Lidhje

Zgjedhjet Vendore në Shqipëri; Debat Elektoral: Durrësi - 2003-10-07


Turizmi, biznesi i vogël dhe i mesëm janë çelësi i zhvillimit të qytetit të Durrësit dhe i zbutjes së papunësisë. Një prej problemeve serioze në këtë qytet me portin më të madh të Shqipërisë, mbetet korrupsioni dhe tregëtia e paligjshme. Por si mendojnë kandidatët për Bashkinë e Durrësit t’i zgjidhin këto pobleme? Në kuadër të debateve elektorale mbi zgjedhjet vendore në Shqipëri, Zëri i Amerikës ftoi për një bisedë tre kandidatë të qytetit të Durrësit: zotin Lefter Koka të Partisë Socialiste, zotin Avni Hoxha të Partisë Demokratike dhe zotin Ferdinant Xhaferri të Partisë Demokratike të Rinovuar.

Fillimisht kandidatët paraqitën pikat kryesore të programit të tyre elektoral.

Ferdinand Xhaferri (PDr): Gjithçka është shprehur në slloganin tim elektoral i cili thotë: “Për një Durrës të ligjit dhe zhvillimit”. Kjo do të thotë se në qendër të programit tim elektoral qëndron zbatimi i ligjit nga i cili, jo vetëm Durrësi, por e gjithë Shqipëri vuan shumë, si dhe zhvillimi ekonomik. Pa një qytet të zhvilluar ekonomikisht, është e kotë të flitet për projekte për rregullimin e rrugëve, kanalizimin, ujin e pijshëm, pastrimin, gjelbërimin etj. Zhvillimin ekonomik unë e bazoj në tre pista kryesore, duke patur parasysh pozicionin gjeografik të Durrësit: në zhvillimin e turizmit, sepse Durrësi është qytet turistik, në zhvillimin e mëtejshëm të transporteve dhe në zhvillimin e tregtisë dhe biznesit. Unë jam plotësisht i bindur që në qoftë se ne turizmin, tregtinë, biznesin dhe transportet i zhvillojmë në mënyrë të atillë që ato mos të pengojnë njëra tjetrën, por të ndihmojnë njëra tjetrën, do t’i japin qytetit një dimension ekonomik nga i cili do të përftojnë të gjithë.

Avni Hoxha (PD): Prioritet kryesore të programit tim përfshijnë tre fusha kryesore. Së pari mendoj se Durrësi ka nevojë urgjente për një infrastrukturë dhe urbanizim në funksion të tregut, të turizmit në këtë qytet, ku përfshihen edhe uji dhe dritat. Durrësi është plazhi i kryeqytetit dhe tregu më i madh i turizmit në vend, por që këtë vit arriti shifra më të ulëta të të ardhurave për shkak të infrastrukturës dhe mungesës së përgjegjësisë, ku bashkia natyrisht ka pjesën e vet. Difekti kryesor i turizmit, është defekti që i ka shkaktuar atij mbingarkesa e ndërtimeve pa kriter në qytet dhe dalja jashtë funksionit e plazhit. Ne do ta përmirësojmë atë duke e çliruar plazhin nga mbingarkesa e ndërtimeve dhe duke rritur aftësitë në fushën e shërbimit. Problemi i dytë është rregullimi i marrëdhënive të bashkisë, qytetarëve dhe të biznesit. Bashkia duhet të zhdukë klientizmin dhe të ofrojë shanse të barabarta për biznesin dhe qytetarët. Deri më sot jemi ndeshur me një bashki që ka funksionuar si zyrë projektesh për biznese të veçanta, të sponsorizuara politikisht. Prioriteti tjetër që lidhet me dy të parat është zhdukja e varfërisë. Durrësi është qytet që i ka dyfishuar rrethinat nga një komunitet i paorganizaur dhe i paintegruar në tregun e qytetit. Ky komunitet është fuqia kryesore e punës në qytet dhe njëkohësisht vatra më e madhe e varfërisë dhe papunësisë. Politikat tona të zhvillimit, që bazohen në liberalizimin e ekonomisë, rritjen e shanseve për biznesin e vogël dhe të mesëm, shtimin e vendeve të punës nga politikat liberale me taksat dhe zhdukja e monopoleve, është mekanizmi kryesor që do të çlirojë këto zona nga vafëria dhe do t’i integrojë ato si pjesë normale të qytetit.

Lefter Koka (PS): Unë do të kërkoja të veçoja shkurtimisht disa nga pikat e programit tim, nga ku do të theksoja integrimin midis prioriteteve që ofron realiteti i qytetit tonë. Pra turizmi natyror i kombinuar me vlerat historike dhe arkeologjike të tij. Porti i Durrësit është pjesë e rëndësishme e qytetit, pra tashmë siç dihet atje është një investim i inicuar nga Banka Botërore, i cili do të gjejë mbështetje nga bashkia e qytetit. Po ashtu do të jetë porti i peshkimit edhe ky i inicuar po nga Banka Botërore, krjimi i të cilit zë një vend shumë të rëndësishëm në qytetin tonë. Do të veçoja marrëdhëniet me biznesin e vogël dhe të mesëm, krijimin dhe nxitjen e iniciativave të biznesit, Krijimin e kushteve sa më të favorshme investitorëve vendas dhe të huaj për të ulur sa më shumë papunësinë. Të gjitha këto kanë nevojë për furnizim me ujë dhe energji. Unë do të thoja se investimet e KESH-it në rrethin e Durrësit për vitin e ardhshëm janë me të vërtetë ambicioze dhe furnizimi me ujë, me një mirëadministrim, do të mendoja se është totalisht i realizueshëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Koka, platforma juaj parashikon ndryshime rrënjësore në planet urbanistike, në infrasktrukturën rrugore dhe të ujësjellësit, në reformimin e sistemit të taksave, në fushën e turizmit, etj. Si mendoni t’i ktheni të gjitha këto premtime në vepra?

Lefter Koka (PS): Premtimet në vepra janë totalisht të realizueshme, për mendimin tim, në se bëhet mirëadministrimi i taksave dhe tarifave vendore, pra çdo gjë do të fillojë me miradministrimin e këtyre taksave ku siç dihet qyteti ynë ka burime për të pasur të ardhura, sepse siç e thashë është turizmi ai që bën një qytet, është deti, plazhi pra ai që të jep këto mundësi. Dhe do të thoja zhvillimi i zyrës së urbanistikës, paraqitja e projekteve sa më dinjitoze dhe me efikasitet, do të thoja se do të bënin edhe thithje e fondeve nga donatorët e huaj për zhvilluar edhe zonat që tashmë dihen në zonën e Durrësit, mundë t’i quajmë zona rurale, janë zona të të ardhurve të rinj. Këtu një rëndësi të veçantë zë edhe vendimet të inicuara nga qeveria shqiptare për legalizmin e këtyre zonave.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoxha, sipas shumë ekspertëve, turizmi dhe biznesi i vogël e i mesëm janë çelesi i zhvillimit të Durrësit dhe të zbutjes së papunësisë. Çfarë alternativash konkrete propozoni ju për zgjidhjen e ketyre problemeve?

Avni Hoxha: Sikur e thashë edhe në programet e mia, problem kryesor mbetet edhe turizmi, meqë Durrësi është edhe qyteti turistik më i madh i vendit dhe i kryeqytetit. Natyrisht pra aty do të përqendrohet vëmendja. Për të bërë të mundur këtë, natyrisht duhet të ndërhyjmë në infrastrukturën e plazhit të Durrësit, e cila është mbi kapacitete. Do të ndërhyjmë në plazhin e Currilave, e cila është një zonë ende e virgjër. Nëpërmjet zhvillimeve urbanistike dhe një projektimi të saktë, ajo mund të bëhet e gjitha një zona rezidenciale. Kjo infrastrukturë mund të përballohet plotësisht nga sistemi taksativ nga autoritetet lokale, me ndihmën e taksave që mbledh dhe ato të drejta që ka për të marrë nga buxheti i shtetit në koformitet me pjesën që i takon nga fondet e buxhetit të shtetit sipas kontributeve që ne kemi bërë në të. Së dyti, infrastruktuën ne e ndajmë në dy faza. Në fazën emergjente dhe të rikonstruksionit dhe në fazën e dytë e cila është infrastruktura e re, e cila do t’i shkojë projekteve dhe programeve të zhvillimit të qytetit dhe detyrimisht siç janë zonat ku popullisa është shtuar po dyfishuar, e cila duhet të përmirësohen. Të gjitha këto pretendime që nuk janë shumë, por modeste, janë të përballueshme nga buxheti i bashkisës së Durrësit dhe nga taksat që mblidhen.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhaferri, ju të tre përmendni pak a shumë të njejtat probleme për Durrësin. Si ndryshojnë propozimet tuaja për zgjidhjen e tyre nga ato të dy kandidatëve të tjerë?

Ferdinant Xhaferri: Unë do të thoja në rradhë të parë se shtylla apo elementi i parë që kam futur në programin tim, është zbatimi i ligjit. Pra kjo është në qendër të programit tim dhe njëkohësisht unë jam prekur tek tre shtyllat kryesore që janë turizmi, transporti dhe tregtia. Natyrisht që ndryshimi im me dy kolegët e tjerë qëndron në mbledhjen e taksave të bashkisë. Mendoj se taksat e bashkisë do të jenë më të ulëta, referuar koncepteve të qendrës së djathtë, por që do të paguhen nga të gjithë, si një detyrim jo vetëm për të patur mundësi për t’u futur më shumë në projektet e infrastrukturës, por edhe si një detyrim për të krijuar besueshmërinë e nevojshme për dhuruesit e huaj. Dihet që shumë projekte në infrastrukturë financohen nga Banka Botërore nga USAID dhe instuticione të tjera financiare. Pra, një bashki që kërkon të ulë nivelin e taksave në minimum nivelit ligjor, por që detyrimisht të paguhen nga të gjithë, tregon që di t’i bëjë shumë mirë detyrat e saj të shtëpisë për të krijuar kredibilitetin e nevojshëm për financimet.

Zëri i Amerikës: Zoti Koka, Durrësi është një nga qytetet më problematike të vendit tuaj. Thuhet se krimi i organizuar dhe veprimtaritë e paligjshme kanë marrë përmasa të mëdha. Ju personalisht keni qenë objekt akuzash për lidhje të mundshme me krimin e organizuar -- akuza këto që ju i keni përgenjështruar. Megjithatë, a mund t’i garantoni votuesit se në qoftë se ju fitoni, administrata juaj do të jetë transparente, nuk do të krijojë monopole dhe nuk do të bllokojë konkurrencën e ndershme?

Lefter Koka: Një nga pikat e programit tim që kam paraqitur në ditën e parë të hapjes së fushatës elektorale, ka qenë hapja e një zyre antikorrupsion në bashkinë e qyetit tim. Kjo është një gangrenë e akuzuesve, të cilët janë të korruptuar dhe pikërisht kjo më motivon dhe më bën më të bindur për të bërë qytetin tim.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoxha, gjatë fushatës elektorale ju shpesh keni pohuar se populli i Durrësit ka humbur shpresën dhe besimin. Si do t’u rikthenit ju banorëve shpresën dhe besimin?

Avni Hoxha:- Këtë e kam thënë para atyre njerëzve që kanë kaluar një periudhë mjaft të vështirë ekonomike dhe kjo natyrisht më bëri që të pranoj propozimin e Partisë Demokratike për të kandiduar. Unë jam biznesmen, por unë mendoj se ndryshimi midis një biznesmeni në krah opozitës e cila kërkon ndryshime dhe një biznesmeni që përpiqet të përdorë qeverinë për të ruajtur pushtetin, është i madh. Monopolet e kanë kthyer ekonominë e tregut në ekonomi socialiste të centralizuar. Nuk jemi në kapitalizëm, por në një shoqëri të shfrytëzuar nga kapitalistë të emruar për politikë. Një biznesmen i rreshtuar në krah të qevrisë, është një biznesmen që synon të ruhet kjo gjendje e keqe, që synon të shpallë si pozitiv faktin se ekonomia jonë e centralizuar përdoret si mekanizëm kurimi prej politikës në pushtet. Ata janë biznesmen që duan të ruajnë monopolet dhe lidhjen me tregun e shtetit.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhaferri, ju flisni për një qeverisje të denjë. Çfarë nënkuptoni me këtë koncept?

Ferdinant Xhaferri: Me këtë koncept unë kuptoj parimin më të domosdoshëm të demokracisë që padron është qytetari. Sot ne shikojmë që qytetarët nuk e shikojnë bashkinë si shtëpinë e tyre. Qytetarët paraqiten si gjynafqarë në dyertë e bashkisë nëse kanë një problem për të zgjidhur dhe nëpunësi i bashkisë sillet si padron. Përderisa ne do të kemi këto marrëdhënie të bashkisë me qytetarët dhe e gjithë administrata e bashkisë me në krye kryetarin, nuk arrin ta konceptojë se ky institucion është ngritur nga qytetarët dhe për t’i shërbyer qytetarëve, asnjëherë ne nuk do të jemi në gjendje të kthejmë besimin, të kthejmë shpresën se kjo bashki është në gjendje të realizojë detyrimet e saj dhe mund të plotësoj ato detyrime që ka karshi qytetarëve.

Zëri i Amerikës:- Dhe tani në fund do të keni nga 30 sekonda për mesazhin tuaj për elektoratin.

Lefter Koka: Qytetarë të Durrësit në prag të ditës së zgjedhjeve besoj se do të dëshmoni atë kulturë dhe emër të madh që mban qyteti ynë. Aty ku kemi parë në rrjedhën e kohës të mishërohet dëshira e punës dhe bujaria e shpirtit. Çdo zgjedhje e juaj besoj se do të jetë më e mira, për vetë ju, për qytetin dhe aspiratën tonë Evropiane.

Avni Hoxha: I ftoj bashkëqytetarët e mi t’i japin shans një kandidati në politikë për të ndryshuar gjendjen në emër të suksesit dhe jo të atyre që duan ta pëdorin lidhjen me politikën. Unë i ftoj që të votojnë ndryshim të sigurtë, të sigurtë që vota e tyre nuk do të preket por as nuk do të blihet. Durrësi është shtëpia jonë 3 mijë vjeçare.

Ferdinant Xhaferri: Unë i ftoj qytetarët e ndershëm durrsakë të djathtë dhe të majtë që të punojnë së bashku për ta bërë qytetin tonë një vend më të mirë për të punuar dhe jetuar. Ne nuk kemi më kohë për të humbur. Besoj se 13 vjet kanë mjaftuar, me të gjitha problemet që kanë ekspozuar, për të mësuar se duhet të vëndosim të ardhëmen tonë, të fëmijëve tanë dhe të qytetit, mbi pasionet partiake. Unë besoj shumë tek mençuria e qytetarëve durrsakë.

XS
SM
MD
LG