Lidhje

Varfëria në zonat urbane rritet ndjeshëm në vendet e Evropës Juglindore - 2003-10-21


Rreth 1 e treta e njerëzve, që jetojnë nëpër qytete në mbarë botën, e kanë të vështirë për të kënaqur nevojat e tyre bazë për ushqim, kujdes shëndetsor dhe strehim. Ky problem është veçanërisht serioz në vendet në zhvillim të Azisë jugore, Afrikës dhe Amerikës Latine. Por gjatë 10 vjeçarit të fundit, varfëria në zonat urbane është shtuar ndjeshëm në vendet ish komuniste të Evropës Lindore dhe të ish Bashkimit Sovjetik. Gjatë viteve 90, pjesa më e madhe e Evropës lindore dhe Azisë qëndrore filluan procesin e vështirë të transformimit politik, ekonomik dhe shoqëror. Në 5 vjetët e para të procesit kalimtar, kur industritë, që punonin pa fitim u mbyllën dhe sektori i madh shoqëror u reduktua, shumica e këtyre ekonomive të reja përjetuan një rënie të madhe të prodhimit dhe të tregëtisë si dhe një ngritje të shkallës së papunësisë dhe humbjen e të ardhurave. “Vendet që u goditën më rëndë ishin Azerbaixhani, Gjeorgjia, Taxhikistani, Ukraina, Sërbia dhe Mali i Zi dhe Moldavia, të pasuara nga vende që u goditën rëndë, por jo aq rëndë sa të mësipërmet. Ato ishin Kirgistani, Kazakistani, Turkmenistani, Armenia, Rusia, Bullgaria, Maqedonia, Rumania, Kroacia, Lituania dhe Letonia.”

Ellen Hamilton, specialiste e çështjeve urbane në Bankën Botërore, thotë se studimet kanë treguar që vendet, ku prodhimi i përgjithshëm kombëtar ra shumë, kanë përjetuar edhe një shtim të madh të varfërisë në zonat urbane.

Branko Milanoviç, specialist në Bankën Botërore mbi varfërinë dhe globalizimin, thotë se kjo gjendje është kryesisht pasojë e papunësisë. “Shkalla e papunësisë u ngrit shumë nga thuajse zero, që ishte para fillimit të procesit të transformimit kur të gjithë kishin nga një vend pune, megjithëse mund të paguheshin keq, por sidoqoftë kishin një punë. Menjëherë, brënda një periudhe 2-3 vjeçare, rreth 20 përqind e popullsisë kaloi në varfëri.”

Në të njëjtën kohë, ekonomia pësoi rënie në zonat rurale, duke bërë që njerëzit të vërshonin nëpër qytete për të kërkuar punë. Lisa Henley, bashkëpunëtore shkencore në qendrën Woodrow Wilson këtu në Washington, thotë se lëvizja e popullsisë ndihmoi në shtimin e varfërisë në zonat urbane. “Qeveria nuk është mësuar me një influks të tillë të madh njerzish. Ajo nuk i ka mjetet për të siguruar shërbimet e nevojshme për një numër kaq të madh njerzish.”

Zonja Henley thotë se varfëria po shtohet me rritme më të shpejta në qytete më të vegjël të Evropës Lindore dhe të Azisë Qëndrore se sa në kryeqytete. Branko Milanoviç i Bankës Botërore thotë se qytetet më të vegjël u varfëruan sepse shumica e zhvillimeve të reja ekonomike ndodhën në qytete të mëdhenj. Investitorët e huaj, veçanërisht korporatat e mëdha shumë kombëshe, e përqëndrojnë veprimtarinë e tyre në kryeqytete, ku mund të gjejnë fuqi punëtore të arsimuar, falë universiteteve, si dhe tregje të mëdha të artikujve dhe shërbimeve.

Studimet tregojnë gjithashtu se keqësimi i strehimit, infrastrukturës dhe shërbimeve shoqërore e bashkiake, dukuri këto të zakonta në vendet ish komuniste, është më i rëndë në qytetet jo kryesore.

Nga rreth 20 vende, që filluan procesin e transformimit në rajon, vetëm 5 prej tyre janë në gjendje më të mirë se sa para vitit 1990: Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Sllovenia dhe Sllovakia. Zoti Milanoviç thotë se këto vende janë nga ana gjeografike dhe kulturore më afër Evropës Perëndimore dhe ishin në gjendje ta merrnin veten shumë më shpejt nga rënia që pësuan fillimisht.

Megjithatë, varfëria në zonat urbane nuk ka lënë pa prekur edhe këto 5 vende, të cilat së shpejti do të bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian. Dhe megjithëse gjendja në kryeqytete ka qënë më e mirë se në qytetet më të vegjël, shenjat e varfërisë janë dukur edhe atje. Papunësia, që nuk vihej re gjatë regjimit komunist në rajon, është tani një dukuri e re.

Julia Szalai, specialiste e problemeve urbane pranë Akademisë hungareze të Shkencave, thotë se problemi kryesor në zonat urbane është zhvillimi i shpejtë i getove të të gjitha formave. Ajo shton se edhe dallimi midis të varfërve dhe të pasurve po shtohet në rajon.

Analistët e problemeve urbane paralajmërojnë që përhapja e varfërisë në qytetet e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore duhet të ndalet para se të fillojë të kalojë nga një brez në tjetrin siç ka ndodhur në Indi, Peru, Bolivi dhe në shumë vende të tjera në zhvillim.

XS
SM
MD
LG