Lidhje

Libri amerikan: Shkolla e ëndrrave - 2003-10-14


Sipas një studimi të kohëve të fundit të institutit Brookings, nxënësit amerikanë bëjnë mesatarisht 19 minuta detyra shtëpie çdo ditë.

Por në shkollën e mesme Whitney në Cerritos të Kalifornisë është ndryshe. Në këtë shkollë, nxënësit zgjedhin lëndët më të vështira, rrinë zgjuar deri vonë duke mësuar dhe konkurrojnë ashpër për rezultate të shkëlqyera.

Gazetari Edward Humes, fitues i çmimit Pulitzer shkruan për këtë shkollë në librin e tij: “School of Dreams: Making the Grade at a Top American High School”. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Nancy Beardsley:

Për të shkruar librin e tij të ri, Edward Humes iu kthye shkollës. Ai mori pjesë në orë mësimi, u bë shok me nxënësit e tjerë, madje edhe bëri detyra dhe provime. Synimi i tij ishte të provonte personalisht ngarkesën e jashtëzakonshme në shkollën e mesme Whitney.

Në librin “School of Dreams: Making the grade at a top American School”, “Shkolla e Ëndrrave: Si të kesh sukses në një nga shkollat më të mira të mesme amerikane”, ai shkruan:

“Është një shkollë që vërtet vë në plan të parë mësimin. Në shkollën Whitney, orët e mësimit nuk janë ato çaste të mërzitshme që ndodhin në hapësirat mes atyre gjërave që u interesojnë vërtet nxënësve. Orët e mësimit janë në qendër të vëmendjes së nxënësve këtu dhe ta punojnë shumë, më shumë mendoj sesa nxënësit e shkëlqyer të brezave të kaluar, sigurisht më shumë se brezi im”.

Një nxënës i shkollës Whiteny e quan “katrën”, një numër magjik. Ai shpesh fle katër orë, pinte katër kafe ekspres në ditë dhe synon numrin katër, si maksimumin e përkryer të rezultateve përfundimtare. Në Whitney nuk ka probleme me disiplinën dhe nxënësit marrin katër deri në pesë lëndë universitare.

Autori Humes thotë se kjo shkollë i sfidon stereotipet e krijuara, sipas së cilave adoleshentët mendojnë vetëm për t’u zbavitur dhe se shkollat publike nuk mund të jenë të suksesshme. Ai shton se kjo shkollë u transformua me një buxhet modest.

Kjo shkollë u hap para 25 vjetësh si qendër të mësuari, por nuk kishte shumë nxënës që shkonin aty. Ndërsa ishte gati për t’u mbyllur, drejtori dhe disa nga mësuesit patën idenë që të përdornin një program akademik tërheqës ku përgatitjet për të hyrë në universitet fillojnë në moshën 12 vjeç.

Tani shkolla Whitney pranon 20 për qind të studentëve më të mirë të distriktit, që duhet në fillim të japin një provim.

Megjithë programin e vështirë, ka nga ata nxënës që gjejnë një ekuilibër mes mësimit dhe gjërave të tjera. Njëri prej tyre është Yi Wei:

“Mendoj se në mënyrë ironike, nuk janë njerëzit më shumë nën stres, që kanë rezultate më të mira. Ata nuk ia dalin aq mirë dhe prindërit ushtrojnë trysni mbi ta. Më të suksesshëm janë nxënësit, të cilët prindërit i lënë të qetë”.

Edward Humes është dakord me të dhe thotë se Whitney është një shkollë për nxënës ambiciozë, jo thjesht nxënës me prindër ambiciozë. Por megjithëse kjo shkollë nuk është për këdo, ai mendon se disa nga elementet e saj mund të përdoren edhe në shkolla të tjera.

Zoti Humes thotë se shumica e nxënësve për të cilët ai shkruan në librin e tij, janë pranuar në një nga universitetet që ata kanë zgjedhur. Dhe ata janë shumë të përgatitur për pëunën që i pret në universitet. Në fakt ata kanë më shumë kohë të lirë tani sesa ç’kishin kur ishin nxënës në shkollën e mesme Whitney.//ii

XS
SM
MD
LG