Lidhje

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miraton njëzëri rezolutën e re për Irakun - 2003-10-16


Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi njëzëri rezolutën e re për Irakun, të hartuar nga Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga zyrat e OKB-së, Peter Heinlein, tre vendet evropiane që shprehën skepticizëm lidhur me luftën në Irak - Franca, Gjermania dhe Rusia, ranë dakord ta mbështesin rezolutën, por me rezerva.

Në atë që shihet si një fitore për diplomacinë amerikane dhe atë britanike, rezoluta për rindërtimin e Irakut, e cila disa ditë më parë dukej se ishte bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve, u miratua nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

Projekti përfundimtar i rezolutës u rishikua të paktën 5 herë, por varianti përfundimtar i ruajti elementet kryesore të origjinalit.

Ambasadori amerikan në OKB, John Negroponte, i cili është edhe president i Këshillit të Sigurimit, bëri të njohura rezultatet e votimit në Këshillin e Sigurimit.

Rezoluta u miratua njëzëri me 15 vota në favor,- tha zoti Negroponte.

Projekrezoluta autorizon një forcë shumëkombëshe nën komandën amerikane dhe në të ruhet vizioni i Washingtonit për t’i dhënë sovranitetin popullit irakian, vetëm pas zgjedhjes së një qeverie të qëndrueshme.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, i përgëzoi anëtarët e Këshillit të Sigrimit që arritën në një konsensus, duke e miratuar rezolutën. Por ai theksoi se transferimi i sovranitetit tek populli irakian duhet të realizohet me shpejtësi.

Ky proces ka qenë i vështirë, por rezultati i sotëm tregon qartë për vullnetin e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, për t’i vënë interesat e popullit irakian mbi të tjerat. Objektivi ynë i përbashkët është rikthimi i paqes dhe qëndrueshmërisë në një Irak sovran, të pavarur dhe demokratik, sa më shpejt që të jetë e mundur,- tha zoti Annan.

Votimi në Këshillin e Sigurimit u bë pas disa ditë negociatash dhe konsultimesh deri momentin e fundit. Franca, Gjermania dhe Rusia-tre vende, të cilat kishin shprehur kundërshtimin e tyre për çështje thelbësore të projektrezolutës, vendosën ta mbështesin atë, pas një konference telefonike me video midis udhëheqësve të tyre, disa orë para votimit.

Megjithatë, ato e bënë të qartë se ende kanë rezerva lidhur me afatin e transferimit të pushetit në duart e popullit irakian.

Rezoluta e miratuar njëzëri do t’i japë një nxitje të madhe përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë për realizimin e zotimit të tyre lidhur me trupat dhe paratë që nevojiten për rindërtimin e Irakut. Më 23 tetor, në Madrid do të zhvillohet Konferenca e donatorëve ndërkombëtarë për Irakun.// lk //

XS
SM
MD
LG