Lidhje

Shvarzeneger fiton zgjedhjet në Kaliforni - 2003-10-08


Guvernatori i zgjedhur i Kalifornisë, Arnold Shvarceneger, u zotua të punojë për të bashkuar banorët e këtij shteti.

Në fjalimin e tij me rastin e fitores në zgjedhje, aktori-i-kthyer-në-politikan falenderoi ata që e përkrahën dhe tha se nuk do t’i zhgjënjente.

Zoti Shvarceneger tha se është e rëndësishme që të kthehet besimi tek qeveria. Tani, tha ai, duhet të fillojë puna e vështirë.

Aktori i Hollivudit largoi nga pushteti guvernatorin Gary Davis në këto zgjedhje me vlerë historike për shtetin e Kalifornis. Guvernatori i ri do të ndeshet me një deficit të madh buxhetor dhe probleme të tjera ekonomike që ushqyen pakënaqësinë e banorëve kundër guvernatorit Davis.

Në fjalimin e tij duke pranuar humbjen, zoti Davis, u bëri thirrje kalifornezëve të lënë mënjanë kaosin dhe përçarjet që shkaktuan zgjedhjet dhe të punojnë në të mirë të shtetit të tyre. Guvernatori i ri duhet të bashkëpunojë me demokratët, cilët kanë shumicën në dy të dhomat e organit ligjvenës të Kalifornisë.

55 përqind e pjesëmarrësve në zgjedhje votuan për shkarkimin e guverantorit Davis, një politikan demokrat 60 vjeçar. Ai është guvernatori i dytë në historinë e Amerikës që shkarkohet nga detyra në mes të mandatit. Zoti Shvarceneger fitoi 48 përqind të votave. Në vend të dytë me 32 përqind u rendit zëvendës guvernatori i tanishëm Kruz Bustamante. Zoti Bustamente do ta mbajë postin që ka.

JETA E ARNOLD SHVARCENEGER

Jeta e Arnold Shvarcenegerit është tepër e veçantë dhe ka kaluar nëpër disa faza interesante. Nga një djalë austriak fshati, ai arriti të bëhet kampion në bodibilding, pastaj yll kinemaje dhe tani politikan. I lindur në vitin 1947 në Austri, ai i hyri sportit që në moshë fare të re.

Më 1967, u bë fituesi më i ri i titullit prestigjioz, Mister Universe në bodibilding.

Në vitin 1968 erdhi në Shtetet e Bashkuara dhe pas dy vjetësh luajti rolin e parë në një film komik.

Në vitin 1977 tërhoqi për herë të parë vemendjen si aktor me dokumentarin Pumping Iron që e merrte temën nga sporti i tij i preferuar. Suksesin e vërtetë në ekran e arriti me filmin e vitit 1982, Connan the Barbarian.

Që nga ajo kohë, Shvarcenegeri ka luajtur në mëse 30 filma, duke u bërë një ndër aktorët më të njohur të botës. Ai ka qenë vazhdimisht veprimtar i Partisë Republikane por për ironi bën pjesë në një familje demokrate sepse është martuar me të mbesën e ish presidentit demokrat John Kennedy, gazetaren e televizionit Maria Shriver.

//RD//

XS
SM
MD
LG