Lidhje

Jakup Krasniqi: konferenca e Vjenës nuk është e përgatitur - 2003-10-13


Fundjavën që kaloi u zhvillua në New York një konferencë për tërheqjen e investimeve në Kosovë. Ky eshte viti i dytë që qeveria e Kosovës i bën thirrje komunitetit shqiptar dhe afaristëve amerikanë të investojnë në Kosovë. Në konferencë ishte i pranishëm edhe Ministri i Çështjeve Publike Jakup Krasniqi, i cili ishte i ftuar në emisionin Ditari. Ai komentoi mes të tjerash edhe për bisedimet Prishtinë-Beograd.

Zëri i Amerikës: Zoti Krasniqi, para se të ndalemi tek konferenca për investimet në Kosovë, le të flasim për bisedimet Prishtinë-Beograd. Duket se përsëri kur është fjala për probleme të rëndësishme, shqiptarët mezi e gjejnë ose nuk e gjejnë dot gjuhën me njeri-tjetrin. A nuk shkon kjo në favor të atij imazhi të krijuar me ose pa të drejtë se shqiptarët para se të kërkojnë pavarësinë, që të gjithë e kërkojnë në Kosovë duhet në radhë të parë të gjejnë gjuhën me njëri-tjetrin?

Jakup Krasniqi: Populli shqiptar në Kosovë ka mbajtur tre zgjedhje të lira. Ka mbajtur zgjedhjet për parlamentin e Kosovës dhe institucionet e tjera qëndrore në Kosovë dhe do të duhej krejt natyrshëm që çështja e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit të vendosej në parlament dhe parlamenti të merrte vendimin politik për shkruarjen në bisedimet e Vjenë. Ne konsiderojmë se konferenca e Vjenës nuk është e përgatitur. Delegacioni kosovar atje është pa përgjegjësi dhe kompetenca të përcaktuara. Bisedimet do të duhet të zhvilloheshin mes Prishtinës dhe Beogradit, por vetëm pasi të bëhej një marrëveshje paqeje mes Prishtinës dhe Beogradit dhe pas kësaj, mbasi mes dy vendeve ka pas një luftë, atëherë të filloheshin përgatitjet e këtyre bisedimeve. Por paraprakisht qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të Kosovës administrata ndërkombëtare do të duhej t’ju bartëte kompetencat e përgjegjësisë që delegacioni i Kosovës në Vjenë të shkonte me kompetenca të plota dhe të kishte mundësi sovrane për të vendosur për të gjitha format e bisedimeve me palën serbe.

Zëri i Amerikës: Gjithë këto kushte që ju përmendët, a nuk do ta bënte të pamundur fillimin e bisedimeve pasi plotësimi i këtyre kushteve është paksa një proces i gjatë?

Jakup Krasniqi: Plotësimi i këtyre kushteve dhe marrja e një vendimi në parlament do të ishte vërtet krejt e arësyeshme. Po të vendosej kjo çështje në parlament atëherë delegacioni i Kosovës do të ishte i plotëfuqishëm, do të kishte bazën e vet ligjore por edhe do të ishte i përgatitur politikisht dhe do ta merrte përgjegjësinë nga organi ligjvënës, nga parlamenti i cili ka marrë votat e qytetarëve të Kosovës dhe me vendosjen e çështjes në parlament delegacioni i Kosovës do të kishte përgjegjësi dhe mundësi të tjera për të biseduar për Kosovën. Kështu siç janë përgatitur këto bisedime, që në fakt faktori kosovar ka qënë krejt i lënë pas dore dhe pa kompetenca dhe përgjegjësi për të vendosur mbi fatin e vet, nuk di cili do të ishte pozicioni i delegacionit por edhe nuk di se si do të zhvillohen proceset në këtë formë të papërgjegjëshme.

Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar se qeveria e Kosovës me mospjesmarrje në këto bisedime po rrezikon që të prishet uniteti brenda saj dhe të bjerë fare qeveria?

Jakup Krasniqi: Ne mendojmë se qeveria ka kërkuar vërtet krijimin e një uniteti mes faktorit politik shqiptar dhe mendoj që ai unitet ka qënë i arritur në kuvendin e Kosovës. Në këtë kuvend të gjitha subjektet politike u kanë thënë ”po” bisedimeve por pasi do të plotësoheshin disa kushte. Mirëpo çështjen e parlamentit, është një e vërtetë e madhe se e ka penguar kryetari i tij zoti Daci i cili nuk ka lejuar zhvillimin e një debati të gjerë dhe të gjithanshëm në parlament. Në një mënyrë paksa të çuditshme ai hodhi në votim nëse do të vazhdonte apo do të ndërprehej debati. Deputetët për çudi në vend që të kërkonin të debatohej kjo çështje me të vërtetë shumë serioze për Kosovën, për proceset që po i kalon Kosova, për të ardhmen e Kosovës, ata votuan për ndërprerjen e debatit dhe kështu pengohet parlamenti për ta marrë vendimin politik, për ta autorizuar qeverinë për formimin e një platforme politike dhe për formimin e një delegacioni të bisedimeve në konferencën e Vjenës.

Zëri i Amerikës: Zoti Krasniqi, ka zëra që thonë se brenda partisë suaj kanë filluar fraksionet, ka një lloj përçarjeje dhe se nje pjesë është e interesuar për largimin e zotit Rexhepi? A ka ndonjë të vërtetë në to?

Jakup Krasniqi: Jo. Unë mendoj që subjekti politik shqiptar sidomos Partia Demokratike gjatë këtij muaji të fundit i është qasur në mënyrë shumë serioze këtij problemi. Zoti Rexhepi është anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike, është anëtar i këshillit drejtues të kësaj partie dhe ai i ka përcjellë zhvillimet dhe diskutimet që janë bërë në këshillin drejtues të Partisë Demokratike, din vendimet e këtij organi vendimmarrës të partisë dhe natyrisht ai ka mbajtur qëndrimin edhe të partisë por njëkohësisht edhe të qeverisë, sepse edhe në qeveri është biseduar për këto probleme dhe në qeveri është marrë vendimi që nëse parlamenti i Kosovës merr vendimin politik, e autorizon qeverinë për bisedime atëherë ajo do të përgatitej për konferencën e Vjenës.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, zoti Thaçi tha mbrëmë se refuzimi i zotit Rexhepi është qëndrimi i tij personal?

Jakup Krasniqi: Jo, unë mendoj se qëndrimi i zotit Rexhepi nuk ka qënë qëndrim personal por ka qënë edhe vendim i qeverisë por edhe vendim që del nga qëndrimet e këshillit drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës.

Zëri i Amerikës: A gëzon zoti Rexhepi mbështetjen e plotë të partisë suaj?

Jakup Krasniqi: Natyrisht, edhe në këto momente zoti Rexhepi vazhdon ta ketë besimin e Partisë Demokratike të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Krasniqi, të ndalemi tani tek problemi i konferencës për të cilën ju erdhët këtu në New York. Sa e efektshme mund të jetë një konferencë e tillë për të tërhequr investitorë për investime qoftë nga afaristë shqiptarë, qoftë nga afaristë amerikanë në një kohë që klima politike në Kosovë të paktën në prag të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit duket se është më tashmë e paqëndrueshme?

Jakup Krasniqi: Për këtë konferencë është bërë një përgatitje para shumë kohësh. Është në interesin e Kosovës që të tërhiqen investitorë nga të gjitha vendet që janë të interesuara që të investojnë në Kosovë dhe të kenë fitimet e tyre në Kosovë. Për këtë arsye ne dimë që në Shtetet e Bashkuara ka shumë bashkëatdhetar që kanë një fuqi ekonomike, që kanë mundësi që kapitalin e tyre ta investojnë në Kosovë dhe të fitojnë në Kosovë. Prandaj qeveria e Kosovës në këtë rast ka parë të arsyeshme të organizojë një konferencë ku ti thërrasë të gjithë afaristët shqiptarë por edhe jo shqiptarë të SHBA, ku të tregojë kushtet dhe mundësitë që janë krijuar, si ato ligjore edhe nga pushteti qëndror edhe nga ai lokal dhe ne mendojmë që ka hapësirë dhe ka mundësi për të investuar në Kosovë dhe ka hapësirë për të nxjerrë fitime.

Zëri i Amerikës: Zoti Krasniqi, çfarë po bëhet me procesin e privatizimit. Administrata ndërkombëtare e anulojë për sqarimin e disa çështjeve ligjore. A mund të jepni një status të fundit të këtij procesi?

Jakup Krasniqi: Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm ka ndërprerë përkohësisht çështjen e privatizimit por ajo duhet të verifikohet nga bordi mbikqyrës i AKMsë dhe ajo nuk është bërë, prandaj është një ndërprerje e përkohëshme. Ne e konsiderojmë se ndërprerja në këtë formë e privatizimit pengon realizimin e standartit të parë, zhvillimit ekonomik dhe në të vërtetë kjo duhet të shikohet mirë si nga administrata ndërkombëtare si nga ajo vendore se kjo pengon zhvillimin ekonomik të Kosovës, pengon realizimin e një standarti, i cili është ndoshta një nga standartet kyçe për zhvillimin e të gjitha proceseve në vijim në Kosovë dhe ne shpresojmë që kjo pengesë do të hiqet.

XS
SM
MD
LG