Lidhje

Presidenti Bush mbërrin në Tailandë - 2003-10-18


Presidenti Bush mbrriti në Tailandë, ku do të marrë pjesë në një konferencë ekonomike të vendeve aziatike. Tailanda është ndalesa e fundit e turneut të tij në këtë rajon.

Gjatë takimit të vendeve të Azi-Paqësorit për bashkëpunimin ekonomik, që fillon të hënën, presidenti Bush pritet të bëjë thirrje për bashkëpunim më të madh në luftën kundër terrorizmit.

Presidenti Bush do të takohet gjithashtu me kryeministrin tailandez, Thaksin Shinawatra, nesër. Zyrtarët amerikanë thanë se ka të ngjarë që presidenti ta shpallë Tailandën një aleate kryesore të Shteteve të Bashkuara jashtë rradhëve të NATO-s, duke i dhënë këtij vendi statusin elitë, që e lejon të marë ndihma më të mëdha ushtarake.

Para se të shkonte në Tailandë, Presidenti Bush ishte për vizitë në Filipine, ku bashkë me presidenten Gloria Arroyo, ranë dakord të shtojnë bashkëpunimin ushtarak për të luftuar terrorizmin në Azinë jug-lindore.

Zoti Bush mbajti një fjalim në kongresin filipinas, ku përsëriti mbështetjen amerikane për demokracinë e atij vendi pas një revolte të pasukseshme të ushtrisë në korrik të këtij viti.

Në luftën kundër terrorizmit, presidenti Bush tha se aleance ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Filipineve është një shtyllë stabiliteti në Paqësor.

Gjatë një fjalimi që mbajti para kongresit filipinas, presidenti Bush vlerësoi lart presidenten Arroyo për masat që ka marrë për të ndaluar veprimtarinë e grupit Abu Sayyaf, i cili ka rrëmbyer dhe vrarë turistë të huaj.

Presidenti tha se të dyja vendet po përmirësojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes për të mposhtur terroristët e këtij grupi si dhe anëtarët e rrjetit Xhemah Islamija, që kanë lidhje me rrjetin terrorist, Al-Kaida dhe që është fajësuar për shpërthimet në Indonezi.

Presidenti Bush u tha ligjvënësve filipinas se Amerika dhe Filipinet ndajnë vendosmërinë për të mbrojtur popujt e tyre nga sulme të tjera terroriste.

“Ne kemi përjetuar dhunën dhe dhimbjen e shkaktuar nga terrori. Ne e dimë se armiku synon të përhapë frikë dhe kaos. Dy vendet tona kanë zgjedhur rrugën e tyre. Ne do të vetëmbrohemi, do të mbrojmë qytetërimin tonë dhe paqen në botë. Ne nuk do të frikësohemi nga terroristët.”

Presidenti Bush mbështeti përpjekjet e homologes së tij Arroyo për të arritur paqe me Frontin Moro për Çlirimin Islamik në ishullin Mindanao, duke u bërë thirrje të gjithë anëtarëve të atij grupi që të kundërshtonin terrorizmin dhe të futeshin në rrugën e negociatave politike. Vetëm në qoftë se ata e bëjnë një gjë të tillë, tha zoti Bush, Washingtoni do të japë ndihma zhvillimi për popullin e Mindanaos.

Presidenti amerikan tha se të gjitha vendet kanë përgjegjësinë që të mposhtin terroristët, sepse ata kërcënojnë idealet bazë të lirisë fetare, sipërmarrjes së lirë dhe sundimit të ligjit.

“Ashtu si militaristë dhe fashistë të tjerë para tyre, terroristët dhe aleatët e tyre përpiqen të kontrollojnë çdo mendje dhe zemër. Ata përpiqen të përhapin kaos dhe frikë, të frikësojnë shoqëri të tëra dhe të shtypin të gjithë opozitën. Ata përpiqen të zotërojnë armë të shkatërrimit në masë për të çuar urrejtjen e tyre në gjenocid.”

Aktualisht Shtetet e Bashkuara u japin Filipineve më shumë se 114 milion dollarë në ndihma ushtarake. Presidentja Arroyo ishte mes udhëheqësve të parë botërorë që iu përgjigj thirrjes së presidentit Bush për të luftuar terrorizmin pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në New York dhe Washington.

Gjatë vizitës në Filipine presidenti Bush kishte gjithashtu për synim që të falenderonte presidenten Arroyo për atë mbështetje, pas një revolte të pasukseshme të ushtrisë kundër zonjës Arroyo këtë vit.

Gjatë fjalimit të tij para kongresit filipinas, presidenti Bush përsëriti mbështetjen e Washingtonit për demokracinë në Filipine, duke thënë se demokracia e parë në Azi ka frymëzuar lirinë në gjithë Paqësorin perëndimor.

“Ruajtja e lirisë nuk është gjithnjë diçka e lehtë. Bota ishte dëshmitare korrikun që shkoi për atë që ndodhi këtu në Filipine. Të gjitha vendet e lira u gëzuan kur kryengritja kundër qeverisë filipinase dështoi. Populli i këtij vendi luftoi shumë për një kohë të gjatë për të mos ia dorëzuar lirinë konspiracionit të disa njerzve.”

Pas fjalimit në kongresin filipinas, presidenti Bush dhe bashkëshortja e tij Laura, ishin të ftuar në një darkë zyrtare në pallatin presidencial. //kk//

XS
SM
MD
LG