Lidhje

Zbatimi i plani të paqes për Lindjen e Mesme, i pamundur për momentin - 2003-10-19


Pas tri vjet dhune midis Izraelit dhe palestinezëve, disa ekspertë të çështjeve të Lindjes së Mesme thonë se tani nuk është koha që Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të ringjallin procesin e paqes.

Në një konflikt, në të cilin kanë humbur jetën afro 2 mijë e 500 palestinezë dhe mbi 800 izraelitë, këta analistë thonë se vazhdimi i gjakderdhjes e ka bërë të pamundur zbatimin e planit të paqes dhe ka bllokuar të gjitha përpjekjet për ndaljen e konfliktit.

Ish i dërguari amerikan në Lindjen e Mesme, Denis Ros, thotë se nuk ka thuajse asnjë mundësi për përparim në përpjekjet për zbatimin e planit të paqes, ndërkohë që dhuna vazhdon në Izrael, Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës.

Plani i paqes, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, ishte hartuar si proces shkallë shkallë që do të çonte në krijimin e një shteti palestinez brenda vitit 2005.

Zoti Ros thotë se megjithëse gjatë takimit të nivelit të lartë të vitit 2000, në Kampin David u duk sikur Izraeli dhe palestinezët ishin afër një marrëveshjeje, tani nuk ka snjë arsye që të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve:

“Para tre vjetësh ne flisnim për arritjen e paqes. Ju duhet ta kuptoni gjendjen e sotme. Ne po flasim tani për t’i dhënë fund një lufte”.

Anëtari i kabinetit izraelit, Rabini Michael Mechior, ishte përkrahës i marrëveshjes së Osllos dhe mori pjesë në bisedimet në Kampin David.

“Në këtë kohë ne nuk mund të arrijmë një zgjidhje të përgjithshme paqeje. Bile as që duhen bërë përpjekje në këtë drejtim, pasi çdo herë që përpiqemi dhe dështojmë, thekson Rabini, dëshprimi dhe mungesa e shpresave u hapin rrugën ekstremsitëve të mbizotërojnë”.

Ish-zyrtari i lartë i shërbimit izraelit të zbulimit, Yossi Alpher, thotë se udhëheqësi palestinez, Jaser Arafat, ka minuar përpjekjet izraelite dhe amerikane të paqes për të mbështetur udhëheqës të tjerë palestinezë, që kërkojnë t’i japin fund dhunës dhe të çojnë përpara procesin e paqes.

Duke reaguar ndaj vrasjes kohët e fundit të tre amerikanëve në Rripin e Gazës, sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Powell, tha se nuk do të bëhet përparim drejt zgjidhjes së konfliktit irzaelito palestinez para se t’u jepet fund dhunës dhe terrorizmit.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Richard Boucher, tha se gjakderdhja po dëmton përpjekjet për zbatimin e palnit të paqes.

“Kështu që ne e kemi bërë të qartë gjatë javëve të fundit, tha zoti Boucher, se kemi arritur përfundimin se deri tani është bërë përparim, por dështimi në përpjekjet për të zgjidhur problemet e dhnunës po pengon përparimin e mëtejshëm”.

Izraeli po ndërton një mur sigurimi përgjatë Bregut Perëndimor me qëllim që të parandalojë ndërmarrjen e sulmeve vetëvrasëse nga ekstremistë palestinezë. Palestinezët e quajnë atë muri aparteid dhe përpjekje të shtetit hebraik për të aneksuar tokë palqestineze.

Ish diplomati, Denis Ros, thotë se ndërtimi i murit pasqyron një dështim të diplomacisë, por në gjendjen e tanishme të rëndë, ai paraqet të vetmen rrugë për pakësimin e dhunës. Megjithatë, thekson zoti Ros, muri duhet ndërtuar në një mënyrë të atillë që të mos u mbyllë rrugën mundësitve për arritjen e një zgjidhjeje politike.

Veç kësaj, Izraeli po ndërton mure edhe përreth vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor. Palesdtinezët thonë se ndërtimi i këtyre mureve do të dëmtojë përpjekjet për vendosjen e kufijve të një shteti palestinez.

Izraelitët argumentojnë se muret nuk përbëjnë ndonjë kufi politik dhe mund të shëmbën nëse me palestinezët arrihet një marrëveshje përfundimtare e paqes. Pa shpresat për arritjen e një marrëveshjeje të tillë, thonë analistët, cikli i ngatërruar i dhunës dhe gjaderdhja do të vazhdojnë.//kk//

XS
SM
MD
LG