Lidhje

ODIHR: Votimi në Shqipëri më mirë se në të kaluarën - 2003-10-14


Organizatat ndërkombëtare që vëzhguan zgjedhjet vendore të ditës së diel në Shqipëri vunë në dukje përmirësime në krahasim me votimet e mëparshme, por thonë se ende mbeten probleme për t’u zgjidhur.

Ambasadori Robert Barry, i cili kryesoi misionin e OSBE-së, tha se votimi i ditës së diel u zhvillua në një mjedis më të pjekur politik se në të kaluarën.

Ai vuri në dukje se partitë politike e trajtuan njëra tjetrën si rivale të ligjshme, pa retorikën e ashpër që ka karakterizuar fushatat e mëparshme. Mirëpo, ai theksoi nevojën për zgjidhjen e të metave në mënyrë që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Vëzhguesit thanë se Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i takon merita për zhvillimin e zgjedhjeve përgjithësisht në mënyrë profesionale, transparente dhe të drejtë.

Mirëpo, ata theksuan se mungesa e regullave të efektshme procedurale kishte vonuar zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të rëndësishme, çlirimin e fondeve për fushatën dhe përgatitjen e anëtarëve të komisioneve të nivelit më të ulët.

Ata vunë gjithashtu në dukje se ndryshimet në momentet e fundit në listat e votuesve shkaktuan çrregullime ditën e zgjedhjeve.

Partitë politike e komentojne në mënyra të kundërta raportin paraprak

Partitë kryesore politike në Tiranë komunikuan në mënyra të kundërta raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë mbi zgjedhjet vendore. Partia Socialiste u pajtua plotësisht me vlerësimet e raportit të vëzhguesve dhe u angazhua të respektojë rekomandimet e tyre për të ardhmen.

Kryetari i PS, Fatos Nano, deklaroi se zgjedhjet vendore shënuan një përparim të dukshëm në plotësimin e standarteve për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “PS deklaron pa ekuivoke se e njeh dhe e pranon rezultatin e këtyre zgjedhjeve sipas vullnetit të lirë që shprehën zgjedhësit shqiptarë në të gjitha komunat dhe bashkitë. Njëkohësisht, PSSH fton institucionet zgjedhore të vazhdojnë të sillen me korrektësi në procesin e administrimit të dokumentacionit, shqyrtimit të ankesave zgjedhore dhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar brenda afateve ligjore” – tha ai.

Zoti Nano theksoi se autoritetet do të vazhdojnë punën për saktësimin e mëtejshëm të listave zgjedhore, ku sivjet janë rishfaqur pasaktësi teknike. “Unë kam shënuar me maturi dhe kënaqësi qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve në zgjedhje shqiptarë edhe këtë vit dhe po ndjek me të njëjtin shqetësim si publiku dhe institucionet që ngarkon ligji cështjet e konsolidimit të regjistrit të votuesve dhe të zgjidhjes në të ardhmen të problemeve të informimit të cdo zgjedhësi për qendrën e votimit ku ushtron një nga të drejtat dhe liritë themelore të tij”- tha kryeministri.

Zoti Nano tha se zgjedhjet vërtetuan sërisht shumicën socialiste. Ai vlerësoi fitoren e opozitës në bashki dhe komuna të tjera, duke kërkuar që kundërshtimet mbi zgjedhjet të ndjekin rrugën ligjore.

Por një lexim shumë të ndryshëm i bëri raportit të vëzhguesve ndërkombëtarë Partia Demokratike e opozitës. Kryetari i saj, Sali Berisha tha për shtypin se raporti i vëzhguesve vërteton shkeljet e socialistëve dhe kundërshtimet e opozitës.

“Zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme, dhe me Nanon nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ambasadori Barry u shpreh qartë se zgjedhjet ishin një hap drejt plotësimit të standardeve, pra zgjedhjet nuk plotësuan standartet ndërkombëtare dhe europiane të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha kryetari demokrat.

Zoti Berisha tha se sidomos në Tiranë dhe Durrës ku PD nuk i njeh zgjedhjet, parregullsitë e listave janë të mëdha dhe ai do t’u dërgonte vëzhguesve të ODIHR materiale voluminoze për këto shkelje.

“Misionet kanë konstatuar se nxjerrja e rezultateve po shkon keq në Tiranë, në Durrës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dështuar të mbajë zotimin e tij për të nxjerrë rezultatet paraprake dhe vihet në pikëpyetje shumë finalja, pra nxjerrja e rezultateve në afatin ligjor. Dihet që kur rezultatet vonohen, janë duke vepruar manipuluesit”.

Zoti Berisha hodhi poshtë deklaratat e politikanëve socialistë, sipas të cilëve PS dhe PD kanë përgjegjësi të përbashkët në përgatitjen e listave. Ai tha se ato janë përgatitur nga zyrat shtetërore të gjendjes civile dhe janë dëmtuar nga përpunimet e ndryshme në KQZ.//ii

XS
SM
MD
LG