Lidhje

Këshilli i Sigurimit ka të ngjarë të mos miratojë projektrezolutën siriane - 2003-10-06


Rusia dhe Gjermania iu bashkuan Shteteve të Bashkuara duke kundërshtuar një projektrezolute të Sirisë që dënon Izraelin për sulmin ajror kundër një objektivi në Siri.

Zëvendës-ministri i jashtëm rus, Juri Fedotov, tha se projektrezoluta e propozuar nga Siria nuk është e balancuar për shkak se ajo akuzon Izraelin për agresion ushtarak pa dënuar sulmet terroriste që e nxitën atë sulm. Edhe kancelari gjerman, Gerhard Shrëder, tha se vendi i tij nuk mund ta mbështesë projektrezolutën në formën e tanishme pasi ajo nuk është e balancuar.

Dje, në një takim të ngutshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ambasadori amerikan, John Negorponte, tha se Washingtoni nuk do ta mbështesë projektrezolutën e propozuar nga Siria pasi në të nuk përmendet shpërthimi vetëvrasës i ditës së shtunë që shkaktoi vdekjen e 19 vetave në Izrael dhe nxiti sulmin e djeshëm izraelit. Siria i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të zhvillonte menjëherë votimin për projektrezolutën e propozuar. Por mbledhja u shty me qëllim që vendeve anëtare tu jepet më shumë kohë për të shqyrtuar dokumentin.

Presidenti Bush shprehu përsëri sot qendrimin amerikan se Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet. Por, ai theksoi se të dyja palët duhet të shmangin veprime që rrisin tensionin në rajon. Sulmi ajror kundër atij që Izraeli e cilëson si kamp stërvitor ekstremistësh palestinezë në afërsi të Damaskut, është dënuar nga bota arabe dhe vende të tjera. Në një deklaratë të Lidhjes Arabe prej 22 vendesh anëtare thuhet se sulmi mund ta zhytë rajonin në një cikël dhune, duke kërcënuar paqen e sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, tha se Izraeli ka të drejtë të vetëmbohet, por sulmin ajror izraelit e cilësoi si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Izraeli u kritikua edhe nga Britania e Kina. Ndrëkohë zyrtarë libanezë thonë se trupat izraelite hapën sot zjarr përtej kufirit, por nuk pati njoftime për viktima.

//rd//

XS
SM
MD
LG