Lidhje

Shqipëri: Presidenti i kërkon kryeministrit të zgjedhë Ministrin e Jashtëm - 2003-10-05


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, nxiti të dielën kryeministrin Fatos Nano që të zgjedhë sa më parë Ministrin e Jashtëm të kabinetit për vendin e mbetur bosh që nga dorëheqja e zotit Ilir Meta.

Sipas zyrës së shtypit të presidencës, zoti Moisiu, e shfaqi publiksht këtë qëndrim të vetin për t’iu përgjigjur shqetësimit publik dhe politik që ekziston lidhur me këtë çështje institucionale.

“Presidenti është në pritje që Kryeministri Nano të ndërmarrë hapat e nevojshëm proceduriale për zgjidhjen sa më parë të këtij problemi”, thuhet në deklaratë.

Parlamenti me shumicë të majtë rrëzoi në ditët e fundit të korrikut zotin Marko Bello si kandidaturë për postin e ministrit të jashtëm, propozuar nga kryeministri Nano, në vend të zv.kryeministrit e ministrit të dorëhequr Ilir Meta, ndonëse forumet socialiste kishin marrë vendime pozitive për këtë cështje.

Në të njëjtën seancë parlamentare ata votuan pro zonjës Ermelinda Meksi për postin zv.kryeministres dhe Ministres së Integrimit në plotësim të dorëheqjes së zotit Sokol Nako.

Kryeministri Nano deklaroi atëherë se detyrat e ministrit të jashtëm do t’i kryente përkohësisht zv.ministri Luan Hajdaraga, që ai e vlerësoi si një nga figurat e rëndësishme të PS-së.

Zoti Nano pohoi njëkohësisht se disa grupime brenda PS po godisnin atë rregullisht, duke dëmtuar fushatën e zgjedhjeve, për të fajësuar kryetarin e partisë, si shkaktar për një humbje të mundshme të zgjedhjeve.

Ai u bëri thirrje politikanëve socialistë të lënë përkohësisht debatet e brendshme dhe të angazhohen në fushatën e zgjedhjeve vendore, duke i shtyrë mosmarrëveshjet deri në Kongresin e partisë, që do të mbahet në 12 dhjetor.

Kongresi ku pritet të votohet edhe për të zgjedhur kryetarin e partisë do të jetë një nga arenat e debateve më të nxehta brenda radhëve të socialistëve, të cilët kanë zbrazur qysh tani një lumë akuzash kundër njëri-tjetrit për shpërdorim të pushtetit.

Ish-kryeministri Meta e akuzoi kryeministrin Nano me rastin e dorëheqjes së tij për ngadalësim të reformave, ndërtimin e një administrate nepotike dhe sjellje të ashpra ndaj shtypit vendas.

Por zoti Nano tha se zoti Meta dhe përkrahësit e tij po e kritikonin qeverinë e partisë së tyre me të njëjtat akuza që e sulmon edhe opozita. Ai ka lënë të kuptohet se ekzistojnë lidhje të fsheta midis kundërshtarëve të tij brenda PS me drejtues të PD-së.

Analistët kanë vërejtur se zotërinjtë Nano e Meta shkëmbejnë të njëjtat akuza mes tyre qysh prej dy vjetësh kur ndërruan vendet në postin e kryeministrit.

Përplasjet mes tyre vlerësohen të jenë rezultat i një rivaliteti të heshtur për postin e kryeministrit dhe kryetarit të partisë.

Presidenti Moisiu duke e rihapur këtë temë po përpiqet të japë një shtytje drejt zgjidhjes krizës që shpërtheu në institucionet e diplomacisë me dorëheqjen e zv.kryeministrit dhe ministrit të jashtëm Meta për shkak të mospajtimeve të thella të tij me zotin Nano.

Por në këtë mënyrë ai ka lënduar edhe një herë tjetër një nga plagët më shqetësuese të jetës së brendshme të PS të viteve të fundit. //kk//

XS
SM
MD
LG