Lidhje

Sot pritet të përfundojë takimi 2-ditor i Apekut në Bankok të Tailandës - 2003-10-20


Udhëheqësit e vendeve të Azi-Paqësorit pritet t’i japin fund një takimi 2-ditor të nivelit të lartë në Bankok të Tailandës me një thirrje për të rifilluar bisedimet mbi tregëtinë globale dhe për të intensifikuar luftën kundër terrorizmit.

Udhëheqësit e 21 vendeve të Forumit për Bashkëpunim në rajonin e Azi-Paqësorit, ose Apek, pritet të lëshojnë sot një deklaratë të përbashkët pas takimit të tyre të fundit. Në projekt-deklaratë thuhet se udhëheqësit aziatikë do të zotohen të bashkojnë forcat për të shkatërruar grupet terroriste që veprojnë në rajonin e tyre.

Në projekt-deklaratë, e cila u ra në dorë mjeteve perëndimore të informimit, thuhej se përpjekjet kundër terrorizmit do të bashkërendohen më mirë dhe do të merren më shumë masa për të siguruar portet detare dhe për të bllokuar financat e terroristëve.

Gjithashtu, palët pjesëmarrëse do të bien dakord të kërkojnë masa të shpejta në bisedimet mbi tregëtinë botërore. Ato bisedime dështuan muajin e kaluar në Kankun të Meksikës.

Në komunikatën përfundimtare bëhet gjithashtu thirrje për eliminimin e rrezikut në rritje që përbën përhapja e armëve të shkatërrimit në masë. Lajmet bëjnë të ditur se deklarata nuk i referohet specifikisht Koresë së Veriut.

Dje presidenti Bush dhe homologu i tij koreanojugor, Roh Moo-hyun, u takuan po në Bankok dhe bënë thirrje për rifillimin sa më shpejt të bisedime për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Një raund bisedimesh shumë palëshe mbi këtë çështje në Pekin në muajin gusht përfundoi pa ndonjë marrëveshje.

//ze//

XS
SM
MD
LG