Lidhje

Komentet e analistëve për krizën qeveritare në Shqipëri - 2003-10-23


Parlamenti shqiptar nuk miratoi kandidaturat e paraqitura nga kryeministri Nano për dy poste të kabinetit, ndërkohë që kriza midis socialistëve në pushtet vazhdon të thellohet. Mbështetesit e ish kryeministrit Ilir Meta u bashkuan me opozitën duke bllokuar kandidaturat e paraqitura nga kryeministri, emërimin e zotit Namik Dokle për ministër të jashtëm dhe atë të zotit Fatmir Xhafa si ministër të rendit. Megjithatë, deputetet e miratuan shkarkimin e zotit Luan Rama nga posti i ministrit të rendit. Zoti Meta dha dorëheqjen si minister i jashtëm në muajin korrik, duke akuzuar administratën e zotit Nano për mungesë përgjegjshmërie dhe efikasiteti. Kjo është hera e dytë që përkrahësit e zotit Meta rrëzojne kandidaturat e paraqitura nga kryeministri Nano. Për të diskutuar lidhur me krizën e re politike në Shqipëri, Zëri i Amerikës ftoi në eminisionin televiziv Ditari, dy analistë nga Tirana; zotin Andi Bushati, kryeredaktor i revistës Klan dhe zotin Mero Baze, kryeredaktor i gazetës Tema.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati sa serioze është kriza e tanishme dhe si shpjegohet fakti se kryeministri Nano lejoi që situata të vinte në këtë pikë?

Andi Bushati: Për çdo qeveri që gjendet në pushtet dhe që konfirmon për të dytën herë që nuk e ka mazhorancën që e mbështet, kriza mund të quhet tepër e madhe dhe tepër serioze. Por për mendimin tim e reja e kësaj dite nuk është këtu dhe goditja më e madhe që ka marrë Fatos Nano sot nuk qëndron në faktin që ai nuk arriti të krijojë mazhorancë por në faktin tjetër sepse edhe ato numra që ai krijoi ishin të trukuara dhe ai u mundua të blejë deputetë nga opozita. Pra në se mund të shprehemi disi në stilin e Nanos, Nano tentoi të mbajë në pushtet, pushtetin e veteranëve me votat e ballistëve dhe të mbretërorëve. Kjo mungesë e vazhdueshme e moralit në politikë, e cila tani u konfirmua dhe në sallën e parlamentit, është për mua goditja më e madhe morale që ka marrë kryeministri Nano në ditën e sotme.

Zëri i Amerikës: Zoti Baze sipas mendimit tuaj, çfarë alternativash ka tani kryeministri Nano? A mund të vazhdojë ai të qeverisë dhe sa efektive mund të jetë një qeverisje e tillë?

Mero Baze: Në të vërtetë kjo që po bën kryeministri Nano pas humbjes së sotme në parlament është një përpjekje për ta përdorur këtë rezultat që ka pasur në parlament, pra këtë rezultat negativ, në interes të rimarrjes së pushtetit të tij në krye të Partisë Socialiste në kongres. Pra po përpiqet të përdorë krizën parlamentare dhe qeveritare në favor të zgjedhjeve në kongresin e Partisë Socialiste. Ai po bën përpjekje për të kërcënuar me përjashtim deputetët që votuan kundër tij dhe ai nuk është se ka ndërmend të përjashtojë, ose së paku unë mendoj se ai nuk ka ndërmend të përjashtoi ata, por kështu po përpiqet të kompaktësojë grupin e të shmangë ato që mund ti quajmë dezertime të mëtejshme nga rradhët e tij dhe kalimin në kundërshtarë të tij brenda partisë. Më pas ai ka një variant më të butë administrativë që të mos të caktojë ministra deri në kongres. Por kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës që nuk mund të lejohet më tej pasi Shqipëria është i vetmi vend që ka të paktën tre muaj e pak pa ministër të jashtëm. Ministria e jashtëme e Shqipërisë drejtohet nga një zëvendësministër i cili nuk është votëbesuar në parlament për atë detyrë dhe në qoftë se kjo situatë kalon edhe në ministrinë e Rendit, ku Shqipëria ka shënuar rekordet më të zeza të kurbës së krimit këtë muaj të fundit, pra duke pasur ministër, atëhere vendi është i paqeverisshëm dhe Presidenti duhet të marrë përsipër ti garantojë shoqërisë shqiptare që është garant i Kushtetutës dhe duhet vendosë menjëherë që zoti Nano të urdhërojë menjëherë të paraqesi mocion besimi dhe jo mosbesimi në parlament, pra zoti Nano duhet të paraqesi besimin e vet para parlamentit që parlamenti ti japi 71 vota dhe ai të ketë të drejtën të formojë qeveri ose të paraqesë dorëheqjen dhe të riformojë një qeveri të re përpara se të mendojë për kongresin e tij.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, në çfarë pozite ndodhet tani zoti Ilir Meta. A mund të cilësohen zhvillimet e sotme si një fitore për zotin Meta?

Andi Bushati: Mund të cilësohen si një fitore për aq kohë sa bllokimi mund të quhet një fitore. Për mendimin tim zoti Meta tregoi dy gjëra. Tregoi se së pari ai përfaqëson një grup i cili gjithësesi duhet të përfillet brenda Partisë Socialiste, tregoi së dyti se pse po krijohet edhe brenda mazhorancës një grup kontestues kundër shënjave të arrogancës në pushtet që ka treguar me kalimin e kohës gjatë qeverisjes së tij zoti Nano. Por për mua ajo që është e paqartë dhe që mbetet akoma të shikohet është pothuajse një lloj ngurimi dhe një llojë ndjenje faji e të gjithë atyre përfaqësuesve të Partisë Socialiste që sot votuan kundra. Ata janë shfaqur sot në Tiranë vetëm me deklarata të shkurtra, me thënie të vogla por duket se ju mungon një platformë e qartë dhe një guxim në artikulimin e atyre ideve që pse realisht ata kontestojnë. Ju po të shihni sot të gjitha mediat e Tiranës, kemi vetëm deklarata të shkurtra të zotit Meta apo të njerëzve të tjerë të cilët duket sikur vërtetë kanë pasur guximin për ta penguar Nanon por ende nuk mblidhen rreth një platforme të qartë që tja shpjegojnë edhe opinionit publik që pse po e ndërmarrin këtë hap.

Zëri i Amerikës: Zoti Baze, Ilir Meta ka patur marrëdhënie problematike me Partinë Demokratike. A mund të flitet tani për një ”aleancë fluide” midis përkrahësve të zotit Meta dhe Partisë Demokratike?

Mero Baze: Votimi i sotëm, nga qëndrimet që mbajtën të dyja grupet, opozita politike dhe opozita e brendëshme e Partisë Socialiste tregon se qëllimi i zotit Meta dhe qëllimi i opozitës politike në përgjithësi është krejt i ndryshëm për shkak se votuesit, deputetët socialistë të cilët nuk votuan emrat e zotit Nano por abstenuan, synojnë me platformën që shpallin ose me synimet që kanë shpallur publikisht synojnë të zgjasin mandatin e qeverisjes së Partisë Socialiste, të shtyjnë kongresin e kësaj partie dhe të formojnë një qeveri me bazë të gjerë për shkak se ata nuk kanë besim se duke shkuar Fatos Nanua kryeministër në kongresin e Partisë Socialiste mund të bëhet një kongres i drejtë dhe një kongres ku mund tu jepen shanse të barabarta të gjitha palëve. Dhe mendoni që kur tek qeveria nuk ka besim se bën zgjedhjet edhe brenda partisë, partia e vet, mendoni se sa besim mund të ketë shoqëria shqiptare tek një qeveri për të bërë zgjedhje. Synimi i Sali Berishës ishte i qartë. Ai kërkoi menjëherë zgjedhje të parakohëshme. Pra duke pasur synime kaq të ndryshme nuk ka sesi ata të kenë një aleancë fluide. Aleanca e vetme ishte bashkimi i votave kundër të opozitës dhe abstenimeve të socialistëve për të mos pranuar ministrat e ofruar nga zoti Nano i cili synon të konsolidojë pozitat përpara kongresit.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, a mendoni se Partia Socialiste po shkon drejt vetëshkatërrimit politik me konfliktin Nano-Meta?

Andi Bushati: Ka një lloj shpërbërje. Unë do rezervohesha të flisja për shkatërrim, por ajo që unë vërej është një fakt vërtetë dhe realisht i rëndë. Pyetja që shtroj unë është: Ç’i lidh dy grupet që ishin sot në pozita të kundërta brenda Partisë Socialiste, a kanë platëforma të njëjta, a kanë interesa të njëjta, a mund të bashkohen në ndonjë pikë? Fakti që të gjitha këto pyetje mbeten pa përgjigje, tregon për faktin tjetër se kemi tashmë dy rryma brenda Partisë Socialiste të vendosura në pozita krejtësisht amorale kundrejt njëra-tjetrës dhe që në një mënyrë apo në një tjetër duket se po shkojnë drejt një përballje dhe kundërvënie frontale dhe përfundimtare ndërmjet tyre. Nuk dihet në se kjo do të shkatërronte krejtësisht Partinë Socialiste por dihet që gjithmonë e më tepër ekzistenca e të dy rrymave po bëhet gjithmonë e më e pamundur brenda kësaj partie.

Zëri i Amerikës: Zoti Baze, opozita, kryesisht Partia Demokratike, po kërkon zgjedhje të parakohëshme. Mirëpo duke marrë parasysh rezultatet jo shumë të favorshme në zgjedhjet vendore që sapo u zhvilluan në vendin tuaj, a mund të thuhet me të vërtetë se Partisë Demokratike i intereson që vendi të ketë zgjedhje parlamentare të hershme. A është e përgatitur Partia Demokratike për zgjedhje të tilla?

Mero Baze: Po e qartë. Në se do të llogarisim rezultatin e zgjedhjeve të tetorit të sapo përfunduara, rezultatet problematike të Tiranës dhe të Durrësit janë akoma të papërfunduara sepse janë në proces gjykate, po në qoftë se do të llogarisim rezultatin e Partisë Demokratike nga Tropoja deri në Sarandë, duke përjashtuar Durrësin dhe Tiranën, rezulton që Partia Socialiste ka humbur 20 deputet. Pra 20 deputetë të kësaj partie në qoftë se do të ishin zgjedhjet parlamentare dhe jo vendore, i ka marrë Partia Demokratike. Mjafton të llogarisim që opozita të ruaj rezultatin e 24 qershorit në Durrës dhe Tiranë ajo është një parti që fiton të paktën 50 përqind të votave në qoftë se do të bëheshin sot zgjedhjet parlamentare. Kështu që nuk mendoj që Partia Demokratike dhe opozita në përgjithësi i trembet zgjedhjeve të parakohëshme, përkundrazi ajo po e ngre zërin për zgjedhje të parakohëshme. Problemin kryesor që ka opozita në zgjedhjet e parakohëshme është KQZ i cili duhet të balancohet me urgjencën më të madhe dhe të ndiqen penalisht komisionerët të cilët shkatërruan procesin zgjedhor në Durrës dhe në Tiranë. Në qoftë se nuk do të ketë dënime penale për komisionerët e Durrësit dhe Tiranës dhe për KQZ që bëri operacion policor për ndryshimin e listave në minutat e fundit, zgjedhjet në Shqipëri do të jenë të rrezikuara jo vetëm këtë pranverë të cilat duket se do të jenë të afërta, por në çdo kohë që do të bëhen, pra në se nuk kemi një korrigjim të dëmtimit që ka patur infrastruktura e zgjedhjeve. Kurse nga pikëpamja politike opozita është shumë e gatshme dhe shumë optimiste që i fiton zgjedhjet.

//rd//

XS
SM
MD
LG