Lidhje

Një shpërthim i fuqishëm trondit Bagdadin - 2003-10-12


Një person kreu një sulm vetëvrasës në një hotel që ruhej nën masa të rrepta sigurie në qendër të Bagdadit, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë vetëve. Shumë të tjerë u plagosën, mes së cilëve edhe një anëtar i Këshillit Qeverisës së Irakut. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Greg LaMotte shkoi në vendngjarje dhe na sjell hollësi:

Makina shpërtheu në hyrje të Hotelit Bagdad që ruhet nën masa të rrepta sigurie, ku rrinin disa zyrtarë amerikanë, punonjës të sigurisë dhe anëtarë të Këshillit Qeverisës së Irakut.

Disa pronarë dyqanesh në atë zonë thanë se dëgjuan dy shpërthime të njëpasnjëshme. Copërat e xhamave të dritareve u përhapën rreth e qark.

Hoteli, që mbrohej nga mure çimentoje, tela me gjemba, roje sigurie të armatosur rëndë dhe trupa amerikane, ndodhet rreth 60 metra larg hyrjes kryesore.

Pak minuta pas sulmit, në vendngjarje shkuan ambulanca dhe mijëra qytetarë irakianë u grumbulluan për të parë se çfarë kishte ndodhur.

Helikopterët ushtarakë amerikanë, fluturonin mbi vendin e ngjarjes ndërsa disa dhjetra ushtarë ruanin zonën përreth.

Sulmi vetëvrasës me bombë, ishte i dyti i këtij lloji gjatë katër ditëve të fundit. Të enjten një person shkaktoi vdekjen e 10 vetëve pasi automjeti i tij i mbushur me lëndë plasëse shpërtheu para një stacioni policie në Bagdad.//kk//

XS
SM
MD
LG