Lidhje

Bushi: Askush nuk do ta pengojë punën tonë - 2003-10-21


Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka dërguar këtë mesazh: ai që strehon, mbështet apo ushqen një terrorist, është po aq fajtor sa edhe vetë terroristi. Regjimi ekstremist taleban e mësoi domethënien e këtij mesazhi, duke vuajtur pasojat.

Më pas, tha Presidenti Bush, koalicioni veproi kundër njërit prej përkrahësve kryesorë të terrorizmit: regjimit të Irakut:

“Regjimi i Sadam Huseinit zotëronte dhe përdorte armë të shkatërrimit në masë, mbështeste grupe terroriste dhe ushtronte terror kundër popullit të tij. Për dhjet me radhë, thuajse çdo vend e kuptonte dhe e dënonte këtë kërcënim. Më në fund, nëpërmjet rezolutës 441, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Sadam Huseinit të çarmatosej dhe t’i provonte botës se ishte çarmatosur, përndryshe do të përballej me pasoja serioze. I takonte diktatorit irakian të vendoste se si të vepronte dhe ai zgjodhi rrugën e gabuar”, tha presidenti Bush.

Gjashtë muaj më parë, Sadam Huseini u përmbys nga pushteti. “Nuk ka dyshim, tha Presidenti Bush, se Sadam Huseini ishte mashtrues dhe se ai paraqiste rrezik.

“Kush mund të mendojë se bota do të ishte më mirë me Sadam Huseinin në pushtet? Sigurisht, jo disidentët që do të dergjeshin nëpër burgje ose do të përfundonin në varret e tij masive; sigurisht jo burrat dhe gratë që do të mbushnin qelitë e torturave apo dhomat e përdhunimit; sigurisht jo familjet e viktimave që ai vriste me gaz helmues dhe asnjë prej atyre që shqetësohen për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe qendrueshmërinë në Lindjen e Mesme. Ndaj përmbysjes së Sadam Huseinit mund të ketë vetëm një reagim të sinqertë, theksoi Presidenti Bush, sa mirë që shpëtuam prej tij!”

Përkrahësit e Sadam Huseinit dhe terroristët e huaj po përpiqen të minojnë përparimin e Irakut. Terroristët mendojnë se sulmet e tyre kundër irakianëve, personelit të Kombeve të Bashkuara dhe forcave të koalicionit do të dobësojnë vendosmërinë e koalicionit. Kjo nuk do të ndodhë.

Shkollat irakiane po rindërtohen, spitalet po hapen përsëri dhe është rivendosur furnizimi me energji dhe ujë. Objektivi i koalicionit është rindërtimi i një Iraku të qendrueshëm dhe demokratik. “Asnjë bandë vrasësish dhe gangsterësh, ka thënë Presidenti Bush, nuk do ta pengojë dot punën tonë”

XS
SM
MD
LG