Lidhje

Përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit diskutojnë për gjendjen e trafikut njerëzor në rajon - 2003-10-22


Përfaqësues nga vendet e Evropës Juglindore thonë se zbatimi i i kuadrit ligjor, bashkëpunimi mes tyre, dhe trysnia ndërkombëtare mund të ndihmojnë për ta bërë më efektive luftën ndaj trafikut njerëzor. Ata merrnin pjesë në një takim të organizatës Protection Project në Washington, e cila merret me studime lidhur me trafikun njerëzor në botë.

Organizatori i takimit, drejtori i organizatës Protection Project, Mohamed Mattar, ashtu edhe zyrtarët e ambasadave të vendeve të Ballkanit, vlerësoi ligjet e miratuara në këto vende për të luftuar trafikun njerëzor. Ai përmendi si shembuj ligjet e Rumanisë, Maqedonisë, Kroacinë, si dhe rregulloren e OKB-së për Kosovën, të cilën ai e mori si shembull: “Seksioni 8 i rregullores së Kosovës flet për një parim shumë të rëndësishëm në lidhje me trafikun dhe ky është moskriminalizimi i personit të trafikuar. Domethënë nëse dikush që ushtron prostitucionin, është viktimë e trafikut, nuk duhet ndëshkuar ajo, por ai që e ka trafikuar”, tha ai.

Por si zoti Mattar, ashtu edhe disa nga përfaqësuesit e vendeve të Evropës Juglindore, e pranuan që në këto vende shqetësimi më i madh është zbatimi i ligjit dhe parandalimi i trafikut njerëzor.

Lufta kundër trafikut njerëzor është kthyer në një përparësi për administratën amerikane. Presidenti Bush shprehu e dënoi këtë dukuri në një fjalim në Kombet e Bashkuara, më 23 shtator.

Ky interesim mund t’i japë një shtysë përpjekjeve në rajone si Ballkani, për të luftuar trafiqet, pasi siç tha ambasadorja bullgare Elena Borislavova Poptodorova për vende si ato të Evropës Juglindore është e nevojshme një farë trysnie nga jashtë:

“Na pëlqen ne apo jo, është pikërisht kështu, jo vetëm me trafikun, por besoj me pjesën më të madhe të reformave në Evropën Juglindore. Trysnia nga jashtë dhe një farë paralajmërimi për këto vende se mund të përjashtohen nga bota demokratike, u jep atyre më shumë nxitje sesa përpjekjet e brendshme. Këshuqë përgjigjia e shkurtër do të ishte: po, trysnia e jashtme, ose detyrimet e vendosura nga jashtë janë shumë të rëndësishme. Në rastin tonë një farë trysnie do të na ndihmonte”, tha ajo.

Por disa nga përfaqësuesit e tjerë nuk kishin të njëjtin mendim. Disa prej tyre thanë se masat ndëshkuese për shembull, si një formë trysnie më shumë do ta keqësonin gjendjen.

Zoti Mattar vlerësoi arritjet në luftën kundër trafikut njerëzor në këto vende. Në fakt ditët e fundit në 12 vende të Evropës Juglindore, përfshirë Shqipërinë u ndërmor një aksion kundër rrjeteve të tregëtisë së seksit i mbështetur nga autoritetet amerikane.

Vetë Shqipëria ka miratuar rreth 90 për qind të legjislcionit ndërkombëtar që ka të bëjë me luftën kundër trafikut njerëzor.

Përfaqësuesit e organizatës “Protection Project”, do të kryejnë një udhëtim në rajon, në dhjetor ku së bashku me zyrtarët e Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Maqedonisë, Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, do të vlerësojnë arritjet e deritanishme në luftën për parandalimin dhe ndëshkimin e trafikut njerëzor.//kk//

XS
SM
MD
LG