Lidhje

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian përfundojnë një takimi 2-ditor në Bruksel - 2003-10-17


Projekti për kushtetutën e re të Bashkimit Evropian, i cili ka qënë subjekt debatesh të ashpra midis udhëheqësve të këtij institucioni, përmban dispozita për një integrim më të ngushtë të forcave të armatosura të vendeve anëtare. Por Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se një hap i tillë do të kërcënonte rolin e NATO-s si garantuese e sigurimit evropian.

Washingtoni është veçanërisht i shqetësuar rreth një propozimi, që po nxitet nga Franca dhe Gjermania që Bashkimi Evropian të ketë selinë e vet të planifikimit ushtarak.

Kryeministri britanik, Tony Blair, u përpoq sot të siguronte aleatin e tij amerikan se megjithë që vendi i tij beson në shtimin e bashkëpunimit evropian në fushën e mbrojtjes, Britania nuk do të minonte kurrë aleancën e Atlantikut Verior.

“Ne duam të krijojmë një situatë, ku NATO-ja është baza dhe themeli i mbrojtjes tonë, ku aleanca dhe Shtetet e Bashkuara në se dëshirojnë të angazhohen atëhere NATO-ja do të ishte organizata që do të përdornim. Por ne do të ndeshemi me rrethana të tilla, si për shembull në Maqedoni, ku Amerika për një arsye apo një tjetër nuk dëshiron të angazhohet në një operacion, prandaj është e rëndësishme që Evropa të ketë aftësinë për të vepruar në mënyrë të pavarur.”

Presidenti i Francës, Zhak Shirak, tha se vendi i tij dhe Gjermania do të vazhdojnë bisedimet me Britainë lidhur me hartimin e një politike të brëndshme të përbashkët të Bashkimit Evropian. Por ai e pranoi se një forcë ushtarake evropiane pa Britaninë do të ishte, siç u shpreh ai, jokoherente. Britania dhe Franca janë të vetmet vende anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat kanë atë që zyrtarët e NATO-s thonë se është niveli i duhur i shpenzimeve të mbrojtjes.

Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Britaninë, thonë se ky bllok nuk mund të luajë një rol qëndror në arenën ndërkombëtare pa mbështetjen e një force të duhur ushtarake.

Por siç u shpreh kryetari i takimit të nivelit të lartë, kryeministri italian, Silvio Berluskoni, 25 vendet e tanishme dhe të ardhshme anëtare të Bashkimit Evropian thanë se një forcë e tillë nuk do të jetë në konflikt me NATO-n.

“Forca ushtarake mbrojtëse e Bashkimit Evropian duhet të jetë një forcë shtesë për NATO-n dhe nuk duhet parë kurrë si një zëvëndësuese për NATO-n. Për 50 vjet me radhë, NATO-ja ka qënë një shtyllë e fortë e sigurimit evropian dhe duhet të vazhdojë ta luajë këtë rol.”

Mosmarrëveshja më e fundit trans-atlantike lindi në fillim të kësaj jave kur ambasadori amerikan në NATO kërkoi që të zhvillohet një debat i hapur lidhur me planet mbi mbrojtjen e Bashkimit Evropian. Ambasadori francez u përgjigj duke thënë se së pari Bashkimi Evropian duhet të diskutojëmbi një politikë të përbashkët të mbrojtjes brënda kornizave të bisedimeve lidhur me kushtetutën e saj të parë.

Javën e ardhshme, ambasadorët e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian do të mbajnë një takim të përbashkët mbi këtë çështje. Zyrtarët amerikanë konfirmuan se sekretari i shtetit Colin Powell do të vizitojë Brukselin muajin e ardhshëm për një takim një-ditor me homologët e tij të Bashkimit Evropian.

//ze//

XS
SM
MD
LG