Lidhje

Presidenti sirian Asad: Izraeli përpiqet të zgjerojë konfliktin - 2003-10-07


Presidenti sirian, Bashar al-Asad, akuzoi Izraelin se po përpiqet të zgjerojë konfliktin në Lindjen e Mesme, ndërkohë që kryeministri izraelit thotë se vendi i tij nuk do të ngurrojë të sulmojë armiqt e tij kudo dhe kurdo që të jetë e nevojshme.

Të dy udhëheqësit bënë sot komentet e tyre të para publike që nga sulmi ajror izraelit i ditës së diel në afërsi të Damaskut. Izraeli këmbëngul se goditi një kamp stërvitor për ekstremistë të Xhihadit Islamik, kurse Siria thotë se ai ishte një objekt civil. Në një intervistë të botuar nga gazeta arabe al-Hajat, zoti Asad tha se sulmi ishte një përpjekje e qeverisë izraelite për ta zhytur Sirinë dhe pjesën tjetër të rajonit në luftë. Më pas, kryeministri izraelit, Ariel Sharon, tha se shteti hebraik do t’i mbrojë qytetarët e tij, por në të njëjtën kohë ai nuk do të lërë pa shfrytëzuar asnjë rast për arritjen e paqes me vendet fqinje. Zoti Sharon i bëri këto komente në një ceremoni ushtarake në Jeruzalem me rastin e 30 vjetorit të luftës së vitit 1973 me Sirinë dhe Egjiptin.

Ndërkohë që kriza shkallëzohet, presidenti palestinez, Yasser Arafat kryesoi ceremoninë e betimit të një kabineti të emergjencës të drejtuar nga kryeministri Ahmet Qureia. Kryeministri i ri u tha agjencive të lajmeve se do të përpiqet për arritjen e një armëpushimi me Izraelin, por nuk do të marrë masa kundër grupeve ekstremiste palestineze, siç kërkon Izraeli, nga frika se një hap i tillë mund të çojnë në shpërthimin e luftës civile.

Në Washington, zëdhënësi i Presidentit Bush tha sot se palestinezët duhet ta intensifikojnë fushatën kundër terrorit si mënyrë për të realizuar idenë e dy shteteve të pavarura në paqe përkrah njëri tjetrit. Zëdhënësi Scott McClellan tha gjithashtu se megjithëse Izraeli gëzon të drejtën të vetëmbrohet, ai duhet të marrë parasysh pasojat e çdo veprimi që ndërmerr.

//rd//

XS
SM
MD
LG