Lidhje

Gratë në dilemë për ekuilibrin mes familjes dhe punës - 2003-10-11


Të gatuarit, larja e teshave dhe kujdesi për një foshnje janë detyra të mjaftueshme sa për të mbushur ditën e nënave. Por çfarë ndodh kur atyre iu duhet të punojnë edhe tetë orë për të siguruar jetesën e familjes?

Sipas Elizabeth Wilcox, autore e librit The Mom Economy: The Mother’s Guide To Getting Family Friendly Work, ka disa mënyra sipas të cilave nënat mund të japin ndihmesën e tyre si në punë ashtu edhe në familje.

Ato mund të punojnë me orar të shkurtuar, të punojnë nga shtëpia ose të fillojnë biznesin e tyre. Zgjedhja midis këtyre mundësive i ndihmon nënat që punojnë të rivlerësojnë përparësitë në jetën e tyre.

Si shumë gra të tjera, tani në të 30at, gazetarja Elizabeth Wilcox u rrit në një epokë kur nënat me fëmijë filluan të punonin dhe e ardhmja e tyre dukej e shkëlqyer në fuqinë punëtore të Amerikës.

Por ndërsa vazhdojnë karrierën e tyre premtuese, shumë nëna e kuptojnë se nuk mund të jenë të suksesshme në të dy frontet. Për të lëvizur në postet e larta të korporatave, ato duhet të sakrifikojnë diçka nga jeta në familje. Shpesh herë, thotë zonja Wilcox, ato zbulojnë se nuk kanë kohë të mjaftueshme as për fëmijët e as për punën.

“Ka shumë gra të mirëarsimuara dhe të suksesshme në karrierën e tyre, që mund të tërhiqen në një farë mase. Ato përpiqen të krijojnë një karrierë të re dhe kuptojnë se rritja e fëmijëve dhe puna 8 orëshe nuk mund të bëhen të dyja. Gratë kanë filluar të kërkojnë tani rrugën më të mirë për balancimin midis këtyre dy aspekteve të jetës së tyre”.

Zonja Wilcox vendosi të largohej nga puna si gazetare pasi fëmijët ishin për të përparësia kryesore. Me aftësitë e profesionit të saj, ajo filloi të shkruante një libër me këshilla për nënat me fëmijë. Pas shumë kërkimesh, ajo arriti në përfundimin se nënat me fëmijë që vazhdonin të punonin, kishin një mjedis pune të favorshëm edhe për jetën në familje.

Historia e Ritës, përshembull, është nga më tipiket. Me disa zgjidhje praktike nga bosi i saj, ajo pakësoi orët e gjata të punës që e mbanin atë larg djalit dyvjeçar.

Orari i luhatshëm i krijoi mundësitë Ritës të merrte pjesë në veprimtaritë shkollore të fëmijëve të saj dhe pastaj ti kthehej punës në mbrëmje ose në mëngjes. Kjo u ka krijuar shumë nënave mundësinë të lënë oraret e rregullta dhe të punojnë me kontratë.

Por jo të gjitha nënat që heqin dorë nga orari i plotë, vazhdojnë të punojnë. Shumë prej tyre vendosin t’i kushtojnë disa ose shumë vite vetëm familjes. Për ato që shpresojnë të kthehen në punë, autorja e librit, Elizabeth Wilcox, ofron këto këshilla:

“Në rrethana ideale, nënat që kanë në plan të lënë punën për pak kohë, duhet të përpiqen të qëndrojnë në kontakt me tregun e punës, ose duke vazhduar të punojnë nga pak ose duke bërë punë vullnetare në ato fusha ku mendojnë të kthehen si punonjëse të rregullta”, thotë zonja Wilcox.

Elizabeth Wilcox thotë se ndërsa përpiqen të jenë shembulli i mirë për vajzat e tyre, për shumë nëna është e vështirë të zgjedhin midis punës dhe familjes.

Këshilla e zonjës Wilcox është që nënat t’i ndihmojnë vajzat të zbulojnë atë që duan të bëjnë në jetë. //kk//

XS
SM
MD
LG