Lidhje

Ekspozita mbi historikun e Zërit të Amerikës - 2003-10-08


Shoqata mbi Historikun e Radios në bashkëpunim me Zërin e Amerikës hapën një ekspozitë në mjediset e universitetit George Washington, këtu në Washington, të titulluar “Zëri i Amerikës dje, sot dhe nesër: Në vijat e para të konflikteve në botë për më shumë se 60 vjet”. Ekspozita është pasqyrë e misionit të Zërit të Amerikës si dhe një provë se ky medium është një burim jetësor i lajmeve për dëgjuesit në mbarë botën, gjatë trazirave politike apo edhe në kohë paqe.

Pas sulmit japonez mbi Pearl Harbor në 1941-shin si dhe shpalljes së luftës nga Gjermania kundër Shteteve të Bashkuara, administrata e presidentit Roosvelt, vendosi se Amerika kishte nevojë për një radiostacion ndërkombëtar lajmesh....dhe kështu lindi Zëri i Amerikës. Që nga ajo kohë, Zëri i Amerikës është bërë një nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare të medias, që ndiqet afërsisht nga 100 milionë dëgjues në javë në 55 gjuhë. Zëri i Amerikës është i pranishëm në skenat botërore për të njoftuar ngjarjet në kohën që ato ndodhin.

Ekspozita paraqet Zërin e Amerikës në histori. Në ceremoninë e hapjes, drejtori David Jackson foli mbi misionin e tanishëm. "Ka një luftë që po zhvillohet sot përmes forcës së armëve. Por është edhe një luftë tjetër që po zhvillohet përmes ideve. Ne jemi në linjat e para të frontit të luftës dhe çdo ditë po fitojmë mbështetje .”

Brian Belanger me muzeumin e Radios dhe të Televizionit, thotë se edhe zhurmimi i transmetimeve të Zërit të Amerikës është pjesë e historisë, ndërkohë që qeveritë që kanë dashur të censurojnë shtypin kanë bllokuar sinjalet e Zërit të Amerikës. Megjithatë, Zëri i Amerikës i ka kapërcyer këto pëngesa. "Gjatë Luftë së Dytë Botërore, gjermanët u munduan të ndalonin transmetimet e Zërit të Amerikës. Ndërsa gjatë luftë së ftohtë, Bashkimi Sovjetik u mundua të zhurmonte transmetimet tona. Kështu që Zëri i Amerikës përpiqej të ndryshonte frekuencat, të shtonte fuqinë e transmetimit për të dërguar mesazhin tek ata që duan ta dëgjojnë atë", thotë zoti Belanger.

Në ekspozitë paraqiten teknologjitë e kalura por edhe të rejat. Drejtori i Zërit të Amerikës, David Jackson tha se gazetarët përdorin çdo lloj teknike që munden për të komunikuar me botën. "Edhe në vendet në zhvillim radioja nuk dëgjohet më aq shumë. Prandaj ne na u desh të ndryshonim teknikën. Ne transmetojmë në valët e mesme, në valë FM, në valët e shkurtëra, por jemi edhe në televizion dhe internet."

Megjithëse teknologjia ndryshon, synimi i Zërit të Amerikës mbetet i njëjtë...të informojë botën për ato që ndodhin.

"Misioni ynë është të jemi objektiv dhe të balancuar. Nuk është propagandë. Në të njëjtën kohë ne kemi edhe një pjesë tjetër në misionin tonë, i cili është të tregojmë mbi Amerikën. T’i tregojmë botës se kush jemi ne, çfarë besojmë dhe pse jetojmë në këtë mënyrë që jetojmë".

David Jackson tha se duket qartë nevoja për Zërin e Amerikës sot dhe nesër.

"Që nga fillimi misioni ynë ka qënë besueshmëria dhe të qënurit të pavarur. Ne mendojmë se kështu njerëzit do të na dëgjojnë më shumë. Në botën e sotme ka shumë radio apo televizione, dhe dëgjuesit nuk janë të detyruar të marrin informaconet vetëm nga ne. Nëse ata dëgjojnë apo shikojnë programet tona, këtë e bëjnë pasi ato janë të besueshme. Dëgjuesit kanë nevojë të njohin Amerikën. Kjo u pa qartë sidomos pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit. E dimë se shumë njerëz kanë fituar përshtypje të gabuara rreth Amerikës dhe janë të keqinformuar për ato që ndodhin në botë," thotë zoti Jackson.

Ekspozita mbi Zërin e Amerikës do të qëndrojë e hapur deri në fund të vitit. //rd//

XS
SM
MD
LG