Lidhje

Shala: qeveria e Kosovës duhet ta ruajë unitetin - 2003-10-17


Bisedimet e Vjenës shkaktuan tension dhe përçarje mes politikanëve në Kosovë. Botuesi i gazetës "Zëri", në Kosovë, Blerim Shala, në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se është e rëndësishme që udhëheqësit e tre partive në koalicionin qeveritar të Kosovës të ruajnë konsensusin.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, bisedimet shqiptaro-serbe do të ishin thjesht për çështje teknike. Përse u krijua gjithë ky tension rreth tyre dhe si do të ndikojë procesi i sapo filluar për politikën në Kosovë ?

Blerim Shala: Më duket se tensioni përsa u përket bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit për çështje praktike është para së gjithash pasojë e mosorganizimit të duhur të tyre prej UNMIK-ut, prej bashkësisë ndërkombëtare por edhe prej vetë aktorëve kryesorë, prej qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Edhe pse në të kaluarën është dhënë një "PO" parimore për bisedime me të gjithë fqinjët, siç është thënë nga ana e kosovarëve, sidomos kjo është vërtetuar në samitin e Unionit Evropian në Selanik; më vonë gjatë verës kanë ndodhur gjëra shumë të rënda të cilat kanë ndërlikuar shumë procesin e dialogut dhe këto nuk janë marrë shumë parasysh as nga shefi i ri i UNMIK-ut, as nga bashkësia ndërkombëtare, të cilët me çdo kusht dëshironin që të fillojë ky proces, edhe ata të bindur që fillimi do të jetë tepër i vështirë. Por nga ana tjetër, të bindur që vetë takimet do të jenë një kualitet i ri dhe do të krijojë një atmosferë të re të mirëkuptimit midis Prishtinës dhe Beogradit. Siç u pa edhe në takimin e parë më duket që kjo është iluzion. Pozicionet e njërës dhe tjetrës palë janë krejtësisht të papajtueshme, ky është një proces i pakthyeshëm. Mendoj që sa më herët që të kuptohet realiteti i ri në Kosovë dhe domosdoshmëria e adresimit të statusit final, aq më mirë, sepse në atë rast do të krijohen rrethana krejtësisht të reja edhe për bisedat për çështje praktike.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala ajo që ra në sy në bisedimet Vjenës, për palën shqiptare, ishte një fenomen tashmë i përsëritur, që kur është fjala për çështje të rëndësishme politikanët shqiptarë e kanë të vështirë të arrijnë një konsensus. Çfarë ndikoi këtë radhë, frika para elektoratit apo mospërgatitja e palës shqiptare për takime të drejtëpërdrejta, veç asaj që thatë ju, organizimi jo i mirë i bisedimeve?

Blerim Shala: Po është e vërtetë që mekanizmi vendim-marrës në Kosovë ka dështuar plotësisht kësaj radhe. Edhe ashtu siç e dini kemi të bëjmë me një qeveri të koalicionit të tri partive, një qeveri mjaft të ndërlikuar në parim, e cila është krijuar në bazë të votimit të nëntorit të vitit 2001, por mos harojmë edhe në saj të marrëveshjes së veçantë politike midis tre liderëve në shkurt të vitit 2002. Ky dyzim legjitimitetesh përmes votash dhe përmes marrëveshjes e bënë mjaft të komplikuar procesin vendimmarrës në skenën politike kosovare. Më duket që ka pasë lojra të ndryshme midis vetë liderëve. Ka pasur hesape të ndryshme të cilat në fund dolën të gabuara. Ne në parim kemi gabuar që nuk kemi shkuar bashkarisht në Vienë, sepse në këtë mënyrë kemi dhënë një sinjal mjaft të keq veçanërisht shteteve që na kanë ndihmuar shumë në vitet ’98-99 të cilat dëshirojnë të na shohin të bashkuar, dëshirojnë të shohin elitën politike kosovare që funksionon, që është e përgjegjëshme, që di të marrë vendime të vështira sidomos në raste siç ishte ky. Tek e fundit kjo përvojë është mjaft e keqe dhe për periudhën kur do të shtrohet çështja e statusit final. Zyrtarët perendimorë në mënyrë konfidenciale thonë hapur që nëse shqiptarët nuk janë në gjendje të merren vesh tani për çështjet praktike, që megjithatë nuk kanë ndonjë peshë të veçantë, si do të jenë në gjendje të merren vesh atëherë kur çështja e statusit final do të jetë kryesorja.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ata kanë nxjerrë ndonjë mësim, nga gjithë këto që thatë ju, pra nga bisedimet e Vienës, për të ardhmen?

Blerim Shala: Po mendoj se sot ata e njohin realitetin në Kosovë, shumica prej tyre janë të tillë. E dinë fare mirë që ky proces do të dështojë. Nuk ka mekanizëm të mirëfilltë në këtë proces të përgatitur prej UNMIK-ut që do të mund të çonte në suksesin e dialogut për çështje praktike. Në anën tjetër nuk ka mekanizma të imponimit as të vetë perendimorëve, agjenda prej katër pikave nuk ka afat kohor, prandaj më duket që në parim ata e dinë që e tëra është një lloj eksperimenti. Ata duan të shohin se si do të funksionojë ky eksperiment, duan të shohin çfarë do të ofrojë pala kosovare, çfarë do të ofrojë pala serbe, cila palë është më e përgatitur më e shkathët, cila është më në gjendje të ofrojë propozime më interesante për Perëndimin. Është një lloj përgatitje për procesin e statusit final dhe perëndimorët duan të shohin sa është e përgatitur njëra dhe tjetra palë. Në momentet kyçe natyrisht mund të presim një lloj ndërmjetësimi të fuqishëm të Perëndimit, shpresojmë që të gjithë së paku të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ky ndërmjetësim do të bazohet në propozimet që i përgatisim ne dhe Beogradi.

Zëri i Amerikës: Kryeadministratori Holkeri ka thënë se grupet e punës për vazhdimin e bisedimeve pritet të krijohen në nëntor. A është ky afat realist?

Blerim Shala: Po mendoj që nuk është realist. Në Prishtinë dhe në Beograd ka probleme serioze. Në Beograd qeveria e Serbisë është para shpartallimit, ka rrezik të madh që të dështojë në kuvendin e Serbisë dhe kriza politike e legjitimitetit në Serbi po fuqizohet gjithnjë e më tepër. Sipas të gjitha gjasave atje do të ketë zgjedhje të parakohëshme diku në pranverën e vitit të ardhshëm. Mund të paramendoni në këtë rast se sa do të jetë qeveria e Serbisë e gatshme të hyjë në një dialog në mënyrë të sinqertë dhe me vullnet të mirë, siç pritet nga UNMIK-u. Tek qeveria e Kosovës duhet të ruhet gjithsesi konsensusi midis udhëheqësve politikë, sepse nuk ka variant tjetër. Ne nuk mund të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme, tek e fundit zgjedhjet e rregullta janë të planifikuar për vjeshtën e vitit të ardhshëm. Prandaj në këtë aspekt presim komplikime mjaft të mëdha. Sidoqoftë, siç thashë, qeveria e Kosovës duhet ta ruajë unitetin dhe liderat kryesorë të Kosovës duhet të gjejnë mënyrë që të tejkalojnë problemet me të cilat po ballafaqohen sot.

XS
SM
MD
LG