Lidhje

Debat Nano-Berisha: rivalët politikë sulmojnë ashpër njëri-tjetrin - 2003-10-10


Shqipëria ndodhet përsëri në udhëkryq. Reformat po zbatohen ngadalë ndërsa politika e brendshme është e paqendrueshme, duke kaluar nga konfrontimi në bashkëpunim e përsëri në konfrontim. Nga ana tjetër, ndryshimet në rajon kanë çuar në një rënie të ndjeshme të rëndësisë strategjike të Shqipërisë. Integrimi i saj euro-atlantik, ëndërra e shqiptarëve, do të përcaktohet tani nga ecuria e procesit të demokratizimit dhe nga përparimet në luftën kundër trafiqeve dhe korrupsionit. Duket se zgjedhjet e së dielës do të jenë përcaktuese për imazhin e Shqipërisë dhe do të kenë ndikime të rëndësishme për demokratizimin, stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Qysh nga viti 1996, çdo zgjedhje në Shqipëri është kontestuar. Kjo ka çuar në tronditjen e besimit të qytetarëve ndaj shtetit dhe institucioneve dhe ka sjellë kriza politike, mungesë legjitimiteti, dhe humbje të shanseve për Shqipërinë. A do të jenë të ndryshme zgjedhjet e së dielës? A do të tregojnë ato se klasa politike shqiptare ka fituar pjekurinë e duhur? Për këto çështje po bisedojmë në një debat të drejtpërdrejtë me dy figurat më të rëndësishme politike të Shqipërisë, kryeministrin Fatos Nano dhe kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës Sali Berisha.

Zëri i Amerikës: Zotin Berisha ende nuk e kemi në linjë por shpresojmë të lidhemi me të shumë shpejt. Fillojmë me ju zoti Nano. Partia Socialiste, si parti në pushtet, ka përgjegjësinë kryesore për të garantuar që këto zgjedhje të jenë të lira e të drejta dhe të përputhen me standardet ndërkombëtare. A mund ti siguroni bashkë qytetarët tuaj dhe komunitetin ndërkombëtar se partia juaj do ta kryejë këtë detyrë me dinjitet dhe se zgjedhjet do të jenë të rregullta?

Fatos Nano: Padyshim, sepse ky është një interes pozitiv i mazhorancës e cila vazhdon të gëzojë besimin e shumicës së shqiptarëve. Këtë e mbështes në një fushatë shumë intensive dhe të shtrirë në të gjithë territorin që sapo përfundova dhe për pasojë maxhoranca jo vetëm ka mbështetur amendimet e kodit zgjedhor të rekomanduara nga ODIHR-i pas zgjedhjeve të fundit në frymë konsensuale me bllokun e opozitës, por ka vepruar totalisht në mbështetje të kodit të ri dhe qeveria që unë drejtoj ka marrë të gjitha masat për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme, transparencën e duhur dhe mbështetje maksimale për institucionet zgjedhore që administrojnë procesin.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, rivali juaj duket se e ka pranuar që përgatitjet për këto zgjedhje janë më të mira se sa në zgjedhjet e kaluara por megjithatë ka pohuar se ende ka disa probleme që e pengojnë procesin. A ka diçka të vërtetë në këto pohime të doktor Berishës?

Fatos Nano: Substancialisht nuk ka asnjë problem. Edhe në raportin e fundit që i paraprin ditës zgjedhore të vëzhguesve ndërkombëtarë, ndonjë kontest i mbetur vihet vetëm në gojën e opozitës së Berishës ndërsa të gjithë faktorët e tjerë janë të angazhuar në procesin zgjedhur pa konteste parimore dhe reale. Pra, unë do të dëshiroja që zoti Berisha të pranonte realisht që është një klimë tjetër, është një kuadër tjetër ligjor, është një realitet praktik që garanton që çdo votë të lexohet drejt, mbi bazën e parimit një njeri një votë, por nuk kam dëgjuar ende që zoti Berisha të deklarojë se do ta njohë rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, jemi në pritje që të lidhemi me zotin Berisha prandaj po vazhdojmë me një pyetje tjetër për ju. Partia juaj ka avantazhin e madh se e kontrollon pushtetin si në nivelin qendror ashtu edhe në atë vendor. Natyrisht, politikanët përdorin ato argumente, shifra dhe fakte që u interesojnë për të reklamuar suksesin e politikave të tyre, por e vërteta është se vendi juaj ndodhet në një gjendje mjaft të vështirë dhe për këtë ju nuk mund t’ia hidhni përgjegjësinë Partisë Demokratike: ka varfëri të skajshme, papunësi, mungesa të ndryshme. Në këto kushte, çfarë përfundimesh duhet të nxjerrin votuesit shqiptarë për efektivitetin dhe cilësinë e qeverisjes së deritanishme socialiste?

Fatos Nano: Ju dëgjova edhe në komentin e hyrjes, zoti Biberaj, dhe po më çudisni sepse ju s’keni shumë kohë që keni qenë në Shqipëri dhe nuk besoj se për pak javë keni ndryshuar gjykimin tuaj për një realitet që është shumë i ndryshëm nga pohimet tuaja për gjendje kritike. Sidoqoftë ju nuk votoni në Shqipëri dhe mua më rezulton që njerëzit janë shumë më mirë, është rritur niveli i prodhimit kombëtar tre herë, është shtuar niveli i mirëqenies dy herë, janë rritur pagat dhe pensionet 2,2 herë në tre-katër vjetët e fundit dhe mbi këtë bazë kemi bërë kapërcimin e madh nga 670 dollarë për frymë në kohën kur la qeverinë zoti Berisha, në gati 1790 dollarë për frymë GDP aktualisht. Për pasojë, mua më rezulton që edhe për shkak të suksesit të reformës së decentralizimit, të mirat e kësaj qeverisjeje po u afrohen komuniteteve, zgjedhësve në të gjithë territorin, nga të gjitha komunat dhe bashkitë. Natyrisht, ka zona në varfëri, ka një varfëri relative që po kurohet me një strategji kombëtare të rritjes së qendrueshme ekonomike e cila mbështetet në më shumë se 1 milion dollarë investime në vit si dhe në gati 1 milion dollarë investime të huaja direkte tashmë të angazhuara për tre-katër vitet e ardhëshme, të cilat ndryshe nga perceptimi që Shqipëria po humbet interesin dhe vemendjen në arenën ndërkombëtare apo rajonale, po e shpejtojnë procesin e integrimit tonë rajonal dhe global, sepse besoj që e dini, ashtu si të gjithë dëgjuesit, se Shqipëria po përparon me shumë sukses në negociatat për asocim me Bashkimin Evropian, të cilat jam i sigurt që do të mbyllen duke nënshkruar marrëveshjen në fillim të vitit të ardhshëm nën presidencën irlandeze.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, tani kemi në linjë edhe zotin Berisha. Zoti Berisha, ecuria e rregullt e zgjedhjeve nuk varet vetëm nga partia në pushtet por edhe nga respektimi i rregullave të lojës nga ana e opozitës. A e pranoni deklaratën e Partisë Socialiste dhe të kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Nano, se tashmë janë krijuar të gjitha kushtet për zgjedhje normale? Sa të angazhuar jeni ju dhe partia juaj për të kontribuar që zgjedhjet të jenë vërtet të rregullta?

Sali Berisha: Zoti Nano është një demagog i pakorrigjueshëm. Ai dhunoi gjatë muajit të fundit standardet europerëndimore të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe ky është një konstatim i mbarë shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar me vendime absurde, i pashpresë për fitore. Ai dhunoi të tre kolonat kryesore të procesit zgjedhor, bllokoi financimet dhe i liroi ato vetëm javën e fundit, ndryshoi KQZ-në dhe e përvetësoi plotësisht për veten e tij, ka shpalosur bandat kriminale që ka të fshehura në polici për të dhunuar zgjedhjet. Pra ai është një demagog i paskrupullt dhe i pakorrigjueshëm, por kësaj here ai ka zhveshur veten lakuriq si armik i egër i botës së lirë në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, kritikët thonë se ju po i mbani ndezur disa çështje, si ato që përmendët tani, si argumente me të cilat mund të justifikoheni nëse partia juaj nuk arrin rezultatin që dëshiron në këto zgjedhje?

Sali Berisha: Në fakt, zoti Biberaj, nuk besoj që komuniteti ndërkombëtar, prania e OSBE-së, vëzhguesit dhe monitorët e tjerë, përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe vetë Presidenti i tij të kenë hallin se cila parti do të fitojë kaq shumë, por shqetësimet që kemi shprehur dhe denoncimet që kemi bërë ne kanë qenë absolutisht në harmoni të plotë me të gjitha këto institucione. Përsa i përket fitores, ajo ka qenë dhe është e sigurt dhe plebishitare.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, a dëshironi t’u përgjigjeni akuzave të doktor Berishës?

Fatos Nano: Jo nuk ia vlen...

Sali Berisha: Jo, nuk ka absolutisht si të përgjigjet ai...

Zëri i Amerikës: Më falni, fjalën e ka zoti Nano...

Fatos Nano: Para 10 muajsh ju kam takuar në selinë e partisë suaj dhe më vjen keq që nuk keni ndryshuar fare dhe s’keni kuptuar fare që Shqipëria nuk ka të ardhme me një opozitë si e juaja dhe ju nuk keni të ardhme në krye të një opozite që duhet të modernizohet. Por sidoqoftë këto nuk janë detyrat e mia dhe unë po ritheksoj se nëqoftëse zoti Berisha vazhdon të lëshojë broçkulla të tilla si, në Shqipëri vidhen dy të tretat e taksave, ose 1 miliardë dollarë në vit, baraz me buxhetin vjetor, pra këtu vetëm vidhet dhe nuk bëhet asgjë, asnjë investim, as mbrojtje sociale, sa paga e të tjera, atëherë zoti Berisha e ka të kollajshme me këto sindroma të pakurueshme përfundimisht që të thotë nesër se u vodhën dy të tretat e votave dhe unë po e pyes ballas: unë kam deklaruar se do t’i njoh zgjedhjet, a mund ta thoni këtë gjë edhe ju zoti Berisha?

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, përgjigjia juaj?

Sali Berisha: Tani thjesht dua t’i them se ai është një marksist-leninist i verbër, nuk ka konceptin e rregullave më elementare të demokracisë, ai ka një urrejtje për opozitën dhe demokracinë sa ç’ka patur 13 vjet më parë kur ishte ndihmësi i Nexhmije Hoxhës dhe përsa i përket dy të tretave të taksave, është ai një nga arkitektët më kryesorë, në mos më kryesori i këtij sistemi. Nuk e them unë, por e thonë 77 për qind të shqiptarëve që ai dhe kabineti i tij janë hajdutë dhe të korruptuar, nuk e them unë por e thotë Transparency International, që ka dalë edhe dhjetë shkallë më i korruptuar se ç’ishte më parë. Nuk e them unë, por e thonë Fondi Monetar Ndërkombëtar, se Shqipëria me të njëjtin nivel taksash në raport me Maqedoninë, Kroacinë dhe Slloveninë, ka një vjelje vetëm një të tretën e tyre, kurse ka në raport me GDP-në vetëm një vjelje një të tretën e taksave që duhet të vjelë, pra unë mendoj se zoti Nano ka të njëjtin qëndrim ndaj institucioneve ndërkombëtare që ka patur 13 vjet më parë dhe që në fakt e shfaq shumë gjerësisht. Edhe gjatë këtij muaji e ka bërë shumë evidente qëndrimin ndaj kërkesave ndërkombëtare për standarde për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra nëqoftëse zoti Nano përpiqet të shesë standardet e tij si standarde evropiane, i them le të puthet me Haxhi Qamilin, sepse askush në Shqipëri nuk ia pranon ato.

Zëri i Amerikës: Doktor Berisha, kur një parti është në opozitë, siç është partia juaj, ajo e ka shumë të lehtë të kritikojë qeverinë dhe partinë në pushtet si dhe të bëjë premtime. Ju personalisht dhe kandidatët e partisë suaj keni bërë premtime që shumë analistë i cilësojnë si jorealiste. Cfarë garancish mund të jepni se këto premtime elektorale, ose shumica e tyre do të plotësohen?

Sali Berisha: Absolutisht ne kemi premtuar vetëm gjërat që parashikon ligji i qeverisjes lokale. Kemi premtuar furnizimin me ujë të qytetarëve shqiptarë, kemi premtuar uljen e taksave që janë kompetencë e qeverisjes lokale, kemi premtuar troje për shkolla, sepse qeveritarët socialistë shesin troje për pallate, në të cilat gjobisin ndërtuesin me 30 dollarë për metër katrorë ndërtimin dhe nuk japin troje për shkolla. Sistemi i korrupsionit, zoti Biberaj, është vendosur nga padrino, nga Fatos Nano si arkitekt i tij dhe kjo është një deklaratë e Bashkimit Evropian në raportin për Shqipërinë. Ne japim garanci të plotë se do t’i japim një goditje fatale korrupsionit, do të bëjmë transparencë të plotë të komunave dhe bashkive të vendit dhe e sigurt është se pas këtyre zgjedhjeve do të vijnë zgjedhjet e përgjithshme, ku zoti Nano do të dalë në një opozitë, në mos në një pension politik. Natyrisht ne kemi ndër mend t’i rrisim pensionet, edhe ai do të përfitojë nga kjo.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, të huajve shpesh u bën shumë përshtypje se sa energji dhe kohë shpenzojnë politikanët shqiptarë për çështje që në vende të tjera zgjidhen relativisht lehtë dhe në kohë. Pse është politika shqiptare kaq konfliktuale?

Fatos Nano Pyetja është me vend zoti Biberaj. Unë besoj se nëqoftëse shumëkush e cilëson në avantazhin tim të madh të kesh një kundërshtar politik si zoti Berisha, që nuk jeton në këtë realitet i cili u pëlqen të gjithëve dhe u jep të gjithëve shanse për të punuar dhe jo për të dalë në pension, për mua personalisht është një fatkeqësi e madhe që opozita drejtohet nga një njeri si Berisha që nuk pranon të kuptojë se shqiptarët kërkojnë siguri, kërkojnë prosperitet, kërkojnë hapësira për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe po e bëjnë këtë gjë në sajë të një qeverisjeje efikase dhe që po u jep gjithnjë e më shumë mundësi të shijojnë standardet e Bashkimit Evropian në vendin e vet. Nga kjo pikpamje, mua më rezulton se me sondazhin e fundit të azhurnuar, 52,7 të shqiptarëve do të votojnë për ne dhe për shkak të zotit Berisha vetëm 30,6 përqind e tyre do të votojnë për partinë e tij.

Zëri i Amerikës: Sidoqoftë, ne do të presim rezultatet të dielën ose të hënën. Vazhdojmë me një pyetje për zotin Berisha. Zoti Berisha, në çfarë mase tensionet dhe ballafaqimet midis socialistëve dhe demokratëve udhëhiqen nga synime, interesa dhe alternativa të sinqerta? Apo krijohen ato artificialisht nga krerët e dy kampeve? Në disa raste, marrëveshjet midis jush dhe udhëheqësve socialistë kanë çuar në ulje thuajse të menjëhershme të tensioneve, siç ishte takimi i juaj në vitin 1998 me kryeministrin Majko dhe marrëveshja e vitit të kaluar me zotin Nano.

Sali Berisha Unë dëshiroj të theksoj këtu se njeriu që po bllokon integrimin e Shqipërisë është pikërisht kryetari i qeverisë së gjysmërrëzuar, është ai që dhunon standardet evropiane perëndimore në Shqipëri, është ai që mendon ta integrojë Shqipërinë mbi shinat e demagogjisë së vjetër, hipokrizisë politike, mashtrimit të plotë. Mirëpo problemi është se prozhektorët e Perëndimit janë të fuqishëm dhe ai është fare i vogël që të mund të errësojë gjë. Mendoj se tensionet nuk kanë absolutisht asnjë bazë tjetër, përveç dhunimit dhe mosrespektimit të standardeve dhe ligjeve për të cilat kjo shoqëri është e interesuar. Ligjet në Shqipëri për shokun Nano dhe qeveritarët nuk ekzistojnë, doganat për ta nuk ekzistojnë. Ekziston vetëm pasurimi i çmendur duke përdorur pushtetin në mënyrë të paligjshme dhe fakti që gjatë qeverisjes së tij Shqipëria nga 3 milion e 600 mijë u katandis në 3 milion e 40 mijë banorë - kjo është vepra e tij kryesore.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, vendi juaj sot përballet me një fenomen që, sipas analistëve, mund të ketë pasoja për demokracinë dhe qëndrueshmërinë e vendit: dalja ose mundësia e daljes në skenën politike e njerëzve që përfaqësojnë interesat e klaneve të caktuara, që kanë lidhje me krimin e organizuar, dhe që nuk mbrojnë interesat mbarëqytetare. A shikoni ndonjë rrezik që politika shqiptare të mbizotërohet nga njerëz që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme?

Fatos Nano Nuk më rezulton kështu, të nderuar miq dhe dëgjues, sepse përballë krimit të organizuar, qeveria që unë drejtoj dhe mazhoranca që ka avancuar shumë në reformat institucionale, ka vënë një drejtësi të organizuar përballë krimit të organizuar, gjë që ka sjellë edhe largimin dhe kurimin e krimit në politikë dhe për pasojë nëqoftëse do të ecnim me këtë logjikë, do të rezultonte që çdo sipërmarrës është një keqbërës dhe ne jemi distancuar nga kjo baltë që vazhdon të hedhë Berisha mbi sipërmarrësit dhe mbi gjithë ata që bëjnë detyrën sipas ligjit. Po insistoj, zoti Berisha, nëpërmjet zotit Biberaj, më thoni, do ta njihni rezultatin e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira që po vijnë?

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha?

Sali Berisha Së pari, nuk kam kundërshtuar dhe nuk kundërshtoj kurrë rezultat zgjedhjesh të lira e të ndershme. Kjo është në thelbin e kulturës demokratike të forcës politike që unë përfaqësoj dhe timen. Së dyti, përsa u përket atyre biznesmenëve, në krye të kontrabandës dua të them, ai nuk ka asnjë kompleks sepse vetë qendron në krye të kontrabandës së shqiptarëve. Është ai që e mbrojti Papadhimën, është ai që ka importuar helikopterë dhe mjete të tjera pa doganë, është ai që ka dërguar Lefter Kokën tek Ilir Meta kur ai bllokoi gjemitë e tij me kontrabandë për tia zhbllokuar dhe me gjëra të tjera. Në fakt, ai nuk ka pse të ketë komplekse pasi vetë është qilimi i kuq për demin e krimit dhe të kontrabandës në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, a mund t’i garantoni shqiptarët se kandidatët e patisë suaj nuk kanë lidhje me grupe të krimit të organizuar?

Sali Berisha Unë mund t’i garantoj shqiptarët të përdorin metodat, ligjet, praktikat më transparente për të nxjerrë në dritën e diellit të gjithë veprimtarinë e zyrtarëve dhe të partisë demokratike. Për këtë kam garanci të plotë. Dhe nuk do të merren kurrë vendime siç bën kryeministri aktual për tua dhënë brigjet e Shqipërisë firmave që nuk ua thotë emrat, që natyrisht janë të tijat, nuk janë të tjetërkujt.

Zëri i Amerikës: Dhe tani në mbyllje të debatit, propozoj që secili prej jush, nga 30 sekonda, të japë mesazhin për votuesit shqiptarë. Fillojmë me ju zoti Nano.

Fatos Nano: Unë jam i sigurt që Shqipëria është në rrugë të mbarë drejt Evropës dhe qeverisja është në rrugë të mbarë drejt komuniteteve. Unë jam i sigurt se sipërmarrja shqiptare, publike dhe private, ka krijuar të gjitha hapësirat për të përmirësuar akoma më shumë gjendjen në vend, si edhe mirëqenien e popullatës në të gjithë territorin. Pra jam i sigurt se Partia Socialiste me këtë politikë evropiane dhe me reformat agresive që po zbaton, do të fitojë këto zgjedhje dhe kjo më jep më shumë angazhime për ta parë të ardhmen me optimizëm, edhe për reformimin e vetë opozitës së vjetër.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, cili është mesazhi juaj?

Sali Berisha Gallupi i fundit në Shqipëri ka dëshmuar se Partia Demokratike është 7,7 pikë para Partisë Socialiste. Garantoj shqiptarët se këto zgjedhje do të përdoren për t’i dhënë varfërisë goditjen fatale, për t’i dhënë korrupsionit goditjen vdekjeprurëse, goditjen që meriton. Do t’i përdorim zgjedhjet për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë, jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, integrimin e saj në institucionet euro-atlantike. Unë kam bindjen se 12 tetori shënon hedhjen në një anë të sistemit të korrupsionit dhe hap sërish rrugën për sistemin e vlerave demokratike, shtetin ligjor dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Evropë.

XS
SM
MD
LG