Lidhje

Në Shqipëri nuk del rezultati  i zgjedhjeve edhe 4 ditë pas 12 tetorit - 2003-10-16


Komisionet zgjedhore të Tiranës janë përfshirë nga rrëmuja në procesin e fundit të dokumentimit të rezultateve të zgjedhjeve vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjobiti sot me afro 150 USD secilin pothuaj të gjithë komisionerët e kryeqytetit për shkak të vonesave në nxjerrjen e rezultateve dhe përcjelljen e dokumentave dhe kutive të votimit në komisionet më të larta.

Zëdhënësi i KQZ, Erton Sinani edhe sot vazhdoi publikimin e rezultateve të pjesshme nga Vlora dhe Sarada si cdo ditë në qytete të ndryshme. Ai tha se rezultatet përfundimtare do të nxirren kur të mblidhen të gjitha materialet. “ Duhet të theksoj se të dhënat përfundimtare dhe shpallja e tyre në total do të bëhet pasi të gjitha komisionet zgjedhore të qeverisjes vendore të kenë sjellë materialet këtu, pra kur të mos ketë mbetur asnjë për t’u pritur atëherë KQZ do të bëjë publike shpalljen përfundimtare të rezultateve. Deri tani kemi të dhëna sipas KZQV” – tha ai. Opozita nga ana tjetër po proteston për parregullsi të shumta në listat zgjedhore dhe kutitë e votimit.

Zëdhënësi i PD, Edi Paloka, thotë se në Tiranë komisionerët kanë gjetur kuti të hapura, pa vula, dhe me proces-verbale të ngatërruara. Ndërsa, fletët e tepërta të votimit janë zhdukur e njëkohësisht nëpër kuti janë gjetur shumë më tepër fletë votimi se numri i njerëzve që kanë votuar praën tyre. “Të gjitha bëhen me qëllim nga anëtarët e PS në komisione, në bashkëpunim me KQZ. Në lojë ka hyrë edhe policia e cila nuk po pranon të marrë denoncime për këto akte. Nga një anë na thuhet ndiqni rrugën ligjore, për denoncimin e parregullsive, nga ana tjetër policia nuk pranon fare të marrë denoncimet e anëtarëve të komisioneve” – tha ai. Ndërkaq Komisioni Zonal i Tiranës, sapo ka filluar të shqyrtojë materialet e komisioneve më të ulëta. Sipas një anëtari, komisioni ka vendosur paraprakisht të lërë mënjanë dhe të mos marrë në administrim ato kuti votimi që janë të parregullta, të hapura me shkelje dhe pa process-verbale sipas ligjit.

Tirana dhe Durrësi janë dy pikat më të nxehta të debateve ndërmjet partive kryesore. PD ka deklaruar se për shkak të parregullsive të shumta, nuk do të njohë zgjedhjet në Tiranë dhe Durrës. PS dhe PD akuzojnë komisionerët e njëra-tjetrës për vonesat dhe parregullsitë e vërejtura.

//rd//

XS
SM
MD
LG