Lidhje

SHBA aderuan përsëri në UNESKO - 2003-10-08


Shtetet e Bashkuara të Amerikës aderuan përsëri në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, Unescon. Zonja e Parë, Laura Bush, shkoi në selinë e Unesco-s në Paris dhe tha se amerikanët presim me padurim të punojnë me Unesco-n. Siç u shpreh zonja Bush, ”Shtetet e Bashkuara kanë shumë për të ofruar, por edhe shumë për të mësuar. Duke patur parasysh shumë sfida në botën e sotme, puna jonë është më urgjente se kurrë më parë në historinë e Unesco-s”, tha zonja Bush.

Unesco-ja u themelua në vitin 1946 për të nxitur paqen dhe sigurinë përmes nismave arsimore, shkencore e kulturore. Shtetet e Bashkuara ishin një prej vendeve themeluese. Por Amerika u tërhoq nga Unesco në vitin 1984 për shkak të problemeve të administrimit të Unesco-s dhe të politizimit të programeve të saj, veçanërisht përsa u përket lirisë së shtypit. Pas tërheqjes, Shtetet e Bashkuara mbajtën misionin e vëzhguesit pranë organizatës dhe vazhduan të merrnin pjesë në disa programe. Më në fund, Unesco bëri përpjekje të bashkërenduara për zbatimin e reformave financiare e administrative dhe për t’u rikthyer në parimet e saj themeluese, përfshirë theksin tek liria ndërkombëtare e shtypit.

Sot një nga sfidat më të rëndësishme të Unesco-s është ndihma në mbarë botën në drejtim të aftësive për të lexuar. ”Analfabetizmi, në veçanti, ndrydh aspiratat e grave”, tha zonja Bush. ”Dy të tretat e afër 900 milionë të rriturve analfabetë në botë janë gra”.

Unesco ka gjithashtu një rol kryesor në përhapjen e arsimit bazuar tek e vërteta dhe toleranca. ”Sa më shumë që fëmijët të mësojnë për vendet, besimet dhe kulturat e tjera, tha zonja Bush, aq më shumë ka mundësi që ata të respektojnë të tjerët. Arsimimi mund t’i ndihmojë fëmijët të shohin përtej një bote plot urrejtje dhe pa shpresë. Unesco po bën punë të mrekullueshme në këtë fushë”, tha zonja Bush.

Zonja e Parë i kërkoi gjithashtu Unesco-s ta vëjë theksin në programet për edukimin mbi sëmundjen vdekjeprurëse të Sidës. Një edukim i tillë, tha ajo, mund ta ndryshojë me të vërtetë gjendjen si nata me ditën.

E njëjta gjë mund të thuhet për programet që u mësojnë fëmijëve nëpër botë të respektojnë jetën njerëzore. ”Çdo prind, çdo mësues, çdo udhëheqës, tha zonja Bush, ka përgjegjësi të dënojë tragjedinë e tmerrshme të burrave, grave dhe fëmijëve që vrasin veten për të vrarë të tjerët. Ndërsa bota e qytetëruar mban qendrim kundër terrorit, puna e Unesco-s mund të ketë rezultat të madh. Së bashku, tha zonja Bush, mund të ndërtojmë, siç deklarohet në dokumentin themeltar të Unesco-s, mbrojtje për paqen në mendjet e njerzve”.

//ze//

XS
SM
MD
LG