Lidhje

E ardhme e vështirë për kompanitë amerikane të automobilëve? - 2003-10-23


Të gjithë e dinë se kompanitë japoneze, evropiane dhe jugkoreane të makinave kanë rrëmbyer një pjesë të madhe të tregut që më parë zotërohej nga tre kompanitë amerikane të Detroitit, të njohur si Treshja e Madhe, Chrysler, Ford dhe General Motors. Një libër i botuar kohët e fundit paralajmëron një të ardhme të vështirë për kompanitë amerikane të automobilëve.

Gazetarja e New York Times-it, Micheline Maynard ka shkruar librin me titull “Fundi i Detroitit: Si e Humbi Treshja Tregun Amerikan të Makinave”.

Tema kryesore në libër janë sfidat që paraqet industria e huaj e automobilëve. Ato janë kaq të mëdha saqë një ose më shumë nga Treshja e Madhe mund të mos ekzistojë më deri nga fundi i kësaj dekade.

Kandidati i parë për falimentim thotë zonja Maynard është filiali amerikan i Daimler Chryslerit.

”Chrysler është dëmtuar më rëndë nga rritja e shitjeve të makinave të importit. Megjithëse kanë mbështetjen e Daimler-Benz-it në Gjermani, mund të vijë një kohë kur ti vijë radha atij. Në gusht, Toyota doli mbi shitjet e Chryslerit në Amerikë për të parën herë dhe ky ishte një alarm për Chryslerin që paralajmëron për situatën serioze,” thotë zonja Maynard.

Kandidati i dytë në buzë të greminës është kompania Ford Motor, thotë Micheline Maynard.

”Lojtari numër dy duhet të konkurojë në çmim me lojtarin kryesor, pastaj për stilin, cilësinë dhe gjëra të tjera me kompanitë më të vogla. Kështu që Fordi do të përballet me këto sfida,” thotë autorja.

Në librin e saj zonja Maynard tërheq vëmendjen ndaj firmave koreane, Hyndai dhe Kia. Ata po ndjekin shembullin e kompanive japoneze për të arritur sukses, duke filluar me pak, pastaj duke ndërtuar një klientelë bazë e duke lëvizur më thellë në treg.

”Ato paraqesin sfidë për tregun dhe pikërisht për disa kompani të vogla japoneze, si Suzuki, Isuzu dhe Subaru. Mendoj se ato sfidojnë edhe Treshen e Madhe amerikane në tregun me çmime më të ulta.” Parashikimi i fundit i autores Maynard: Toyota do të zgjerohet duke ja kaluar General Motors për tu bërë nga viti 2010, prodhuesja më e madhe e makinave në botë.

”Toyota nuk e bën këtë lëvizje për të mundur General Motors. Ata e shohin këtë si rritje 15 përqind në tregut global që është niveli që ka tani Gjeneral Motors. Ata po e bëjnë këtë duke shitur më shumë makina në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Kinë dhe Amerikën Latine.”

Micheline Maynard thotë se amerikanët nuk ndjekin më filozofinë e blerjes së makinave amerikane për patriotizëm. Ajo thotë se pavarësisht nëse makina është amerikane, aziatike apo evropiane, konsumatori do të blejë në fund të fundit atë që përmbush nevojat e tij. Përfundimi i librit është se kjo do të sjellë fundin e Detroitit, qytetit amerikan të kompanive gjigande të makinave.

XS
SM
MD
LG