Lidhje

13 të vrarë në Irak - 2003-10-17


Njoftohet se 13 veta u vranë në një betejë midis forcave të koalicionit dhe përkrahësve të armatosur të një kleriku vendor në qytetit e shenjtë irakian shiit të Qerbelasë. Zyrtarë ushtarakë amerikanë thanë se 3 anëtarë të policisë ushtarake amerikane dhe 2 policë irakianë u vranë në luftimet që shpërthyen pasi irakianë të armatosur sulmuan një patrullë të përbashkët amerikano irakiane.

Një përkrahës i klerikut Mahmud al-Hasani pretendon se forcat e koalicionit e filluan betejën duke hapur zjarr kundër rojeve të tij të armatosura. Ai tha se në betejë u vranë tetë përkrahës të klerikut. Qyteti i shenjtë shiit i Qerbelasë ka qenë skenë e përleshjeve të përgjakshme gjatë javëve të fundit, përfshirë një mes fraksionit të Ajatollah Muktada al-Sadrit, i cili është kundër koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, dhe përkrahësve të udhëheqësve të tjerë shiitë që bashkëpunojnë me koalicionin.

Majori Mike Escudie është zëdhënës i Komandës Qendrore Amerikane foli me gazetarët rreth këtyre luftimeve.

“U shkëmbye zjarr me armë të lehta dhe granata, ndërkohë autoritetet irakiane dhe policia ushtarake e koalicionit po hetonin njoftimet për persona të armatosur të mbledhur në një rrugë pranë xhamisë, gjatë orëve të ndalim-qarkullimit”.

Ndërkohë në Bagdad, një ushtar amerikan u vra dhe dy të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një bombe të vendosur në rrugë. Më shumë se 100 ushtarë amerikanë janë vrarë në akte armiqësore në Irak që kur Presidenti Bush deklaroi përfundimin e operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë, më një maj. Numri i irakianëve të vrarë nuk është i qartë.

Ndërkohë, mijëra përkrahës të Ajatollah Sadrit demonstruan sot në mënyrë paqesore në Bagdad kundër Këshillit Qeverisë irakian, duke bërë thirrje për largimin e forcave amerikane nga Iraku.

Ndërkaq, Kongresi amerikan përgatitej sot të votonte për kërkesën e Presidentit Bush për 87 miliardë dollarë për rindërtimin e Irakut, ushtarë të tjerë në këtë vend humbën jetën. Këtu në Washington, Kongresi po përgatitet të votojë për kërkesën prej 87 miliardë dollarësh të administratës së Presidentit Bush për shpenzimet në Irak dhe Afganistan.

Megjithatë Shtëpia e Bardhë hasi një pengesë, kur Senati votoi për të këmbëngulur që Iraku t’i kthejë mbrapsht deri në 10 miliardë dollarë të ndihmës për rindërtim. Një grup ligjvënësish nga të dyja partitë thanë se taksapaguesit amerikanë nuk duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet për rindërtimin e Irakut, të ardhurat e mëdha të të cilit nga nafta duhet të mjaftojnë për të kompensuar disa nga këto shpenzime.

//ze//

XS
SM
MD
LG