Lidhje

Shqipëria arreston 125 trafikantë gjatë operacionit “Mirazh 2003” - 2003-10-21


Policia shqiptare njoftoi sot arrestimin e 125 trafikantëve në valën e një operacioni rajonal kundër trafiqeve njerëzore. Drejtues të lartë të policisë deklaruan se operacioni “Mirazh 2003”, i shtrirë në 12 shtete të Europës Jug-Lindore solli rezulate të larta për Shqipërinë.

Drejtori i përgjithshëm i policisë shqiptare, Bajram Ibraj, deklaroi se janë arrestuar trafikantë në 55 raste për trafik femrash dhe shfrytëzim prostitucioni, në 8 raste për trafikim fëmijësh dhe 64 raste për organizim në kalim të paligjshëm kufiri. “Policia e shtetit do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me prokurorinë dhe gjykatat deri në përfundim të procedimeve të filluara dhe do të vazhdojë të japë informacion për masat e dënimit të dhëna nga gjykatat shqiptare. Policia vërtetoi gjatë operacionit “Mirazh 2003” se Shqipëria nuk është më vend tranzit për trafikun e qenieve njerëzore” - tha zoti Ibraj.

Sipas të dhënave, policia ka kontrolluar 800 mjedise, ku ka gjetur 88 femra viktima të trafiqeve për prostitucion, dhe një pjesë të tyre e strehoi në qendrat e rehabilitimit.

Policia ka zbuluar afro 222 autorë veprash penale, nga të cilët ka mundur të arrestojë rreth gjysmën, ose 125 trafikantë. Nga arrestimet e kryera kanë rifilluar 11 cështje të vjetra penale të lëna në harresë. Megjithatë operacioni “Mirazh 2003” ka shënuar rezultate 11 herë më të larta se operacioni i ngjashëm i një viti më parë.

Lufta kundër trafiqeve është në krye të kërkesave që bashkësia ndërkombëtare i ka drejtuar autoriteteve shqiptare, krahas korrupsionit dhe kondrabandës, në kuadër të përpjekejeve që bën Tirana zyrtare për integrim në strukturat euroatlantike.

//rd//

XS
SM
MD
LG