Lidhje

Presidenti Rugova gati për në Vjenë - 2003-10-10


Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, u tha PO bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për zgjidhjen e cështjeve teknike të interesit të përbashkët. Në një njoftim të lëshuar në orët e mbrëmjes nga zyra e tij për informim, thuhet se “Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara, Harri Holkeri, për të marrë pjesë në takimn e Vjenës, të datës 14 tetor 2003, i cili duhet të shënojë fillimin e dialogut Prishtinë-Beograd për çështje praktike.

Presidenti Ibrahim Rugova e ka marrë këtë vendim mbi bazë të mandatit të tij që ka me Kornizën Kushtetuese, sipas së cilës, në bashkërendim me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, e përfaqëson Kosovën dhe i ushtron të drejtat dhe detyrat e veta në pajtim me dispozitat kushtetuese. Ndër themeloret është dispozita sipas së cilës, në bashkërendim me shefin e UNMIK-ut, presidenti i Kosovës merr veprime në fushën e marrëdhënieve të jashtme”, thuhet në fund të njoftimit të zyrës së presidentit Rugova.

Vendimi i tij është përshëndetur menjëherë nga kryeadministratori i Kosovës, Harri Holkeri. Shërbimi i tij për informim citon zotin Holkeri të ketë thënë se ai së bashku me tërë bashkësinë ndërkombëtare “e duartroket vendimin e presidentit Rugova që është akt i një udhëheqësi të përgjegjshëm”.

Presidenti i Kosovës Ibrahim është udhëheqësi i parë shqiptarë që ka pranuar të marë pjesë në bisedimet e caktuara për të martë në Vjenë të Austrisë. Ndërkaq, udhëheqësit tjerë ende nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje, megjithë takimet intensive që kanë vazhduar edhe gjatë tërë ditës së sotme. Shefja e zyrës amerikane, Marcie Ries dhe kolegu i saj nga zyra britanike, Marc Dickinson, zhvilluan takime me dyer të mbyllura me drejtues të lartë të institucioneve dhe partive politike, për të siguruar pajtimin e tyre për pjesmarrje në bisedime. Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci, tha se në Vjenë ose do të shkojnë të gjithë ose jo. Ai bëri thirrje për shtimin e përgjegjëisve të reja për qeverinë në fushën e drejtësisë dhe policisë për të siguruar bisedime të mirëfillta. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi edhe më tej ngulë këmbë se bisedimet kërkojnë koncenzus të plotë politik. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha pas takimeve me diplomatët e lartë se pjesmarrja në bisedimet e Vjenës do të mundësohej nëpërmjet krijimit të ministrive të reja të qeverisë së Kosovës.

Sidoqoftë, orët e mbrëmjes janë përmendur si një afat për një vendim të të gjithë përfaqësuesve shqiptarë për pjesmarrje apo jo në bisedime.

//rd//

XS
SM
MD
LG