Lidhje

Departamenti amerikan i Shtetit vlerëson përparimin e Shqipërisë në luftën kundër trafikut njerëzor - 2003-10-20


Një zyrtar i departamentit të Shtetit tha se Shqipëria ka shënuar përparim në luftën kundër trafikut njerëzor. Megjithatë që vendi të ngjitet më lart në klasifikimin e departamentit të shtetit, thotë Anthony Eterno i zyrës për vëzhgimin dhe luftën kundër trafikut, këto përpjekje duhet të vazhdojnë.

Zëri i Amerikës: Zoti Eterno, si do ta vlerësonit ju gjëndjen e qënieve njerëzore në Shqipëri kryesisht për qëllime seksi?

Anthony Eterno: Ne jemi të shqetësuar nga trafiku në Shqipëri ashtu si jemi të shqetësuar për çdo vend tjetër ku ndodh një fenomen i tillë, për dy arësye: së pari nga ana humanitare, një tregëti e tillë nuk duhet të ndodhë në epokën tonë, dhe së dyti shqetësimi ka të bëjë me apektin kriminal të këtij trafiku. Fakti që ky krim kapërcen kufijtë e vendeve të veçanta na prek të gjithëve në forma të ndryshme. Paratë që kalojnë në duart e trafikantëve futen nëpër ato kanale si të krimeve të tjera, qofshin këto për blerje armësh, apo dëmtimi i ekonomieve të vendeve të ndryshme dhe shkatërrimi i sistemit gjyqësor. Në përgjithësi kjo dëmton shoqëritë dhe ne na prek edhe si një vend destinacion i këtij trafiku.

Zëri i Amerikës: Lufta kundër trafikut kërkon një bashkëpunim rajona, por përsa i përket qeverisë shqiptare, a po bën ajo përpjekjet maksimale nga ana e saj?

Anthony Eterno: Mendoj se po. Shqipëria ka bërë përparim. Një nga masat e fundit në Shqipëri ka qënë përmes operacionit Mirazh, që ka hyrë në fazën e dytë. Në Shqipëri janë bërë shumë arrestime të trafikantëve. Ne aktualisht ndihmojmë me fonde qendrën kundër trafikut në Vlorë, një qëndër që merret jo vetëm me trafikun në Shqipëri por edhe në shkallë rajonale. Bashkëpunimi me qeverinë Italiane ka qënë shumë i mirë për të ndaluar skafet. Shqipëria ka patur shumë sukses në këtë drejtim. Mendoj se Shqipëria është në rrugë të mbarë. Kur isha atja para dy muajsh, mu krijua përshtypja se Shqipëria është shembull i mirë i një vendi që e njeh problemin, e pranon se ai ekziston dhe po merr masa për ta luftuar. Shqipëria ashtu si edhe vende të tjera të Ballkanit ka mungesë burimesh. Por që në raportin e Departamentit të Shtetit të marrë një vlerësim më pozitiv është e rëndësishme që lufta kundër trafikut të vazhdojë nga viti në viti.

Zëri i Amerikës: Kur flitet për trafikun njerëzor, kryesisht dëgjohet më shumë për presionin që ushtrohet ndaj vendeve të varfëra për ta luftuar këtë fenomen por pak dëgjohet për përpjekjet që duhet të bëjnë vendet e pasura aty ku ekziston edhe tregu i këtij trafiku. Si janë marrëdhëniet në luftën kundër trafikut njerëzor, mbi përpjekjet e bëra nga vendet e pasura dhe ato të varfëra. A mos duhet të bëjnë më shumë vendet e pasura në këtë drejtim?

Anthony Eterno: Zyra jonë i ka parasysh të dyja, si vendet që shërbejnë si burim ashtu edhe ato që janë destinacion. Në raportin tonë përfshihen edhe vendet e zhvilluara perëndimore, vendet që i kanë burimet për ta luftuar këtë problem. Ka disa vende për shembull që ndonëse janë shtete me ekonomi moderne nuk bëjnë pjesë në grupin e parë, por më poshtë. Kjo është e rëndësishme, pasi siç e përmendët edhe ju, viktimat përfundojnë në vendet e zhvilluara dhe këto vende duhet të marrin masa për t’i ndihmuar viktimat, t’u krijojnë atyre mundësi të integrohen në këto shoqëri, ndoshta duke u dhënë edhe leje afat-gjata qëndrimi. Nuk mendoj se në zyrën tonë ne i kushtojmë më pak vëmendje vendeve perëndimore. Ne punojmë me këto vende njesoj si edhe me vendet e tjera të Ballkanit për shembull. Vendet ballkanike paraqesin një sfidë më të vështirë pasi kontrolli i kufirit dhe zbatimi i ligjit nuk është i të njejtës shkallë si në vendet e tjera të zhvilluar.

Zëri i Amerikës: Kosova njihet si një shoqëri konservatore dhe shumë kritikë thonë se janë kryesisht të huajt, forcat ushtarake apo punonjësit civil ndërkombëtar që po e ushqejnë këtë fenomen në Kosovë. Por megjithatë nuk kemi dëgjuar ndonjë rast që ndonjë zyrtar i huaj të jetë dënuar atje.

Anthony Eterno: Mendoj se nuk kemi bërë sa duhet përsa i përket aspektit të kërkesës. Zyra jonë do të bëjë më shumë për të hetuar në këtë drejtim. Momentalisht ne jemi duke shqyrtuar rrugët dhe format për t’u marrë me anën tjetër të këtij problemi, pra me paqeruajtësit, me forcat e tjera ndërkombëtare. Ne jemi optimist se në se ka patur abuzime në të kaluarën ato nuk do të përsëriten. Ndonëse nuk kam informacione se si është gjendja momentalisht, e kam që qartë nevojën për ta ndjekur më nga afër këtë probel, që në se ekziston, të ndalojë.

//rd//

XS
SM
MD
LG