje para restorantit dhe sapo hyri brenda, aktivizoi një sasi eksplozivësh që e kishte lidhur pas trupit. Nga shpërthimi xhamat e dritareve u thyen dhe ndërtesa u shkatërrua.

Shëtitorja e Haifas normalisht është plot me njerëz të shtunën e hebrenjve. Të premten Israeli izoloi Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës në një përpjekje për të parandaluar shpërthimet vetëvrasëse para festës hebraike Yom Kippur që fillon nesër në perëndim të diellit.

Ministri izraelit i shëndetsisë, Dany Naveh, tha se ky sulm duhet të nxisë heqjen nga pushteti të zotit Arafat. Kryeministri izraelit Ariel Sharon kërkoi mbajtjen e një takimi emergjent të kabinetit për të përcaktuar përgjigjen e Izraelit.

Zoti Arafat dhe udhëheqja palestineze e dënuan me forcë sulmin, duke thënë se rrezikon së tepërmi interesat e palestinezëve. Kryeministri i emëruar palestinez Ahmed Qureia u bëri thirrje të gjitha fraksioneve palestienze që t’i ndalin menjëherë sulmet ndaj civilëve.

Presidenti Bush tha se e dënon pa rezervë këtë akt prej frikacakësh. Grupi ekstremist palestinez Xhihadi Islamik mori përgjegjësinë për sulmin e së shtunës.//kk//

XS
SM
MD
LG