Lidhje

Shqipëria bën përgatitjet e fundit për zgjedhjet vendore - 2003-10-11


Një ditë para zgjedhjeve vendore të së dielës, Presidenti i Shqipërisë bëri thirrje për një pjesëmarrje të gjerë në votime, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shprehu sigurinë për një proces zgjedhor të rregullt nga pikëpamja teknike.

Presidenti Alfred Moisiu, në një mesazh drejtuar popullit të shtunën në mbërmje tha se pjesëmarrja e gjerë në votime, do të rriste besimin tek institucionet dhe do t’i forconte ato.

Ai edhe një herë theksoi faktin se këto zgjedhje janë të rëndësishme për imazhin e vendit dhe të ardhmen e tij në rrugën e integrimit euro-atlantik.

Fushata zgjedhore u mbyll të premten, kur të dyja partitë më të mëdha, ajo Socialiste dhe ajo Demokratike mbajtën mitingjet e mbylljes së fushatës duke u zotuar se do të fitojnë. Ndërsa e shtuna është ditë e heshtjes para-zgjedhore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shprehu sigurinë për një proces zgjedhor të rregullt nga pikëpamja teknike. Kryetari i këtij komisioni, Ilirian Celibashi tha se janë marrë të gjitha masat që qytetarët të kalojnë një ditë normale në zbatim të ligjit gjatë procesit zgjedhor.

Ndërkohë në Veri të vendit është shpërndarë baza materiale në qendrat e votimit, përfshirë edhe në dy njësi vendore të Shkodrës dhe të Kukësit ku rrezikohej dështimi i procesit të votimeve.

Megjithatë Policia e Shkodrës njoftoi për një incident në zonën e Vaut të Dejës, ndërsa përfaqësues të komisionit zgjedhor të bashkisë së Shkodrës pohuan për nivelin e ulët të kualifikimit të anëtarëve të komisioneve zgjedhore.

Në Jug të Shqipërisë, në pikat kufitare me Greqinë, vazhdon kthimi i emigratëve shqiptarë për votimet. Sipas të dhënave zyrtare rreth 3 mijë emigratë kishin kaluar deri në orët e pasdites pikën kufitare të Kakavijës.//kk//

XS
SM
MD
LG