Lidhje

Shqipëria dhe personat me aftësi të kufizuara - 2003-10-07


Jerome Mindes, këshilltar pranë Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore - IFES, ka qenë kohët e fundit në Shqipëri dhe thotë se njerëzit me aftësi të kufizuar atje janë shumë të interesuar të marrin pjesë në votime por u mungojnë disa kushte praktike.

Zëri i Amerikës: Zoti Mindes, në Shqipëri, personat me aftësi të kufizuara rrallë i shikojmë në rrugë. Përse ndodh kjo.

J. Mindes: Në shumë vende, njerëzit me aftësi të kufizuara janë me tërë kuptimin e fjalës të padukshëm. Ata nuk kanë punë, nuk shkojnë në shkolla, sistemi i transportit nuk është përshtatur për ta, po ashtu rrugët dhe trotuaret. Shumë njerëzit me aftësi të kufizuara janë të detyruar të qendrojnë në shtëpi.

Zëri i Amerikës: Zoti Mindes ju keni qenë në Shqipëri kohët e fundit. Si është gjendja e këtyre personave sipas mendimit tuaj?

J. Mindes: Shqipëria nuk është një vend i pasur dhe njerëzit me aftësi të kufizuara janë në shkallën më të ulët të spektrit ekonomik. Ata kanë pak shanse për të punuar dhe për shkollë siç e përmenda. Ka edhë gjëra të tjera që ne as që i mendojmë, për shembull gjuha e shenjave për ata që nuk dëgjojnë, diçka që në Shqipëri mungon. Pra është shumë e vështirë që këta njerëz të marrin pjesë në jetën publike.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ka diskriminim ndaj këtyre personave, jo vetëm nga zyrtarët por edhe në opinionin publik?

J. Mindes: Nuk jam i sigurt nëse ka një diskriminim aktiv por natyrisht që ka diskriminim pasiv. Nëse je njeri me aftësi të kufizuara, nuk përfillesh dhe nuk shihesh si i barabartë në shoqëri.

Zëri i Amerikës: Meqenëse jemi në prag të zgjedhjeve në Shqipëri, ç’mendoni për njerëzit me aftësi të kufizuara, janë ata të interesuar për të votuar.

J. Mindes: Patjetër që po. Ne në Fondacionin Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore po punojmë me Fondacionin Shqiptar për të drejtat e njerëzve me aftësi të kufizuara, në mënyrë që ata të luajnë një rol aktiv në zgjedhje, jo në kuptimin politik por si vëzhgues. Ata do të vëzhgojnë jo vetëm se ç’farë bëjnë dhe thonë kandidatët për problemet e njerëzve me aftësi të kufizuara por do të vëzhgojnë edhe vetë procesin e votimit në ditën e zgjedhjeve dhe do të studiojnë në këtë mënyrë se çfarë vështirësish kanë si votues njerëzit me aftësi të kufizuara.

Zëri i Amerikës: Dhe për mendimin tuaj ç’farë vështirësish kanë ata?

J. Mindes: Njerëzit me aftësi të kufizuara fizike kanë vështirësi të jashtëzakonshme thjesht për të shkuar në qendrën e votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kryetari i tij zoti Celibashi kanë ndëamrrë një hap të rëndësishëm duke nxjerrë një udhëzues që inkurajon administratat lokale të zgjedhin ato qendra votimi që janë në katin e parë të ndërtesave. Ky është një hap i mirë, por ende ka qendra votimi që janë në katet e dyta gjë që do t’i frenojë shumë njerëz me aftësi të kufizuara për të votuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Mindes, masa të tilla që ju përmendët si përshtatshmëria e qendrave të votimit ose futja e alfabetit për të verbërit ndoshta kushtojnë shumë për qeverinë shqiptare. Cili është mendimi juaj?

J. Mindes: Nuk është e thënë që të kushtojnë shumë. Në Ganë të Afrikës për shembull, ne kemi punuar me administratat lokale dhe me organizatat për njerëzit me aftësi të kufizuara për të krijuar sisteme të thjeshta votimi që lejojnë edhe njerëz të tillë të votojnë. E gjithë kjo ka kushtuar shumë pak, ndoshta disa cent për qendër votimi. Përjashtimi i njerëzve me aftësi të kufizuara nga zgjedhjet është një çështje mentaliteti dhe jo çështje financiare.

XS
SM
MD
LG