Lidhje

Presidenti Bush thotë se Izraeli gëzon të drejtën të vetë-mbrohet kundër sulmeve terroriste - 2003-10-07


Presidenti Bush tha se Izraeli gëzon të drejtën të vetëmbrohet kundër sulmeve terroriste, por ai paralajmëroi që të mos ndërmeren veprime që do të shkallëzonin edhe më shumë tensionet në rajon.

Duke folur dje me gazetarët, presidenti Bush nuk e kritikoi Izraelin për sulmin ajror në thellësi të territorit të Sirisë kundër atij që autoritetet izraelite e cilësuan si një kamp për stërvitjen e terroristëve.

Sulmi izraelit kundër një objektivi në afërsi të Damaskut të dielën u krye vetëm disa orë pasi një grua hodhi veten në erë në një restorant në Haifa të Izraelit, duke shkaktuar vdekjen e 19 vetave.

Pas sulmit ajror, Siria i kërkoi Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të miratojë një rezolutë për të dënuar sulmin izraelit.

Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Gjermania u bashkuan me Shteteve të Bashkuara në kundërshtimin e projektrezolutës, duke thënë se dokumenti i propozuar nga Siria nuk është i balancuar për shkak se ajo akuzon Izraelin për agresion ushtarak pa dënuar sulmet terroriste që nxitën sulmin. Nuk është e qartë se kur do të votohet për rezolutën.

Ndërkohë që debati në OKB vazhdoi, ushtria izraelite njoftoi se një ushtar izraelit u vra dje nga zjarri matanë kufirit të Izraelit me Libanin.

Një zyrtar i ushtrisë izraelite fajësoi për sulmin grupin ekstremist libanez, Hezbollah. Po dje, zyrtarë libanezë thanë se trupat izraelite kishin hapur zjarr matanë kufirit.

Ndërkaq, kryeministri i ri palestinez, Ahmed Kureia, tha se nuk do të përdorë forcën kundër ekstremistëve palestinezë. Zoti Kureia i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se nuk do të nxisë një luftë civile, duke konfrontuar ekstremistët.

Ai i bëri këto komente pasi presidenti palestinez, Jaser Arafat, e emëroi atë të dielën në postin e kryeministrit. Zoti Arafat shpalli gjithashtu gjendjen e jashtëzakonshme në zonat palestineze si dhe emëroi një kabinet emergjent prej 8 anëtarësh.

//ze//

XS
SM
MD
LG