Lidhje

Izraeli deklaron se ka goditur një bazë palestineze në Siri - 2003-10-05


Avionët luftarakë izraelitë goditën thellë në territorin e Sirisë, duke vënë në shënjestër atë për të cilin zyrtarët izraelitë thonë se ishte një kamp i përdorur për të stërvitur ekstremistë islamikë.

Goditjet ajrore u bënë fare pranë Damaskut disa orë pasi një grua palestineze kreu një sulm vdekjeprurës që shkaktoi vdekjen e 19 vetave.

Goditjet ajrore që u bënë natën besohet të jenë sulmi i parë izraelit i këtij lloji në Siri në më shumë se dy dekada.

Siria thotë se goditjet ajrore u bënë në një zonë civile dhe shtoi se do të depozitojë një protestë urgjente në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për goditjen ajrore.

Zëdhënësi izraelit Ra’anan Gissin tha se Xhihadi Islamik dhe organizata të tjera ekstremiste myslimane që godasin izraelitët gëzojnë mbështetjen e vendeve si Siria dhe Irani.

Ai tha se shteti hebraik ka vendosur që të zgjerojë operacionte kundër grupeve të tilla dhe se ekstremistët tani nuk kanë strehë të sigurt.

Një zëdhënës i Xhihadit Islamik mohoi që ky grup të kishte kampe stërvitore ose luftëtarë në Siri.

Xhihadi Islamik kishte marrë më herët përgjegjësinë për shpërthimin e djeshëm vetëvrasës në qytetin Haifa të Izraelit.//kk//

XS
SM
MD
LG