Lidhje

Propozime rreth ndryshimeve të mundshme të strukturës së zbulimit amerikan - 2003-10-17


Ish zyrtarë të zbulimit thonë se komuniteti amerikan i zbulimit u trondit thellë nga sulmet e 11 shtatorit. John Macgaffin, ish zëvëndës-drejtor i operacioneve në CIA, thotë se sulmet terroriste vunë në pah nevojën e përforcimit të shërbimit të brëndshme të zbulimit.

“Ne, tha zoti Macgaffin, duhet të jemi të përgatitur për marrjen e masave paraprake dhe kjo arrihet nëpërmjet operacioneve të brëndshme të zbulimit, nëpërmjet grumbullimit të të dhënave të zbulimit. Kjo është e vështirë të kuptohet nga amerikanët. Por nëse ne nuk veprojmë në këtë mënyrë, njerëzit e këqinj do të na sulmojnë ashtu siç bënë më 11 shtator, një dështim i vërtetë i agjencive të zbulimit, një dështim sistematik për të cilin mbajnë përgjegjësi shumtë elementë të qeverisë.”

Në Shtetet e Bashkuara, zbulimi i brëndshëm dhe ai i jashtëm janë të ndarë. Operacionet e zbulimit të brëndshëm mbikqyren nga Byroja Federale e Hetime, cila është kryesisht agjenci e rendit, kurse grumbullimi i informacioneve të jashtme të zbulimit bëhet nga CIA.

Todd Masse, specialist i zbulimit në Shërbimin Kërkimor të Kongresit, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë nguruar gjithnjë t’u japin tepër pushtet agjencive të zbulimit, sidomos brenda vendit.

“Historikisht, arsyeja që zbulimi i brëndshëm ishte ndarë nga zbulimi i jashtëm në Shtetet e Bashkuara është thjeshtë se Washingtoni nguronte të krijonte një agjenci të brëndshme spiunazhi si Gestapoja. Në Luftën e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara luftuan kundër Gestapos dhe nuk donin të krijonin një gestapo tjetër në Amerikë.”

Analistët thonë se ekzistojnë 3 ide për ndryshimin e strukturës së zbulimit të brëndshëm. Njëra bën thirrje për përforcimin e FBI-së. Në bazë të idesë së dytë, departamenti i ri i sigurisë kombëtare do të kishte një degë të zbulimit të brëndshëm dhe sipas idesë së tretë, do të krijohej një agjenci krejt e re e pavarur e zbulimit të brëndshëm si ajo e Britanisë.

Puna e FBI-së është vlerësuar lart, por shumë analistë mendojnë se agjencitë e rendit dhe ato të zbulimit nuk duhen përzjerë. Martin Rudner, drejtor i Qendrës për Studimet e Zbulimit e të Sigurimit në Universitetin Carleton në Kanada, thotë se kultura e punës së agjencive të zbulimit dhe forcave policore janë mjaft të ndryshme. Detyra e agjencive të zbulimit është përgjimi për të identifikuar të gjithë njerzit në rrjetin e ndërlikuar në veprimtari që përbën shkelje të ligjit, thotë zoti Rudner, ndërsa agjencitë e rendit kërkojnë t’i paraqesin prokurorisë provat në mënyrë që të ngrihen akuza kundër personave që shkelin ligjin.

Amy Zegart, specialiste e çështjeve të zbulimit në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles, thotë se ekziston një problem edhe për sa i përket bashkërendimit dhe bashkëpunimit midis 35 agjencive qevertare që merren me informacionin e zbulimit në një mënyrë apo një tjetër.

“Nuk ka dyshim, tha zonja Zegart, se kemi një komunitet agjencish të ndryshme, të cilat përballen me vështirësi kur përpiqen të bashkëpunojnë, pjesërisht për shkak të numrit të tyre të madh, pjesërisht për shkak të pengesave ligjore dhe pasi në krye të tij nuk është një person i vetëm përgjegjës për buxhetin e zbulimit dhe të caktojë përparësitë e tij praktike.”

Disa vëzhgues, si ish drejtori i CIA-s, John Deutsch, favorizon centralizimin e mëtejshëm të agjencive të zbulimit, krijimin e një lloj cari të zbulimit. Në teori, një post i tillë ekziston. Në bazë të Aktit të pas luftës së dytë botërore mbi sigurinë kombëtare, drejtori i CIA-s është edhe drejtor i zbulimit qëndror, titullar i gjithë komunitetit të zbulimit. Por në realitet, thonë analistët e çështjeve të zbulimit, ai thuajse nuk ka asnjë kontroll mbi buxhetin ose programet e agjencive të shumta që merren me çështjet e zbulimit.

//ze//

XS
SM
MD
LG