Lidhje

Presidenti Bush mbron politikën e ndjekur ndaj Irakut - 2003-10-09


Presidenti Bush po i del në mbrojtje politikës së tij ndaj Irakut, i ndodhur mes kritikave si brenda dhe jashtë vendit.

Toni i presidentit ishte i vendosur, ndërsa fliste para personelit ushtarak në New Hampshire. Ai e krahasoi rindërtimin e Irakut me rindërtimin e Japonisë dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe i paralajmëroi amerikanët për rrezikun e vetëkënaqësisë, ndërkohë që vazhdon lufta kundër terrorizmit.

"Puna jonë në Irak ka qenë e gjatë. Ajo është një punë e vështirë dhe ende nuk ka marrë fund. Ne do ta vazhdojmë atë deri në fund, deri në përfundimin e detyrës sonë",- tha presidenti.

Sot ishte një tjetër ditë me incidente me dhunë në Irak. Presideni Bush tha se ata që kryejnë këto akte po përpiqen të venë në provë vullnetin dhe vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara. Presidenti Bush tha se ata do të dështojnë dhe theksoi edhe një herë se e sheh Irakun si frontin kryesor të luftës ndaj terrorizmit. "Terroristët në Irak mendojnë se sulmet e tyre ndaj njerëzve të pafajshëm do të dobësojnë vendosmërinë tonë. Por kështu mendojnë ata. Ata mendojnë gjithashtu se Amerika po përpiqet thjesht për të bërë sfidë, por këtu gabohen, - tha presidenti.

Në momente të ndryshme të fjalimit të tij, presidenti Bush foli për mësimet e nxjerra nga 11 shtatori i vitit 2001. Ai tha se vendimi i tij për ndërhyrje të armatosur në Irak dhe rrëzimin nga pushteti të Sadam Husseinit, ishte një vendim i duhur dhe i drejtë dhe se ai ishte i nevojshëm për të luftuar kërcënimet ndaj sigurisë të Shteteve të Bashkuara. "Unë e mora një veprim të tillë, për arsye se nuk doja ta lija sigurinë e popullit amerikan në duart e një të çmenduri. Unë nuk do të qëndroja e të bëja sehir, duke e lënë sigurinë tonë në dorë të gjykimit të Sadam Huseinit.” - tha presidenti Bush.

Presidenti Bush tha se komentet e tij sot në Bazën e Gardës Kombëtare në qytetin Portsmuth të New Hampshërit, i bëri pikërisht 6 muaj pas një prej imazheve të pashlyeshme të luftës në Irak - rrëzimit të statujës së Sadam Husseinit. Ai tha se gjatë këtyre muajve janë bërë përparime.

" Ne po rindërtojmë shkollat. Një numër i madh fëmijësh po kthehen nëpër shkolla, spitalet po rihapen. Mijëra fëmijë po vaksinohen. Popullit irakian po i rikthejmë ujin e pijshëm dhe energjinë elektrike," -tha presidenti Bush.

Presidenti Bush është ankuar ditët e fundit se shtypi nuk ka dhënë një pamje të saktë të jetës në Irak, se janë theksuar në veçanti problemet, dhe jo sukseset. Fjalimi i presidentit është pjesë e një fushate të tij për të vënë në pah ngjarjet pozitive që po ndodhin dhe sigurimin e përkrahjes për përpjekjet e kushtueshme të rindërtimit.

Kohët e fundit, Shtëpia e Bardhë i kërkoi Kongresit shumën prej 87 miliardë dollarësh për operacionet ushtarake dhe ato të rindëritmit të Irakut dhe Afganistanit. Sipas anketimeve të publikut, një numër i madh amerikanësh e shohin me skepticizëm koston e operacioneve ushtarake në Irak, si nga ana financiare, edhe përsa i përket humbjes së jetëve njerëzore.

Nëntë kandidatët demokratë për zgjedhjet presideciale, të cilët kërkojnë emërimin e partisë së tyre, po e kritikojnë politikën e administratës së presidentit Bush ndaj Irakut si para edhe pal luftës. Shteti i New Hampshir-it, ku presidenti Bush foli fillimisht para personeli ushtarak dhe familjeve të tyre dhe më pas para një grupi biznesmenësh, është një nga shtetet që i njeh më mirë se kushdo debatet presidenciale. Ky është shteti i parë kuzhvillohen zgjedhjet paraprake, për caktimin e kandidatëve për president nga ana e partive.

//rd//

XS
SM
MD
LG