Lidhje

Të paktën tre amerikanë vriten në Rripine Gazës - 2003-10-15


Të paktën tre amerikanë humbën jetën të merkurën në Rrripin e Gazës, kur një shpërthim i fuqishëm goditi një autokolonë diplomatike amerikane. Zyrtarë të zonës thonë se një amerikan tjetër u plagos rëndë dhe u dërgua në spital. Sipas njoftimeve, viktimat ishin roje amerikane sigurimi.

Zyrtarët të zonës thonë se duket që shpërthimi ishte shkaktuar nga një bombë e vendosur anës së rrugës, e cila shpërtheu kur autokolona po udhëtonte në afërsi të qytetit palestinez Beit Hanun, në jug të vendkalimit kufitar Erez midis Izraelit dhe Rripit të Gazës. Një nga makinat e autokolonës u shkatërrua plotësisht.

Ende nuk dihet me siguri se kush po udhëtonte me autokolonën amerikane. Diplomatë amerikanë dhe përfaqësues të Cias udhëtojnë shpesh në zonat palestineze si pjesë e një ekipi që vëzhgon dhe mbikëqyrë zbatimin e planit të ri të paqes. Deri tani, askush nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.

Zyrtarë të lartë palestinezë e dënuan menjëherë sulmin. Gjatë një interviste me rrjetin televizi amerikan CNN, kreu i ekipit palestinez në bisedimet e paqes, Saeb Erekat, bëri thirrje edhe për një proces të përbashkët hetimor amerikano palestinez.

Shpërthimi ndodhi vetëm pak orë pasi Shtetet e Bashkuara i vunë veton një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën dënohet ndërtimi i një muri sigurimi nga ana e Izraelit që hyn edhe në zona palestineze. Ambasadori amerikan në OKB, John Negroponte, tha se projektrezoluta e propozuar nga Siria nuk trajton të dy anët e çështjes së sigurisë në Lindjen e Mesme. Ai tha se projektrezoluta nuk është e balancuar dhe nuk dënon terrorizmin në mënyrë specifike.//xh//

XS
SM
MD
LG