Lidhje

SHBA pret që Kroacia të arrestojë të akuzuarin për krime lufte, gjeneralin Ante Gotovina - 2003-10-08


Një zyrtar i lartë amerikan tha se Washingtoni pret që Kroacia të bëjë përpjekje të shumta për të arrestuar të dyshuarin e arratisur për krime lufte, gjeneralin Ante Gotovina.

Zyrtari më i lartë i administratës amerikane për krimet e luftës, Pierre-Richard Prosper, zhvilloi dje bisedime në Zagreb me ministrin kroat të drejtësisë, Ingrid Antiçeviç-Marinoviç.

Agjencia zyrtare e lajmeve Hina të Kroacisë bëri të ditur se ambasadori Prosper tha se angazhimet e zyrtarëve kroatë nuk janë të mjaftueshme dhe se administrata e presidentit Bush kërkon marrjen e masave.

Ambasadori Prosper tha se dështimi për kapjen e gjeneralit të kërkuar mund të rrezikojë përpjekjet e Kroacisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Zyrtari i lartë amerikan për krimet e luftës tha se Shtetet e Bashkuara janë gati të ndihmojnë në çdo kërkesë të komunitetit ndërkombëtar lidhur me çështjen e kapjes së gjeneralit kroat.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës me seli në Hagë ka ngritur akuza kundër gjeneralit Gotovina për vrasjen e të paktën 150 sërbëve etnike gjatë luftës në Kroaci në fillim të viteve 1990-të.

Zyrtarët e Gjykatës së Hagës thonë se gjenerali ndodhet në Kroaci, ndërkohë që qeveria në Zagreb e mohon një gjë të tillë.

//ze//

XS
SM
MD
LG