Lidhje

Bush: Vendet e botës duhet të shkëmbejnë informacione për terrorizmin - 2003-10-19


Presidenti Bush thotë se një kasetë e re që pretendohet të jetë regjistruar nga udhëheqësi i al-Kaidës, Osama bin Laden, tregon se lufta kundër terrorit vazhdon dhe se vendet e botës duhet të qëndrojnë të bashkuara kundër këtij kërcënimi.

Duke folur në Bankok, në prag të takimit të nivelit të lartë të Apekut, Presidenti Bush tha se të gjitha vendet duhet të shkëmbejnë informacionin e zbulimit rreth terroristëve, të bllokojnë rrjetin e tyre të financimit dhe t’i sjellin ata para drejtësisë.

Në një kasetë të transmetuar të shtunën nga rrjeti televiziv Al-Xhazira, folësi, për të cilin thuhet se është Osama bin Ladeni, kërcënon se do të kryhen sulme të tjera vetëvrasëse kundër amerikanëve brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara.

Zëri u bën thirrje irakianëve të mos bashkëpunojnë me koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, por të hidhen në një luftë të shenjtë kundër forcave pushtuese. Zëri paralajmëron gjithashtu se vendet që mbështesin operacionet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Irak, mund të bëhen objektivë të al-Kaidës.

Zyrtarë amerikanë të zbulimit, të cilët po e analizojnë kasetën e re, ende nuk kanë komentuar rreth vërtetësisë së saj. Vendndodhja e bin Ladenit dhe e udhëheqësve të tjerë të al-Kaidës nuk dihet.//kk//

XS
SM
MD
LG