Lidhje

Irani dakort për inspektime të befasishme në objektet e tij bërthamore - 2003-10-21


Irani ka pranuar të lejojë inspektime ndërkombëtare pa paralajmërim në objektet e tij bërthamore dhe të pezullojë programin për pasurimin e uraniumit.

Marrëveshja u bë e njohur sot pas takimeve në Teheran midis zyrtarëve të lartë iranianë dhe ministrave të jashtëm nga Britania, Franca dhe Gjermania.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë mirëpriti vendimin e Iranit për të rënë dakord për inspektime nga punonjësit e agjencisë ndërkombëtare të energjisë bërthamore pa paralajmërim dhe për pezullimin e programit të tij të pasurimit të uraniumit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, tha se vendimi i Iranit është një hap pozitiv dhe shtoi se me rëndësi tani për udhëheqësit iranian është që të bëjnë realitet këto angazhime të reja.

Ai tha se administrata e presidentit Bush ka mbajtur kontakte të afërta me zyrtarët evropianë, të cilët ndërmjetësuan arritjen e marrëveshjes.

Një zyrtar iranian tha se pezullimi i programit të pasurimit të uraniumit është një masë e përkohshme për të krijuar besim tek komuniteti ndërmkombëtar. Marrëveshja u arrit 10 ditë para skadimit të një afati të komunitetit ndërkombëtar për Iranin si dhe pasoi takimet e djeshme në Teheran mes zyrtarëve iranianë dhe ministrave të jashtëm të Britanisë, Francës, dhe Gjermanisë.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se Irani ende duhet të paraqesë një deklaratë të plotë të të gjitha veprimtarive të tij bërthamore si dhe një njoftim zyrtar se do ta nënshkruajë protokollin shtesë të traktatit për mos përhapjen e armëve bërhtamore, që do të bëjë të mundur inspektimet pa paralajmërim.

Presidenti Bush ka thënë se Irani po zhvillon fshehurazi armë bërthamore. Irani thotë se programi i tij bërthamor ka për qëllim të prodhojë rrymë elektrike.

//ze//

XS
SM
MD
LG