Lidhje

Iraku në qendër të debateve të kandidatëve demokratë për president - 2003-10-19


Mosmarrëveshjet lidhur me Irakun vazhdojnë të motivojnë betejën mes kandidatëve presidencialë të Partisë Demokratike për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Ish-guvernatori i Vermontit, Howard Dean, është në krye të garës në shtetet Iowa dhe New Hampshirë, për shkak të kundërshtimit të tij për luftën në Irak.

Në javët e fundit, kandidati më i ri në garën e demokratëve për Shtëpinë e Bardhë, gjenerali në lirim, Wesly Clark, i është bashkuar atyre që e kundërshtojnë presidentin lidhur me luftën në Irak.

“Ne hymë në luftë në Irak me argumente fallso. Ne hymë në një luftë që nuk duhej filluar dhe tashti ne e mbajmë të pushtuar atë vend, që ka kushtuar më shumë jetë njerëzish, të paktën nga ana jonë, se sa vetë luftimet”.

Gjenerali Clark hyri vonë në garën presidenciale, por ai është ngritur pothuajse në krye të anketave të opinionit publik në Iowa dhe New Hampshire.

Të nëntë kandidatët demokratë janë në një formë apo tjetër kundër politikës së Presidentit në Irak. Por divergjenca të thella mbeten ende mes atyre kandidatëve demokratë, që mbështetën një votim në Kongres për të autorizuar presidentin për të përdorur forcën dhe atyre që ishin kundër tij.

Ata që votuan për rezolutën e vitit 2002 për përdorimin e forcës, si Senatori John Kerry i shtetit Massachusetts, vazhdojnë të mbrojnë qendrimin e tyre në debatet mes kandidatëve dhe në intervista të ndryshme.

“Unë veprova drejt. Vota ime ishte një votë për sigurimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bazuar në informacionin që na u paraqit”.

Por Senatori Kerry ka kritikuar të dhënat e zbulimit që paraqiti administrata për të justifikuar luftën në Irak dhe ai gjithashtu beson se Presidenti duhet të kishte bërë më shumë për të fituar mbështetjen ndërkombëtare.

“Për mendimin tim pati një ngutje për të hyrë në luftë, e cila na ka vënë tani në rrezik, dhe për këtë më vjen keq. Më gëzon fakti që Saddam Husseini është përmbysur. Por ky president, për shkak se u nxitua, bërë shumë herët atë që mund ta kishte bërë më vonë nga pozita më të forta.”

Ky qëndrim i ka krijuar probleme Senatorit Kerry në marrëdhënie me veprimtarët liberalë demokratë, të cilët kritikojnë ashpër presidentin për luftën në Irak. Shumë prej tyre i janë afruar tani pozitave të Howard Dean-it.

Zoti Dean iu kundërvu ashpër Senatorit Kerry lidhur me Irakun gjatë një debati kohët e fundit në Iowa.

“Unë nuk jam dakord me John Kerry-in. Për mendimin tim ai nuk i njeh punët e jashtme. Secili nga këta të pestë, me përjashtimin tim, e mbështetën luftën. Dhe në qoftë se dikush gjykonte se lufta në Irak duhej mbështetur, nuk është personi i duhur për Shtëpinë e Bardhë të Shteteve të Bashkuara”.

Debati i demokratëve lidhur me Irakun u ka tërhequr vemendjen republikanëve. Disa prej tyre ankohen se kritikat e vazhdueshme që ata i adresojnë Presidentit, do të dobësonin mbështetjen e publikut për programin e Presidentit për rindërtimin e Irakut.

Senatori republikan nga shteti Missouri, Jim Talent, bëri këtë koment kohët e fundit gjatë diskutimit të tij në Senatin amerikan.

“Sot nuk jemi në vitet 60-të. Iraku nuk është Vietnam. Saddam Husseini nuk është Ho Shi Min. Unë kam besim të plotë se kjo është një luftë amerikane. Ndërhyrja jonë në Irak është pjesë e kësaj lufte. Ky është një aspekt me rëndësi strategjike i kësaj lufte dhe ne mund dhe duhet ta fitojmë atë, në qoftë se ne qendrojmë të bashkuar.”

Pavarësisht nga kjo thirrje, debati i demokratëve lidhur me Irakun, ka të ngjarë të shtohet në javët e ardhshme ndërkohë që të nëntë kandidatët kanë filluar të theksojnë mosmarrëveshjet e tyre me njeri tjetrin lidhur me politikën e brendëshme dhe të jashtme.//kk//

XS
SM
MD
LG