Lidhje

Shtëpia e Bardhë: zyrtari që ka identifikuar për shtypin një oficere të CIA-s do të pushohet nga puna - 2003-10-07


Presidenti Bush thotë se kushdo që i ka dhënë një gazetari emrin e një oficereje të CIA-s, bashkëshorti i së cilës ka kritikuar politikën e administratës ndaj Irakut, do të mbajë përgjegjësi.

Reth 2 mijë punonjës të Shtëpisë së Bardhë përballen sot me afatin e fundit për të dorëzuar të gjithë informacionit që mund të kenë në lidhje me publikimin e emrit të oficeres, akt i cili është bërë objekt i një hetimi të Departamentit të Drejtësisë.

Presidenti Bush është ndërmjet atyre që do të donte të dinte se kush e zbuloi emrin e oficeres së CIA-s për gazetarin Robert Novak, akt i cili mund të jetë krim, po qe se vërtetohet se ka cënuar ndonjë hallkë të sigurimit kombëtar.

”Kjo është një akuzë serioze, pasi është fjala për një vepër penale. Le të shpresojmë se do të kontribuojmë në dërgimin e një sinjali të qartë dhe presim që të ndalen edhe zbulime të tjera informacionesh sekrete në të ardhmen”.

Identiteti i oficeres së CIA-s u zbulua në një artikull të shkruar nga zoti Novak në muajin korrik. Bashkëshorti i saj është ish-ambasadori Joe Wilson, i cili thotë se identiteti i së shoqes u zbulua me qëllim për ta ndëshkuar për kritikat e tij ndaj të dhënave të zbulimit të shfrytëzuara nga administrata e Presidentit Bush para luftës në Irak. Ish-ambasadori Wilson u dërgua në Niger para luftës së Irakut për të shqyrtuar pretendimet se Bagdadi po përpiqej të siguronte uranium nga ky vend afrikan, por zbuloi se këto pretendime nuk ishin të besueshme.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë thotë se kushdo në administratën e Presidentit Bush që zbulohet se ka nxjerrë identitetin e punonjëses së CIA-s, do të pushohet nga puna.

//ze//

XS
SM
MD
LG