Lidhje

Zgjedhjet Vendore në Shqipëri; Debat Elektoral: Tirana - 2003-10-08


Posti i kandidatit të Bashkisë për kryeqytetin e Tiranës përbën një prej detyrave dhe sfidave më të vështira në Shqipëri. Ndonëse Tirana është qyteti me shtrirjen më të madhe të bizenesit, papunësia vazhdon të mbetet e lartë dhe shërbimet publike për banorët si uji dhe dritat mbeten ende një problem për t’u zgjidhur. Në kuadër të debateve elektorale mbi zgjedhjet vendore në Shqipëri, Zëri i Amerikës kishte të ftuar të mërkurën për një bisedë dy kandidatët kryesorë për Tiranën: kryetarin aktual të bashkisë, zotin Edi Rama, dhe kandidatin e Partisë Demokratike, zotin Spartak Ngjela. Për shkak të angazhimeve të tij elektorale zoti Rama nuk mundi të marrë pjesë në këtë debat.

Kandidati demokrat Spartak Ngjela i dha këtë intervistë Zërit të Amerikës mbi planet e tij për zhvillimin e Tiranës.

Zëri i Amerikës:Zoti Ngjela, le të fillojmë shkurtimisht me pikat kryesore të programit tuaj elektoral.

Spartak Ngjela: Programi im elektoral pati jehonë të gjerë në Tiranë, por edhe jashtë saj. Natyrisht kjo derivon nga programi i Partisë Demokratike, por është i implementuar saktë për Tiranën. Ajo ç’ka ra në sy ishte se ne e trajtuam programin në katër aspekte: aspekti i parë ishte varfëria, aspekti i dytë ishte tregu, aspekti i tretë ishte zhvillimi urban dhe decentralizimi i pushtetit vendor dhe aspekti i katërt kultura dhe arsimi. Që të katërta kishin lidhje me njëra-tjetrën dhe vinin e përqendroheshin në një pikë, konvergonin tek varfëria. Pastaj përsëri iu drejtuam koncepteve të tregut, për të përmirësuar të katër aspektet, sepse nga analiza që i bëmë faktit aktual të krizës, konceptuam dhe jemi të sigurtë ashtu sikurse e kam provuar që është bllokimi i tregut, mosnjohja e sistemit nga socialistët dhe sidomos klientelizmi i kryebashkiakut aktual të Tiranës, ai që ka sjellë bllokimin e zhvillimit të kapitaleve, të vetë tregut dhe natyrisht të mirëqenies dhe krijimit të papunësisë në Tiranë, duke theksuar për këtë rast, që Tirana është tregu normal i shoqërisë, sepse këtu mblidhen 55 për qind të taksave të buxhetit të shtetit dhe jam i bindur që më mirë se një amerikan askush tjetër nuk mund ta kuptojë këtë gjë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ngjela, posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës është një nga më të vështirët dhe që paraqet sfidat më të mëdha për vendin. Kundërshtari juaj, zoti Rama ka një përvojë tre vjeçare, ndërsa juve ju mungon përvoja e drejtpërdrejtë në këtë fushë. Çfarë mendoni se ju bën ju të aftë për këtë post dhe përse mendoni se qytetarëve të Tiranës do t’u shërbehej më mirë, nëse zgjidheshit ju si kryetar bashkie?

Spartak Ngjela: Duhet të preçizojmë saktë se ç’do të thotë eksperiencë. E para në funksion të postit të kryebashkiakut, pyetja kryesore bëhet jo sa eksperiencë ka fituar, por çfarë ka zgjidhur nga ato që është zotuar përpara zgjedhësve në momentet që ka marrë skeptrin e drejtimit. Kryebashkiaku aktual nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet. Janë rreth 14 premtime nga të cilat ka bërë vetëm një të pjesshëm. Ky i pjesshmi është rregullimi i infrastrukturës. Nuk dua t’i hyj kriticizmit në lidhje me këtë, ose me ndryshimet e fasadave, që janë gjëra normale, që mund të ndodhin, por ama nuk kam si lë pa trajtuar problemin e moszgjidhjes së çështjes së ujit, nuk ka mundësi që të mos përmendim që e ka marrë qytetin me 30 mijë të papunë dhe sot Tirana pas tre vjetësh është me 120 mijë të papunë. Është bërë një batërdi ndaj biznesit të vogël dhe tregut në përgjithësi; biznesi i madh sidomos ai i ndërtimit është kthyer në klientelizëm. Ky është shkaku kryesor i mosshpërndarjes normale të kapitaleve dhe krijimit të papunësisë. Biznesi vogël është krejtësisht i falimentuar. E kam ndjekur tregun pëllëmbë për pëllëmbë dhe atëherë natyrisht që brenda kësaj kam përmirësuar programin tim dhe jam i bindur që ne do ta nxjerrim gjendjen duke përmirësuar dhe shëndoshur tregun. Pra kjo është arsyeja që (Edi Rama) zhduket nga skena për debate, nuk ka nxjerrë një program dhe i vetmi program i tij është kriticizmi që i bën alternativës sime.

Zëri i Amerikës: Zoti Ngjela, ju thoni se problemet e mëdha me të cilat ballafaqohet sot Tirana janë kryesisht rrjedhojë e keq-qeverisjes së zotit Rama dhe ashtu si zoti Rama edhe ju keni bërë shumë premtime. Cili është koncepti juaj i qeverisjes dhe çfarë e dallon atë nga koncepti i zotit Rama?

Spartak Ngjela:E para, unë nuk kam bërë shumë premtime, unë kam bërë vetëm tre premtime: Njëra është çështja e ujit, e cila është e zgjidhshme, sepse është futur në kanalet e klientelizmit në një krah, në funksion të tregut, për shitjen e ujit nga importi dhe e dyta është lënë si ajo që i thotë Fridmani një “Ishull Socialist”. Unë kam deklaruar që jo se premtoj se e zgjidh, por kam thënë “e zgjidh normalisht, sepse e fus në treg”. Kam caktuar edhe afatin prej 18 muajsh i cili jo vetëm që është realitet, por sot më janë afruar disa firma që qysh tani kërkojnë të bëjnë kontratë normale për menaxhimin e këtij biznesi. E dyta që më duhet të theksoj është fakti që të gjitha janë të realizueshme, asnjë gjë nuk është nga këto e parealizueshme. I vetmi dyshim është ke vullnet, apo nuk ke vullnet dhe a ke mbështetje politike, apo nuk ke mbështetje politike. Nuk është se ka dështuar vetëm kryebashkiaku Rama, është dështimi i qeverisjes socialiste në të gjitha aspektet e jetës shoqërore në Shqipëri dhe sidomos në Tiranë, kemi bunkerizimin e Bashkisë. Teza ime është për ta kthyer nga Komitet Ekzekutiv në një Bashki. Bashkia është e qytetarëve, nuk mund të jetë e të emëruarve nga qeveria. Është buxheti ai që krijon decentralizimin. Ne do t’i kthejmë Tiranës buxhetin e decentralizuar, nuk do të merremi më me investime të pakthyeshme për fasadë, të cilat natyrisht janë mbeturina të propagandës së vjetër. Nuk është Tirana kjo që duhet të ishte. Ju lutem të merrni parametrat: është varfëri ekstreme, nuk ka mundësi që të ndodhemi në një situatë të tillë papunësie, në një vend (qytet) që paguan 55 për qind të taksave. Çfarë ndodh: monopolizimi, nëpërmjet klientelizimit, problem të cilit nuk dua t’i hyj thellë, por lidhet natyrshëm me korrupsionin, gjë e cila rrihet botërisht dhe ndërkombëtarisht sot në lidhje me qeverisjen shqiptare.

Zëri i Amerikës: Zoti Ngjela, dhe tani së fundi, keni 30 sekonda kohë për të përcjellë mesazhin tuaj për banorët e Tiranës, për votuesit e Tiranës.

Spartak Ngjela:Mesazhi im është ky: Unë u qëndroj premtimeve dhe zotimeve në funskion të zgjidhjeve të mia. Programi im është programi normal i Partisë Demokratike. Partia Demokratike e ka mbajtur gjithmonë fjalën, të gjitha të tjerat janë abuzive. Ne u thamë qytetarëve në vitin 1991 që do t’ua japim gratis apartamentet e banimit, sepse ishin të tyret, për arsye që dihen, në një kohë që kundërshtarët tanë u ngritën me furi dhe thanë që këto janë premtime boshe; ne u thamë qytetarëve që do të bëjmë privatizimin dhe e bëmë, ne u themi qytetarëve që do ta ringjallim tregun, do ta rikthejmë besimin, do ta zbusim papunësinë dhe do të heqim klientelizimin në funksion të zhvillimit, duke sjellë ujin për qytetin e Tiranës, shkollat për qytetin e Tiranës. Sot në Tiranë jetojmë në një qytet, në të cilim nxënësit janë të terrorizuar nga ambjentet: 100 nxënës për një klasë, 60 nxënës për një klasë është një gjë jo anormale, por amorale.

XS
SM
MD
LG